E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbledh prefektët për verifikimin e tapive

Nis puna për verifikimin e të gjitha tapive që janë dhënë sipas ligjit 7501. Shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka ftuar në Kryeministri të gjithë prefektët e të gjitha qarqeve të vendit për t‘u komunikuar këtyre të fundit kriteret dhe angazhimet që ata do të kenë sipas ligjit të ri për titujt e pronësisë. Në bazë të vendimit të qeverisë, më 1 tetor ka hyrë në fuqi ligji për verifikimin e tapive të shpërndara deri tani. Janë gjithsej 460 mijë tituj pronash të ndarë dhe qeveria, s`ka ende të dhëna për numrin e ankesave. Në mbledhjen e qeverisë, është përcaktuar mënyra e funksionimit dhe detyrat e përgjegjshmëritë e strukturave shtetërore për verifikimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Qeveria ka miratuar ngritjen e komisionit qeveritar për tokën që ka filluar nga puna në datën 1 tetor. Ky komision do të drejtohet nga zv/kryeministri Genc Pollo dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana. Sekretariatet teknike janë të përbëra nga 5 veta dhe komisioni drejtohet nga 3-7 persona në të gjitha prefekturat. E gjithë struktura përbëhet nga 65 veta dhe ky ekip pune do të verifikojë titujt e pronësisë aty ku ka ankesa.

Titujt e pronësisë

Qeveria ka vendosur që ligji 7501 të mos abrogohet. Detyra e parë e Genc Pollos, si zv/kryeministër, është të drejtojë komisionin e posaçëm për verifikimin e titujve të pronësisë.

Me anë të këtij vendimi, qeveria synon të evidentojë sipërfaqet e shitura me korrupsion ,apo të pushtuara me dhunë nga zyrtarë vendorë a qendrorë. Këto sipërfaqe do të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës për t`iu kthyer më pas pronarëve dhe për ta shtyrë përpara këtë proces. Plani i qeverisë është që sipërfaqet, e pushtuara padrejtësisht, duhet të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës, për t‘ju kthyer pronarëve dhe për ta shtyrë përpara këtë proces. Kryeministri Berisha nënvizoi se është e rëndësishme që të gjithë ata që e kanë marrë tokën në mënyrë të pamerituar ta dorëzojnë atë, brenda një periudhe kohe të përcaktuar, në të kundërt duhet të veprojnë fuqishëm të gjitha prerogativat penale, jo me synim ndëshkimin, por rivendosjen e së drejtës. Pra, të gjithë fermerët që kanë marrë tokë sipas ligjit 7501 do të verifikohen nga komisioni i posaçëm, i drejtuar nga Genc Pollo.

Tapitë

Procesi i shpërndarjes së tapive ishte programuar të fillonte në javën e parë të shtatorit. përplasjet që kanë ndodhur me ligjin e legalizimeve dhe atë të pronave kanë çuar drejt ‘ngrirjes‘ së shpërndarjes së tapive përreth 200 mijë familje. Këshilli i Ministrave ende nuk ka marrë vendimin për kthimin dhe kompensimin e pronarëve, në trojet e të cilëve është ndërtuar objekti pa leje, edhe pse ALUIZNI i ka tashmë të identifikuar të gjitha dokumentet. Vonesa për shpërndarjen e titujve të pronësisë për ndërtimet pa leje që janë njohur nga ALUIZNI përkon në një periudhë kur qeveria ka nisur fushatën elektorale. Pra, miratimi i tyre dy muaj nga data e votimit për zgjedhjet parlamentare do t‘i jepte një shans të madh qeverisë, në një kohë kur bëhet fjalë përreth 200 mijë familje në të gjithë vendin. Në tre vjet, qeveria e djathtë nuk po mundet t‘i japë zgjidhje çështjes së legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke u mjaftuar vetëm me identifikimin e zonave informale dhe mbledhjen e dokumenteve, të cilat aktualisht ndodhen në zyrat e ALUIZNI-t.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›