E Diel, 1 Nëntor 2026

TAKTIKAT PËRÇARËSE . Si influencoi në 20 vite Berisha në zgjedhjen e krerëve të partive politike

Që nga influenca te ish të përndjekurit deri te imponimi mediatik i kandidatëve

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, në 20 vite të karrierës së tij politike përveçse ka treguar se di ta mbajë “fort” Partinë Demokratike, ndër të tjera ka dhënë shembuj se di të mbajë apo të emërojë në distancë dhe kryetarët e partive të tjera. Është një histori e gjatë 20 vjeçare e influencës “pas perdes” që PD-ja ka ushtruar në vite, sidomos në radhët e partive të spektrit të djathtë por nuk kanë munguar dhe nuancat e ndërhyrjeve majtas në momente të caktuara. Ndoshta një nga “operacionet” më të hershme të Berishës në ndërhyrjet e tij jashtë partive apo organizatave që nuk lidheshin me PD-në, ka qenë ndërhyrja ndaj Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë. Shigjetimi i Berishës ndaj kësaj shoqate nisi fill pasi në vitin 1992, Berisha siguroi postin e Presidentit të Republikës. Etja e Berishës për pushtet dukej se cenohej nga karta e fortë morale që dispononin ish të përndjekurit. Megjithatë, pushteti politik i Berishës arrit në mënyrë të suksesshme të depërtonte dhe të arrinte kontrollin e kësaj shoqate, vlera dhe influenca e së cilës erdhi në zbehje dita ditës. Përplasja kulmoi në vitin 1995 kur Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë e vënë nën kontrollin e Berishës, shkarkoi nga detyra gjithë drejtuesit e saj në një mbledhje aspak normale të zhvilluar në orët e vona të natës.
Balli
Kryetari i PD-së dhe njëkohësisht kryeministri Berisha ka një histori të vjetër me Ballin Kombëtar. Në fillim të viteve 90, kur PD-ja ishte vetëm një grup drejtuesish dhe kërkonte një bazë në popull, Berisha midis të tjerash, ju kërkoi ndihmë familjeve me origjinë balliste. Këto familje, duke dëshiruar më shumë se çdo gjë përmbysjen e komunizmit dhe duke pasur parasysh se nuk ekzistonte një parti e Ballit Kombëtar në Shqipëri në atë kohë, e përkrahën fuqimisht PD-në dhe votuan për të në zgjedhjet e vitit 1992. Kjo edhe për faktin se drejtuesit e Ballit Kombëtar në emigracion dhanë orientimin që të votohej për PD-në me qëllimin e përmbysjes së komunizmit. Kjo “dashuri e madhe” e lindur në orët e para të demokracisë në Shqipëri, duket se nisi të zbehej dhe të shteronte orë pas ore. Balli Kombëtar kërkonte të vepronte si një forcë politike që nuk ishte vasale e askujt, por kjo situatë nuk i vinte për shtat PD-së, e cila shihte që elektorati i Ballit po i largohej dhe po shkonte në origjinë. Fillimisht PD-ja u përpoq që të joshte Abaz Ermenjin me ndonjë post , por Ermenji i rezistoi ftesave të PD-së. Atëherë Berisha ndryshoi taktikë dhe nisi disa “sabotime” të vogla të aktiviteteve të Ballit Kombëtar në rrethe. Që prej viti 1994 e deri në vitin 1998 tensionet mes Ballit dhe PD-së ishin diçka normale. Por ngjarjet kulmuan në viti 1998 në kongresin e dytë të Ballit në Shqipëri. Përballë tij kandidoi edhe Hysen Selfo, nënkryetari i Ballit Kombëtar dhe drejtues i fraksionit të përkrahur fuqishëm nga PD-ja. Një moment shumë domethënës i Kongresit ishte edhe ardhja si i ftuar e z. Sali Berisha, i cili sigurisht synonte të inkurajonte përkrahësit e tij dhe fraksionin pro-PD. Si përfundim votimi nxori fitues Abas Ermenjin dhe kongresi e shpalli kryetar të Ballit Kombëtar për në mandat tjetër. Një muaj më pas Hysen Selfo shpalli krijimin e Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, e cila siç e tregon edhe vetë emri ishte shumë pranë Partisë Demokratike.
Skenarizimi
Shpesh herë Berisha e ka ushtruar influencën e vetë në partitë e tjera “pas kuintave”, por në vitin 2008, në rolin e kreut të qeverisë së shqiptarëve, Berisha i ofroi në media gjithë shqiptarëve një shfaqje ku ai shprehu hapur influencën dhe qëllimet që kishte ndaj demokristianëve të drejtuar nga Nard Ndoka. Gjatë një mbledhje qeveria Ndoka replikonte ashpër me Anton Gurakuqin, një tjetër funksionar i Partisë Demokristiane i mbështetur në mënyrë demostrative nga kryeministri Berisha, i cili shijonte shfaqjen duke buzëqeshur. Demokristianët ishin e vetmja parti parlamentare e djathtë që nuk ishte rreshtuar me sy mbyllur nën urdhrat e Berishës dhe kryeministri duket sikur vendosi të tregonte publikisht se çfarë ishte në gjendje tu bënte të pabindurve. Historia e konflikteve në PDK degjeneroi deri dhe në akuza për vjedhje të vulës apo logos së partisë dhe çështja shkoi në gjykatë dhe Gurakuqit nuk iu njohën të drejtat që pretendonte mbi këtë parti. Por për Berishën kryeministër, me një eksperiencë mbizotëruese në të djathtën shqiptare, nuk ishte më problem përçarja e forcave të djathta, pasi kryeministri kishte nisur të influenconte fortë edhe në radhët e së majtës.
Majtas
Siparin e influencës së Berishës në të majtën shqiptare duket se e simbolizon Lufter Xhuveli, i cili kaloi në kabinetin e kryeministrit Berisha pasi kishte marrë votat e shqiptarëve nën siglën elektorale të koalicionit të PS-së në vitin 2005. Por më e papritura ndodhi në vitin 2007, më ekzaktësisht në janar të këtij viti, ku kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp me deputetin Fatos Nano duke sfiduar hapur institucionet zyrtare dhe legjitime të Partisë Socialiste. Zyrtarisht kjo dalje u justifikua me “ndihmesën dhe thirrjen që po jepnin dy politikanë me eksperiencë nga ngërçi elektoral i zgjedhjeve lokale të vitit 2007”. Por pak kush besoi asokohe se kjo dalje kishte ndonjë qëllim mirëfilli elektoral, pasi Berisha kishte vetë emëruar shefin e opozitës dhe kishte thirrur ish kryetarin e PS-së dhe jo kryetarin e saj. Kjo influencë e Berishës majtas, u kristalizua dhe në mandate deputetësh, sidomos gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës Bamir Topi , ku gjashtë deputetë socialistë, të cilët njiheshin si “Nanoistë”, thyen vendimin e kryesisë së PS-së së drejtuar nga Edi Rama dhe votuan për President, një kandidaturë ekskluzive të Berishës, nënkryetarin e tij në PD.
Tendenca
Kryeministri nuk është ndalur për asnjë moment në tentativat për ndikim majtas. Edhe në zgjedhjet e fundit, të zhvilluara më 28 qershor, strategjia e Berishës u ndje më shumë se kurrë në qëndrimin e dyzuar të PBDNJ-së. Menjëherë pas vendimit të PBDNJ—së për daljen nga qeveria dhe futjen në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në koalicion me të majtën, në strukturat e PBDNJ-së filluan edhe përçarjet e para. Anëtarët e kësaj partie, Spiro Ksera dhe Kosta Barka, dolën kundër vendimit të PBDNJ-së për një koalicion me opozitën duke kërkuar nga PD-ja që të jenë pjesë e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, njëkohësisht kryetari i degës së PBDNJ-së dhe i OMONIA-s për Gjirokastrën, e quajti absurde koalicionin që PBDNJ-ja do të bëjë me PS-në. Sipas tij, PBDNJ-ja mund të kandidonte e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Ksera ka dhënë dorëheqjen edhe nga kandidimi për deputet të PBDNJ-së në qarkun e Gjirokastrës, ku ka qenë i pari në listë. Ndërsa anëtari tjetër i PBDNJ-së, Kosta Barka, deklaroi se për kalimin e PBDNJ-së majtas nuk ka vendim kryesie dhe se u shpërfill dhe vendimi i OMONIA-s. Kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e ka akuzuar kryeministrin Berisha për prapaskena politike. Dule shprehet se Berisha po tenton të përçajë PBDNJ-në. Por kryeministri duket se nuk i dëgjon fare këto akuza, ai sot ka mundur sërish të mbijetojë dhe të lidhë koalicion me LSI-në, sidomos falë përçarjes që ekziston mes PS-së dhe LSI-së, ndërsa çdo ditë e më shumë Berisha shton vëmendjen edhe mbi fatin e lidershipit socialist të mbetur në opozitë.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›