E Diel, 1 Nëntor 2026

Asetet publike, skema e re favorizon ish-pronarët



Erald Kapri

Subjektet e shpronësuara do të kenë mundësi të kompensohen financiarisht me para në dorë për pronat e tyre. Ish pronarët e trojeve, ku në to ndodhen objekte dhe asete publike, kanë të drejtën e parablerjes së tyre dhe nëse nuk e blejnë objektin, e gjitha vlera e tokës do i kalojë drejtpërdrejt pas shitjes në ankand të objektit. Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim të ri për procedurat e privatizimit të pasurisë shtetërore. Sipas këtij vendimi, asetet shtetërore do t'i nënshtrohen ankandeve sipas një procedure të përcaktuar. Por fillimisht, nëse ish pronari i tokës, i cili konfirmohet me dokumente nga Agjencia e Pronave, nëse posedon më shumë se 70 për qind të truallit ku ndodhet objekti që do privatizohet, ka të drejtën e parablerjes. Nëse ai vendos ta parablejë, duhet të ngurtësojë një vlerë prej 20 për qind të objektit në bankë, ndërsa pjesën tjetër ai mund ta paguajë në bono privatizimi, pra 80 për qind të vlerës. Në këtë mënyrë, ish pronari përfiton truallin e tij që nuk e ka marrë ende por edhe objektin me 80 për qind me bono privatizimi. "Ish-pronarët e truallit, të cilët janë shpallur fitues me të drejtën e parablerjes për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit, për kalim pronësie nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, janë të detyruar të bëjnë pagesën e vlerës së mbetur të objektit, me letra me vlerë dhe bono privatizimi", thuhet në vendim. Nëse ish pronari i thotë jo parablerjes, atëherë objekti hidhet në ankand dhe pas shitjes së tij, paratë e truallit sipas vlerës së tregut do i kalojnë ish pronarit të truallit. "Nëse edhe në këtë afat të dytë pronari nuk paraqitet, atëherë kryhet shitja e objektit dhe e truallit me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës, i shkon drejtpërdrejt pronarit për kompensim financiar", përcakton vendimi i djeshëm i Qeverisë. Nga ana tjetër, atje ku nuk ka ish pronarë tokash, paratë e truallit do t'i kalojnë të gjitha AKKP-së, e cila mund t'i përdorë për kompensim financiar. "Për shitjen e truallit, 100 % e vlerës së shitjes kalon për efekt të fondit të kompensimit financiar, për subjektet e shpronësuara, përveç rasteve kur është i identifikuar ish-pronari i truallit", thuhet në vendim. Më tej vendimi specifikon të gjithë procedurën. Ish pronarët duhet të sigurojnë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave një dokumentacion të që vërtetojë pronësinë e tokës së tyre, si dhe dosjen që u njihet për kompensim. Nga ana tjetër, subjektet private që kërkojnë të blejnë këto pasuri publike, duhet fillimisht të ngurtësojnë në bankë 20 për qind të vlerës fillestare të pasurisë, pasi është vlerësuar e më pas mund të marrin pjesë në ankand të hapur.

Procedurat e privatizimit të pasurisë shtetërore

• Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut
• Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat dhe ndërtimet, linjat e prodhimit dhe të shërbimit duhet të jetë jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) ditë nga data e daljes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga titullari, ndërsa për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit etj, afati duhet të jetë jo më shumë se 20 (njëzet) ditë, nga data e daljes së këtij urdhri.
• Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, shitja bëhet pa ankand dhe subjektet e shpronësuara të truallit, në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare.
• Në rastet kur subjektet e shpronësuara të truallit, pas afishimit të njoftimit sipas shkronjës "a", të kësaj pike, nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, nuk kanë paraqitur dokumentet e pronësisë, deri në afatin e përcaktuar në njoftim, bëhet një njoftim i dytë, në dy gazeta me qarkullim kombëtar, duke i përcaktuar një afat të ri, prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga data e njoftimit të parë. Nëse edhe në këtë afat të dytë pronari nuk paraqitet, atëherë kryhet shitja e objektit dhe e truallit me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës, i shkon drejtpërdrejt pronarit për kompensim financiar.
• Në rastet kur konfirmohet se objekti, që privatizohet, nuk ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, si dhe për rastet kur AKKP-ja nuk është në gjendje të konfirmojë pronësinë e truallit për objektin që privatizohet, ai i nënshtrohet ankandit, sipas procedurave të këtij vendimi.
• Në ankandet për shitjen e pasurive të shoqërive në likuidim e sipër, nuk zbatohet e drejta e parablerjes për ish-pronarët e truallit. Ata marrin pjesë në ankand si të gjithë të tjerët. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur apo e kthyer, me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit, miratuar nga Këshilli i Ministrave.
• Subjekti i shpronësuar i truallit, së bashku me kërkesën për blerjen e ndërmarrjes ose të objektit, që shtrihet në truallin, ish-pronë të tij, duhet të paraqesë në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim për blerjen e objektit të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave;
b) Garancinë bankare (apo mandatpagesën), që vërteton ngurtësimin e 20 për qind të vlerës fillestare në lekë, vetëm për objektin, për llogari të Ministrisë së Financave, detyrimisht, brenda afatit të pranimit të kërkesave.
c) Vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku përcaktohet se ai është subjekt pronar i tokës.
ç) Dëshminë e trashëgimisë, prokurë përfaqësimi etj, nëse ka të tilla.
• Kur sipërfaqja e tokës, pronë e subjektit të shpronësuar, shtrihet në mbi 70 % të sipërfaqes së truallit nën objekt, për objektin, që privatizohet, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin, nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë. Në të kundërt, pavarësisht se njëri nga ish - pronarët apo bashkëpronarët e plotësojnë kushtin e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet vetëm në bashkëpronësi, me marrëveshje të dokumentuar.
• Nëse nuk arrihet marrëveshje e dokumentuar ndërmjet bashkëpronarëve brenda një afati 30 - ditor të publikimit me afishe, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen financiarisht sipas vlerës së truallit të vlerësuar sipas hartës së vlerës.
• Në rastet e shpalljes fitues të ankandit, që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit, në pagesën e vlerës së truallit zbritet vlera e truallit, që i përket pjesës së tij, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit.
• Ish-pronarët e truallit, të cilët janë shpallur fitues me të drejtën e parablerjes për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit për kalim pronësie nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, janë të detyruar të bëjnë pagesën e vlerës së mbetur të objektit, me letra me vlerë dhe bono privatizimi.
• Për shitjen e truallit, 100 % e vlerës së shitjes kalon për efekt të fondit të kompensimit financiar, për subjektet e shpronësuara, përveç rasteve, kur është i identifikuar ish-pronari i truallit.
• Nëse ish-pronari i truallit, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nuk paguan brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit pjesën e mbetur të çmimit, atëherë pagesa 20%, e ngurtësuar për pjesëmarrje në blerje, i konfiskohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›