E Diel, 1 Nëntor 2026

Asetetet ne shitje Berisha Finalizim i privatizimeve

Brenda gjashtë-mujorit të dytë të këtij viti, qeveria do të privatizojë të gjitha asetet shtetërore me përjashtim të shkollave, spitaleve, parqeve publike dhe digave. Duke iu referuar 1280 objekteve shtetërore që aktualisht janë në proces privatizimi, kryeministri Sali Berisha informoi opinionin publik se do të jenë pronarët aktualë të këtyre objekteve që do të kenë të drejtën e parablerjes.

"Ajo çfarë ka mbetur në aksionet apo dhe asetet e ndërmarrjeve të mëdha tashmë të privatizuara duhet të shitet. Jam në dijeni se ministria e ekonomisë ka kontratuar shumë muaj më parë konsulencën më të mirë botërore siç është IFC, UNICREDIT dhe firma apo kompani, banka të një reputacioni evropian botëror. Janë pastaj dhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte në rastet kur ato kanë pronar, pronarit do ti respektohet tërësisht e drejta e parablerjes"-tha Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha, nga ky proces privatizimi, taksat e biznesmenëve nuk do të shkojnë më për rrogat, por për ndërtimin e rrugëve dhe shkollave. Përpos kësaj, kreu i qeverisë kërkoi nga ministri Punëve Publike, për të kontraktuar kompani të mëdha për mirëmbajtjen e rrugës së kombit.  Sipas kryeministrit, edhe në vende të tjera, janë kompanitë private ato që marrin përsipër mirëmbajtjen e rrugëve.

"Zoti Ministër i punëve publike, në 4 vjeçarin që shkoi u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë  e këtij vendi. Ne  e ndërtuam atë, por atë e ndërtoi Bechtel, Enka. Ky vend nuk ka kapacitete  publike për mirëmbajtjen  e tij. Unë e di se ju keni kontratuar dhe ministria juaj po punon me IFC, për ta dhënë për menaxhim sa më shpejt. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë"-tha kryeministri.

Shefi i qeverisë kërkoi gjithashtu edhe përshpejtimin e të gjitha procedurave për dhënien e tokës në përdorim nga komunat.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›