Vjedhin kasafortën me 12 mln lekë, nuk e hapin dot
Arritën të vidhnin një kasafortë me 12 milionë lekë brenda, por nuk mundën ta mbanin. Kur kanë vënë re se policia ishte vënë në ndjekje të tyre, vjedhësit e kanë braktisur “të shtrenjtin mall” të vjedhur dhe janë tashmë nën kërkim policor. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, në lagjen “Karbunarë e Madhe” të qytetit të Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, rreth orës 22:30 të së enjtes është njoftuar vjedhja e banesës së Arben Marës. Ky i fundit dhe familjarët kanë qenë në një lokal në periferi të qytetit për të darkuar dhe kur janë kthyer në shtëpi, kanë konstatuar vjedhjen. Menjëherë Mara ka njoftuar sallën e operative të policisë. Me marrjen e njoftimit, strukturat e seksionit të policisë kriminale shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, sipas policisë, rezultoi se gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur asnjë njeri, persona të paidentifikuar kanë thyer xhamin e dritares dhe kanë hyrë brenda. Nga gjurmët e gjetura në shtëpi është konstatuar se autorët nuk kanë lëvizur shumë nëpër dhomat e saj, por menjëherë i janë drejtuar ambientit ku Mara mbante kasafortën me sendet e shtrenjta dhe paratë. Në pamundësi për ta hapur, vjedhësit e kanë marrë kasafortën me vete dhe janë larguar. Burimet e policisë lokale pohojnë për “Shqip” se i dëmtuari ka thënë se brenda kasafortës kishte një shumë prej 12 milionë lekësh të reja. Menjëherë strukturat e policisë kriminale kanë organizuar punën hetimore në shërbim të së cilës është vënë edhe një qen policie. Qeni ka nuhatur rrugën e ndjekur nga autorët dhe në orët e para të mëngjesit ka orientuar grupin e hetimit drejt autorëve. Zyrtarisht drejtues të komisariatit pohojnë se rreth orës 03:00 të mëngjesit të së premtes qeni ka çuar policinë në afërsi të vendit të quajtur “Gurorja”, rreth 1 kilometër larg banesës së vjedhur. Atje policia, në një kanal ka gjetur kasafortën e pahapur. Autorët ishin përpjekur ta hapnin kasafortën, por nuk kishin mundur dhe nga frika e ndjekjes e kanë braktisur. Pas gjetjes nga policia është verifikuar se brenda saj ishte edhe shuma e lekëve që kishte deklaruar Arben Mara. Këtij të fundit i është kthyer shuma e parave, ndërkohë që kasaforta është mbajtur si provë materiale, pasi në të janë gjetur gjurmët e autorëve. Policia lokale pohon se po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dyshohet se këta kanë qenë tre, pasi tre gjurmë të ndryshme janë gjetur në shtëpi dhe në kasafortë.
#