E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e Ramës rikthen Partinë e Punës

06-11-2011 / Redaksionale

Lajmi i fundit: rikthehet Partia e Punës. Heroi i punës socialiste, Edi Rama premtoi se kur PS-ja do të vijë me pushtet 300 mijë shqiptarë do të gjejnë jo vetëm punë. Ndoshta do të hanë me lugë floriri. Gjatë Asamblesë Socialiste së ditës së djeshme, kreu i PS-së premtoi dy vjet përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013, se nëse vjen në pushtet, do të bëjë mrekullia të papara. Një “demiurg” që do të shërojë të gjitha plagët me një ilaç popullor të quajtur program i “rilindjes shqiptare”. Mirëpo ka diçka që nuk shkon. Ai flet, premton dhe propozon sikur të ishte një kandidati për kryeministër i panjohur, sikur të ishte i përzgjedhuri i Hyjit, sikur të ishte një njeri jashtë sistemit politik. Edi Rama ishte kandidat për kryeministër në 2009, por humbi.
Ne e njohim fort mirë Ramën dhe e kemi parë aftësinë e tij për të keq-qeverisur të mirën publike. A nuk ishte Edi Rama që drejtoi për 11 vjet bashkinë e Tiranës për ta kthyer atë më të pabanueshme seç ishte 11 vjet më parë? Berisha fitoi bindshëm kundër Ramës në 2009. Sikurse Basha fitoi kundër Ramës në Tiranë, me 8 maj, duke premtuar, midis të tjerash, hapjen e 30 mijë vendeve të punës në katër vjet, çka sinjalizonte se Rama Kryebashkiak kurrë nuk ka pasur një politikë punësimi në filozofinë e tij të drejtimit. Nëse mbani mend gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale Programi politik i kreut të PS dhe opozitës parashikonte hapjen e 200 mijë vendeve të punës deri në 2020?!! Dhe kur dëgjon se do të hapë 300 mijë vende pune habia të pushton. Me një llaf, 7 muaj më parë Rama premtonte 200 mijë vende pune me afat vitin 2020, kurse sot Edvini premton 300 mijë vende pune në  4 vite.
Kuptohet vetiu premtimi sa populist aq dhe demagogjik i Ramës me hapjen e 300 mijë vendeve të punës thekson më shumë ndarjen e tij nga realiteti ekonomik dhe shoqëror i vendit. Afërmendsh në një ekonomi 90 për qind të privatizuar, e vetmja mundësi reale për të shtuar punësimin është nxitja dhe stimulimi i sektorit privat. Sikurse mbështetja e gjithanshme e saj, sidomos me kredi. Nxitja e bankave tregtare për të shtuar kreditin, huadhënien në kushtet e një rënieje konsumi dhe pasigurie të lartë. Kurse Rama na propozon një taksim progresiv, cka kundërshton stimulimin e sektorit privat.
Para pak ditësh Rexhep Meidani, pa iu dridhur qerpiku dhe pa qime në gjuhë, u shpreh se premtimi i kreut të PS-së për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës është thjeshtë një mashtrim. Analiza e Prof. Medianit ishte serioze dhe objektive: duke përllogaritur me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani thotë se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një nivel të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Sipas Meidanit, ky premtim ka ardhur pa asnjë studim shkencor apo/dhe prognozë serioze specialistësh të fushës makroekonomike. Ndërkaq janë këto kundërthënie të bëjnë të kuptosh që premtimet janë veçse premtime për të gjetur vota, për të mbushur hendekun prej 142 mijë votash që ndan koalicionin qeverisës nga koalicioni i opozitës. Hendeku është tepër i madh duke pasur parasysh që Rama e ka ndërtuar profilin e tij politik mbi autoritarizmin personal dhe nuk mund të mendohet se do të ndryshojë ndonjëherë për hir të ruajtjes se postit të tij në krye të PS-së; afërmendsh duke qenë autoritar vetiu e ka të vështirë të bashkëpunojë, gjë që e çon në përqendrim pushteti, injorim forumesh, të pakënaqur, konflikte të brendshme, e përjashtime dhe rrjedhje nga PS-ja. Sido që të jetë kjo forcë politike, me Ramën në krye do të jetë në një dobësim të vazhdueshëm. Përkundër me të gjitha vështirësitë që sjell recesioni global i ekonomisë botërore, qeveria Berisha, sipas programit të saj dhe reformave të ndërmarra, pothuajse, e ka kompletuar në prag të 100 vjetorit të Shtetin Shqiptar,  me infrastrukturë strukturore, si rrugë, telekomunikacione, internet në shkolla, energji të rinovueshme, ujë të pijshëm, përmirësim dhe forcim të institucioneve Kushtetuese, klimë miqësore me biznesin, taksa të ulta, gjë që ka krijuar mundësinë për një zhvillim me ritme të larta. Afërmendsh punësimi i popullsisë vetiu është një ndër prioriteteve të çdo qeverie.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›