E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashpërsohet gara në PD-së. Fillon sfida për kryetarët e degëve

Fenomeni "Mustafaj" krijon një reaksion zinxhir brenda selisë blu, ku demokratët e pakënaqur nga pushteti kanë nxjerrë hapur kandidaturat e tyre për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike.

Postet e kryetarëve të degëve në 12 qytetet më të mëdha të vendit dhe postet në sekretariate kanë ndezur debatin mes anëtarëve të vjetër të PD-së dhe atyre të rinjve. Pjesë e këtij debati janë bërë emra të rëndësishëm të Partisë Demokratike, ku përmendim Besnik Mustafajn, që kërkon drejtimin e partisë në kryeqytet, Arben Imamin, që sfidon hapur sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Boden, por edhe emra të tjerë, që kërkojnë drejtimin e PD në rrethe, duke bërë një ‘marrëveshje‘ me statusin e selisë blu dhe jo me kryetarin e PD-së. Gara për kreun e PD-së në rrethe ka kaluar të gjitha caqet e sfidës brenda partisë. Kryetari aktual i Partisë Demokratike në Vlorë, Agron Sharra, i cili gëzon mbështetjen e militantëve demokratë në këtë qytet, por edhe mbështetjen e deputetit Bujar Leskaj, do të vendoset përballë një kandidature të vetëshpallur, si ajo e deputetit Adrian Kollozi. Pas Mustafajt është Kollozi, ai që, në respekt të statutit të partisë, ka filluar lobingun për të qenë kryetar i degës së PD-së në Vlorë. Duket se vetëshpallja për kreun e degës së Partisë Demokratike në Tiranë nga ana e Besnik Mustafajt ka sjell një reaksion zinxhir edhe për degët në rrethe, të cilat kanë nisur përzgjedhjen për kandidatët që do të drejtojnë PD-në në 12 qarqet e vendit.

Deputetët në bazë

Shmangia e surprizave të padëshirueshme kanë zbritur në bazë deputetët e PD-së. Kryesia e Partisë Demokratike ka përcaktuar grupin e punës, që do të menaxhojë fushatën në 12 qarqet e vendit. 12 deputetët e PD-së do të marrin përsipër të gjitha përgjegjësitë e fushatës për zgjedhjet brenda PD-së, por edhe për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009-të. Tirana do të jetë nën vëzhgimin e Lulzim Bashës dhe Edi Palokës. Durrësi është nën vëzhgimin e Gazmend Oketës dhe Arqile Goresë. Ndërsa për Shkodrën dhe Korçën do të ngelen të pandryshueshëm personat që menaxhojnë PD në këto dy qarqe. Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode do të vazhdojnë të rrisin pozitën e tyre në PD, duke shkuar në zonat përkatëse të influencës për të shmangur edhe surprizat e padëshirueshme, të cilat në Shkodër janë shtuar shumë kohët e fundit. Konflikti i hapur i Topallit me një deputet të Shkodrës, por edhe përplasja me një ish-ministër të kabinetit "Berisha", duket se ka turbulluar ujërat në zonën e influencës së Kryetares së Parlamentit. Qytetet e mëdha, nga ku synohen edhe votat më të shumta për të pasur sa më shumë përfaqësues në Kuvend, janë në qendër të vëmendjes së strukturës së lartë drejtuese të selisë blu. Përzgjedhja e kryetarëve të degëve duhet të ketë edhe mbështetjen e Kryeministrit Berisha për të dalë fitues në fund të kësaj beteje, që do të zhvillohet në ditët e para të vitit që vjen. Në bazë të statutit të PD-së, cilido kandidat ka të drejtë të kandidojë në rast se gëzon mbështetjen e kryesisë dhe të këshillit kombëtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›