Berisha: “Kutitë nuk i hap, presioni protestave, i papërfillshëm”
Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për Top Channel, tregon qëndrimin që ai do të mbajë si lider i maxhorancës në tryezën e Presidentit. Berisha shprehet se është gati të plotësojë çdo pikë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por, sipas tij, Rezoluta nuk përfshin hetimin e zgjedhjeve me hapjen e kutive. Për Berishën hapja e kutive është e pamundur dhe jashtë çdo diskutimi për shkak të vendimit të gjykatës. “Garantoj se atë rezolutë qeveria është e gatshme ta zbatojë. Ashtu siç është ajo, pa asnjë hezitim. Rezoluta është një mesazh i qartë. Çështja nuk trajtohet hapen apo s’hapen kutitë, por që vendimet e gjykatave nuk mund të përdoren politikisht”, - ka pohuar Berisha. Duke konfirmuar qëndrimin e tij se kutitë nuk hapen, kryeministri u ka dhënë dritën jeshile protestave të opozitës, duke theksuar se presioni në këtë formë është i papërfillshëm. “Protestat janë mjeti i vetëm që nuk më bën absolutisht presion. Megjithatë, jam thellësisht i interesuar që t’i shoh deputetët e PS-së në Parlament”, - ka shtuar Berisha.
5 Shkurt 2010