E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS:PSD e PDS aleatët tanë. Meta luajti me presion

Nga Darina Tanushi
Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare. Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj do të raportojë mbi rregullat e lojës të përcaktuara në Kodin e sapo miratuar.
SOT ASAMBLEJA  

TIRANE-  Drejtuesit socialistë pranojnë se PSD e PDS janë dy prej aleatëve të saj, me të cilët u morën vesh edhe gjatë procesit të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Por gjatë kësaj periudhe, PS ka marrë si reagim “presionin dhe kushtëzimin joparimor nga ana e lidershipit të LSI-së”. Kjo pasqyrë e shkurtër e marrëdhënieve brenda të majtëve është shkruar në një material të përgatitur nga bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj. Materiali do t’i prezantohet sot Asamblesë Kombëtare dhe është një vlerësim mbi të gjithë procesin e hartimit dhe miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Xhafaj, raporton se “rregullat e lojës të përcaktuara në këtë Kod nuk cenojnë as votat, as përqindjet që do të meritojnë partitë politike në zgjedhjet e 2009-ës”. Sipas tij, “formulat e aplikuara mundësojnë që secila parti të marrë përfaqësimin e merituar në parlament. Rregullat e këtij Kodi për aplikimin e sistemit të ri zgjedhor ofrojnë garën e qetë dhe të urtë të programeve qeverisëse, të ekipeve, alternativave apo lidershipëve”. Por, ajo që ka shqetësuar gjatë përgatitjes së Kodit ka qenë pikërisht marrëdhënia mes partive të majta, PS-së dhe partive të vogla e kryesisht LSI-së, e cila duket se tashmë nuk llogaritet më si aleat i PS-së. “Risitë që përmbajnë dispozitat ligjore, normalisht qoftë dhe për moskuptim, qoftë dhe për përkthim të tyre në kuota të vogla private politike, kanë sjellë si pasojë jo pak keqkuptime si edhe ca kontestime nga disa parti”, - shprehet Xhafaj. “Një pjesë e kritikave apo edhe akuzave të artikuluara në debatet publike, u pa qartë se ngriheshin më shumë mbi perceptimin mediatik sesa mbi njohjen reale të projektit të Kodit”, - thuhet në material. “Ne kemi kërkuar që në krye të herës, veçanërisht nga aleatët tanë, që ky proces të jetë pa paragjykime dhe me një frymë të qetë komunikimi, duke vlerësuar se nuk mund të ndërtohet një proces bashkëpunimi real dhe i qëndrueshëm, bazuar apo paralel me një proces paragjykimi, mosnjohjeje dhe për më keq, mbështetur në emocione personale, akuza, presione dhe mungesë etike komunikimi”, - shprehet Xhafaj. Ai sqaron se PS-ja nuk ka hezituar në asnjë moment të ballafaqohet me opinionet e aleatëve. “Në funksion të këtij qëllimi kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme funksionimin e negociatave politike e teknike ndërmjet palëve, proces i cili ka funksionuar normalisht me dy partitë aleate, PSD dhe PDS, ndërsa ka pasur si reagim presionin dhe kushtëzimin joparimor nga ana e lidershipit të LSI-së”, - vëren Xhafaj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›