E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së, gati vendimi për mosnjohjen e qeverisë së re

Zbardhet çështja kryesore që do diskutohet në mbledhjen e Asamblesë kombëtare. Selia rozë do e konsiderojë qeverinë ilegjitime, por nuk do bojkotojë parlamentin

Shaban Sulçe

Partia Socialiste do ta konsiderojë të paligjshme qeverinë e re, por nga ana tjetër ajo do të rezervohet në marrjen e vendimit ekstrem për bojkotimin e parlamentit. Këto duket se do të jenë çështjet kryesore, mbi të cilat do të përqendrojë punimet e saj Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në mbledhjen e ditës së martë. Lajmi është pohuar nga burime zyrtare pranë selisë rozë. Sipas tyre, vendimet e kolegjit zgjedhor të cilat nuk lejuan rinumërimin e votave në qarkun e Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë cenuar rëndë legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe kanë thelluar edhe më tej masakrën elektorale të 28 qershorit. Për këtë arsye, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të zhvillojë një analizë të gjerë të mungesës së standardeve në zgjedhje dhe deformimit që ka pësuar vota e zgjedhësve. Sipas burimeve në Partinë Socialiste, mbi bazën e kësaj analize të gjerë pritet të merret edhe vendimi zyrtar për shpalljen jolegjitime të qeverisë së re, që do të krijohet midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndonëse marrja e këtij vendimi mund të konsiderohet në shkallë ekstreme, selia rozë pritet të rezervohet në marrjen e një vendimi tjetër po aq ekstrem, që është bojkotimi i parlamentit. Thënë më qartësisht vendimi i Asamblesë Kombëtare pritet të jetë: Partia Socialiste nuk do të njoh qeverinë e re, por nga ana tjetër ajo do të jetë e pranishme në parlamentin e ardhshëm.

Qëndrimi
Qëndrimi për mosnjohjen e qeverisë së re, por edhe njëkohësisht për mosbojkotimin e parlamentit u zbulua dy ditë më parë nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një konferencë për shtyp, menjëherë pasi Kolegji Zgjedhor kishte vendosur refuzimin e rinumërimit të kutive në qarkun e Beratit. “Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat. Por hapi rrugën e mos njohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pakërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike”, deklaroi Rama. I pyetur nga gazetarët nëse mosnjohja e legjitimitetit do të thoshte, bojkotim i parlamentit, Rama u përgjigj duke deklaruar: “Nuk e thashë një gjë të tillë!”. Në këtë mënyrë kryesocialisti ka hedhur poshtë të gjithë ato zëra dhe opsione që flisnin për braktisje të parlamentit nga deputetët e Partisë Socialiste.

Asambleja
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste pritet të merret vendimi edhe për thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm, i cili pritet të mbahet brenda muajit gusht. Do të jetë kongresi që do të bëjë dhe analizën e rezultatit zgjedhor për PS-në, nga ku do të merren edhe vendime të mëtejshme. Ndërkaq kryetari i Partisë Socialiste do të zhvillojë ditën e hënë një takim me drejtuesit e Partisë Socialiste në rrethe. 400 përfaqësues të PS-së në bazë si kryetarët e rretheve të PS-së, kryetarët socialistë të bashkive dhe komunave si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe të komunave do të takohen me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, në një takim ku do të diskutohet rreth zgjedhjeve.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›