E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia per 8 Majin. Arvizu Sequi e Wollfarth tek presidenti

 Ambasadorët Arvizu, Wollfart dhe Sequi i janë rikthyer për të dytën herë brenda javës zyrës së presidentit ku kanë qendruar për mbi 45 minuta. Tashmë kur Topi i ka kaluar Kolegjit Zgjedhor, treshja diplomatike dhe kreu i shtetit nuk kanë ngurruar t’i kërkojnë tetëshes së gjyqatarëve paanësi dhe zbatim rigoroz të ligjit. Pa një verdikt të prerë të Gjykatës së Zgjedhjeve sipas tyre 8 maji nuk ka një fitues. (update)
“Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit! Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike” tha  pas takimit zëdhënësja e presidentit Moza Koçiu.
Diplomatët kanë theksuar domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit zgjedhor sipas ligjeve në fuqi . 

“Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar” tha Koçiu.

Shqetësuese presidenti ka parë dhe deklarat e fundit të zyrtarëve europianë mbi zgjedhjet në Shqipëri. Treshja e ambasadorëve vizitoi të shtunën presidencën pak ditë para se KQZ të shpallte fituesin e Tiranës, ku kërkoi zbatim rigoroz të ligjit. Tashmë në pritje të shqyrtimit të çështjes në kolegj, apeli i tyre mbetet sërish i njejtë.

Elona Gjylmi

Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 25 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›