E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pistoletë, pas koke reporterit



Tre gazetarë dhe një fotoreporter, të cilët ishin dërguar për të raportuar mbi Kupën e Botës, janë grabitur në hotelin e tyre në Afrikën e Jugut.
Fotografi portugez Antonio Simones është zgjuar nën kërcënimin e armëve ku për rreth 30 minuta është detyruar të qëndrojë shtrirë dhe pa folur ndërkohë që 2 grabitësit e tjerë kanë vjedhur pajisjet e kamerave me një vlerë afro 32.000 euro. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës ndërkohë që pas largimit edhe dy kolegët e tij, të cilët flinin në dhomat e tjera kanë konstatuar mungesën e aparaturave. “Imagjinoni dikë që të kërcënon me armën në kokë dhe të thotë rri shtrirë dhe mos fol nëse nuk do të vdesësh. Për të ka qenë një tmerr i vërtetë ajo që ka kaluar” është shprehur gazetari tjetër i dhomës, spanjolli Migel Serrano. Sipas tij vetëm pas kalimit të 90 minutave nga largimi i hajdutëve, Simones ka marrë guximin të çohet dhe të lajmërojë shokët e tjerë të apartamentit. Sipas policisë lokale po hetohet intensivisht për zbulimin e grabitësve dhe me gjithë se ka dyshime, për efekt të hetimeve nuk mund të konfirmohen emrat. Ngjarja ka ndodhur 18 km larg bazës stërvitore të Kombëtares portugeze, mbulimi i të cilës ishte dhe detyra e tre gazetarëve. “Jemi të shqetësuar për atë çfarë mund të ndodhë me gazetarët tanë në Afrikën e Jugut. Policia afrikane duhet të marrë masat përkatëse jo vetëm për zbulimin e autorëve, por edhe për mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, është shprehur në një komunikatë për shtyp Shoqata e Gazetarëve Portugezë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›