E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Legjitimitetin e qeverisë së re nuk e përcakton Rama, por sovrani me votën që dha”



Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar marrëzi deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili tha se partia më e madhe e opozitës nuk do të njoh legjitimitetin e qeverisë së re. Nga rrethi i Hasit, kryeministri Berisha ka deklaruar se legjitimitetin e qeverisë së re nuk mund ta përcaktojë Edi Rama, por sovrani me vullnetin dhe me votën e tij. Kreu i qeverisë tha se populli shqiptar me votën në 28 qershor i rezervoi humbjen kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. “Dua të shpreh realisht një keqardhje se, pavarësisht se ai është një kundërshtar, por, kur e dëgjoj t’u thotë shqiptarëve çdo ditë marrëzira të padëgjuara në 20 vitet e fundit, nuk mund të mos ndjesh në rrafshin njerëzor dhimbje. Një ditë u deklaroi se TEC-et me qymyr nuk ndërtohen më në Evropë, në një kohë kur, në fakt, kriza energjetike i ka rikthyer ato më fuqishëm se ndonjëherë. Ditën tjetër, ne miratuam detyrën e studimit të zonës Kashar-Vorë-Prezë dhe ai doli dhe u tha shqiptarëve se Tirana është 2800 hektarë, ndërsa në KRRTRSH u miratuan ndërtime për 3500 hektarë. Unë do të isha shumë i lumtur, në rast se do të ndërtohej një qytet i madh me 3500 hektarë, por e vërteta është se ky është një problem i largët, jo i afërt. Dje doli e deklaroi se nuk do të njohë legjitimitetin qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, por atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë evropiane. Kjo zonë do të ketë një rrugë të standardeve evropiane. Ajo i ka pasuritë e tjera, po i mungonte rruga, ujësjellësit, vaditja dhe ne e shndërrojmë këtë në një territor të një vendi evropian”, tha Berisha.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›