“Yjet” që mundën të shkëlqenin vetëm në Botëror
Leonard Karaj
Mund të quhen pa frikë “meteorët e botërorëve”. Kjo sepse kanë shpërthyer me lojën e tyre në vetëm një Kupë Bote të caktuar dhe për pas...thjesht janë zhdukur pa lënë gjurmë. Duke filluar që nga Pol Gaskione e te Salvatore Skilaçi bota e futbollit është magjepsur pas tyre, por në të njëjtën kohë nuk i është dashur shumë kohë për t’i harruar thuajse totalisht.Prestigjiozja “Sports Illustrated” ka përzgjedhur 10 lojtarët që patën bërë bujë në Botëror por jo edhe aq më pas, kur u kthyen tek klubet e tyre. është “Italia 1990” dhe një sulmues me emrin Toto Skilaçi grumbullohet nga trajneri i Italisë si zëvendësuesi i Xhianluka Vialit. Ka luajtur vetëm një ndeshje me kombëtaren duke shënuar një gol por grumbullimin e fiton në saj të një sezoni të mirë në Serie A ku siglon 15 gola. Në Botëror luan si zëvendësues por hyn ai dhe shënohen gola, aq sa dyshja titullare Viali-Karnevale shumohet totalisht. Mirëpo me mbarimin e Botërorit i vjen fundi edhe famës së Skilaçit. Shkon në Japoni për ca para më shumë dhe në moshë 30-vjeçare largohet fare nga futbolli.
Podiumi
Në një podium me Skilaçin janë edhe Zhozimar, ylli i Brazilit 1986 dhe Gaskoin, mesfushori energjik i Anglisë më 1990. Braziliani u mbajt mend për golin spektakolar nga 25 metra ndaj Polonisë dhe një loje mjaft voluminoze në takimet e tjera të Seleçaos. Por pas Botërorit u zhduk totalisht sikur të mos kishte ekzistuar fare. Pak a shumë e njëjta histori edhe për gaskoin, por jeta e këtij të fundit ka qenë edhe më pak sekrete dhe e bujshme edhe pse larg fushave të lojës për shkak të popullaritetit më të madh në Angli. Pas Kupës së Botës 1990 përfundoi si një drogaxhi e i alkoolizuar.
Të tjerët
Në vendin e katërt është Gerri Armstrong, i cili udhëhoqi Irlandën e Veriut me golat e tij në 1982-in deri në 1/8 finale por pas Botërorit nuk pati më sukses. Në vend të pestë është rusi rekordmen, Oleg Salenko, i cili shënoi 6 gola në Botërorin e 94-ës, 5 nga të cilët në një ndeshje të vetme atë ndaj Kamerunit 6-1, për rusët. Por vetëm kaq. Këtu përfundon gjithçka. I gjashti në renditje është Xhoe Gaetjens, i cili shënoi golin e fitores së SHBA-ve më 1950 ndaj Anglisë. Por një vit më vonë u vra me armë zjarri në Haiti nga policia sekrete e presidentit haitian Papa Dok Duvalier.
Ruben Moran debutoi me Uruguajn më 1950-ën dhe i dha fitoren dhe Kupën e Botës skuadrës së tij në finale ndaj Brazilit. Por pas asaj me Uruguajn ai luajti vetëm një ndeshje tjetër dhe e la aty futbollin. Turku Ilhan Mansiz, me 4 golat e tij i dha një tjetër shkëlqim skuadrës së Fatih Terim më 2002-in në Kore e Japoni. Por më pas dëmtime të shumta e detyruan të linte futbollin. Mbyllin top-10 braziliani, Viola (1994) dhe mbrojtësi holandez, Ernie Brandts (1978) që të dy protagonistë me kombëtaret e tyre vetëm në këto botërore.