E Diel, 1 Nëntor 2026

Basesku: Arumunët të jenë minoritet si shqiptarët në Rumani



Presidenti i Rumanisë, Traian Basesku tha dje se komuniteti arumun duhet të shpallet minoritet kombëtar, njësoj si minoriteti shqiptar në Bukuresht. Këtë deklaratë kreu i shtetit rumun e bëri dje në një intervistë për "Studio e hapur" të gazetares Eni Vasili. Sipas tij "komuniteti shqiptar gëzon respekt të veçantë në Rumani. Ky komunitet ka një kontribut të fuqishëm në jetën politike dhe ekonomike të vendit tonë. Do të doja të nënvizoja faktin se në bazë të Kushtetutës, komuniteti shqiptar në Rumani, është i njohur si një minoritet kombëtar, krahas 17 minoriteteve të tjera. Ky minoritet është i përfaqësuar në Parlamentin tonë. Aktualisht përfaqësuesja e komunitet shqiptar në Parlament mbështet Qeverinë dhe është pjesë aktive në vendimet e marra nga Qeveria. Në Rumani komuniteti shqiptar gëzon mbështetjen e shtetit në drejtim të ruajtjes së gjuhës, të financimit të organeve të shtypit në gjuhën shqipe, veprimtarive të ndryshme kulturore", tha Basesku. Sipas tij "në të gjitha takimet me autoritetet shqiptare parashtrova lutjen që edhe komuniteti arumun në Shqipëri, të njihet si minoritet kombëtar. U nisa nga një premisë se arumunët që aktualisht jetojnë në Shqipëri janë qytetarë të besueshëm këtu". Kreu i shtetit rumun i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të zgjidhë krizën, pasi vendi mund të penalizohet në marrjen e statusit kandidat dhe heqjen e vizave. "Interesi kombëtar i Shqipërisë momentalisht është liberalizimi i vizave dhe aderimi në BE. Unë nuk kam ardhur këtu t'ju jap mësime politikanëve shqiptarë, pasi jam mik i tyre. Por në një moment të vështirë për Bashkimin Europian, kur shumë vende janë për ndalimin e zgjerimit të Bashkimit Europian, Shqipëria mund të humbasë një moment shumë të rëndësishëm, siç është viti 2010", tha Presidenti i Rumanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›