E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS, miratohen dokumentet zgjedhore

Asambleja e PS do të mbahet në të dalë të Elbasanit dhe do të hapet nga kryetari Edi Rama. Asambleja miraton sot dokumentet zgjedhore. 

TIRANE- Asambleja Kombëtare e PS-së do të miratojë sot dokumentet kryesore që do të jenë baza e përgatitjes për zgjedhjet e qershorit 2009. Mbledhja do të mbahet në të dalë të Elbasanit dhe do të hapet nga kryetari Edi Rama. Në fjalën e tij, kreu i PS-së do të bëjë një analizë të progres-raportit për vitin 2008 dhe detyrat që ka PS-ja, si partia kryesore e opozitës jo vetëm për zgjedhjet e pritshme, por edhe për integrimin e vendit. Dokumentet kryesore të mbledhjes kanë të bëjnë me Kodin e ri Zgjedhor dhe përshtatjen e strukturave të PS-së pas rregullave të reja. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami ka përgatitur një material të përmbledhur të strategjisë elektorale të organizimit të strukturave të partisë, miratuar kjo në mbledhjen e kryesisë. Në këtë material janë të përcaktuara grupet e punës dhe detyrat për secilin grup. Fatmir Xhafaj, ish-bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore, do të njohë sot anëtarët e Asamblesë me të gjitha etapat e hartimit të Kodit dhe problemet që e karakterizuan procesin. Anëtarët e Asamblesë do të kenë në dorë edhe një material përmbledhës të Kodit të ri Zgjedhor. Mbi bazën e këtij materiali, zgjedhjet pritet të zhvillohen në një nga datat mes 21 dhe 28 qershorit 2009, datë që do e vendosë Presidenti i Republikës. Ata që do të pretendojnë të futën në listat e kandidatëve, duhet të dinë se renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumë emërore nuk mund të ndryshohen pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Në Shqipëri do të ketë 12 zona zgjedhore. Mandatet për çdo zonë zgjedhore përcaktohen duke pjesëtuar numrin e popullsisë me numrin 140 deputetësh, kuota që del për një mandat është rreth 30.455 shtetas (sipas të dhënave të popullsisë në korrik 2008). Numri i popullsisë së çdo qarku pjesëtohet me kuotën dhe nxjerr numrin e mandateve për çdo qark. Mbetjet e mandateve u shpërndahen qarqeve me mbetje më të mëdha. Ndarja propozohet nga KQZ-ja dhe miratohet nga Kuvendi me vendim të veçantë, në janar të vitit 2009. Këto sqarime janë tashmë të fiksuara në Kodin e ri, miratimin e të cilit PS-ja e quan sukses.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›