E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk e arkivojmë ligjin e spiunëve. Do ta kalojmë me votat tona"

Relatori i projektligjit "Për pastërtinë e figurave", Aldo Bumçi, gjatë një interviste për "Shqip" tregon pikat ku përplaset mazhoranca dhe opozita për këtë projektligj. Sipas Bumçit, mazhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit me opozitën për kalimin e këtij projektligji, por është opozita ajo që nuk pranon të japë konsensusin. Por për demokratët edhe durimi ka një kufi. Nëse opozita do të vazhdojë të këmbëngulë në qëndrimin e saj, atëherë PD-ja dhe aleatët do të detyrohen ta miratojnë këtë projektligj me votat e tyre pavarësisht qëndrimit të opozitës. Bumçi nuk ka pranuar të bëjë ndonjë koment nëse është hartuar ndonjë projektligj i ri apo jo, dhe a është vënë në dijeni për këtë opozita.

Z.Bumçi, prej disa muajsh Kuvendi është përfshirë në debatin për projektligjin e Pastërtisë së Figurave të Zyrtarëve të Lartë. A mund të na thoni se çfarë është ky debat dhe rreth cilës pikë po bëhet?

Përpara se të kalojmë në pika të veçanta, thelbi i këtij debati është se a duhet në radhë të parë të miratojmë një ligj për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë apo jo. PD e mbështet këtë nisëm, ndërsa sjellja e PS deri tani të lë përshtypjen se është kundër një ligji të tillë në parim.

Ju jeni relatori i mazhorancës për këtë projektligj. A mund të na thoni se në cilën pikë konstatojnë mosmarrëveshjet mes jush dhe relatorit socialist Isaraj? Pse nuk po gjendet gjuha për të hartuar një draft të përbashkët?

Për aq sa kemi arritur të bisedojmë, kanë dalë në pah dy mosmarrëveshje: 1. A duhet të verifikohen përsëri personat të cilët janë verifikuar një herë në të kaluarën kur ka qenë në fuqi ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë? Qëndrimi i PD është se verifikimi duhet të kryhet sa herë kërkohet të kandidosh për një nga kategoritë që përfshin ligji, dhe nuk ka arsye pse të bëhen përjashtime. Ndërsa qëndrimi i PS është kundër kryerjes së verifikimit nëse është bërë një herë.

2. Çështja e dytë lidhet me ndërprerjen e mandatit të personave që pasi verifikohen rezultojnë të jenë në kategoritë e papajtueshmërisë. Qëndrimi i PS është se nuk duhet të ketë ndërprerje të mandatit, sepse kjo është antikushtetuese. Për sa kohë këta persona nuk janë zgjedhur me këtë kusht në fillim të mandatit të tyre, nuk mund të shtojmë një kërkesë të re gjatë mandatit. Ndërsa këtu ka hapësirë për diskutim, PD në qëndrimin e saj vë në dukje një problem shumë të rëndë që krijohet nëse bëhet publike, se kush është i papajtueshëm dhe përsëri vazhdon të qëndrojë në detyrë. Për shembull, nëse rezulton që deputetë të Kuvendit apo kryetarë bashkish, ose gjyqtarë e prokurorë kanë qenë punonjës të sigurimit, kanë marrë pjesë në gjyqe politike ose kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit dhe ne nuk ja ndërpresim mandatin, çfarë do të ndodhë me legjitimitetin e këtyre institucioneve? Unë mendoj se këta individë dhe institucionet ku punojnë nuk do të shikohen më si legjitimë, çfarë do të krijojë një krizë dhe problem të madh. Kjo çështje nuk merr përgjigje. Ndërsa në lidhje me kushtetutshmërinë e ndërprerjes së mandatit, për këtë mund të shprehet gjykata kushtetuese sipas kërkesave për ndërprerje mandati.

A mund të na thoni konkretisht çfarë kërkon opozita dhe çfarë kërkon mazhoranca nga ky projektligj?

Ajo çfarë kërkojmë ne është diçka e njohur, Shqipëria ka një përvojë me një ligj të tillë që është kaluar për herë të parë në vitin 1995. Për më tepër verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë është një praktikë e njohur në të gjitha vendet ish-komuniste si një mjet që kufizon persona që kanë mbajtur poste të caktuara në diktaturë të vazhdojnë ta bëjnë këtë dhe në demokraci për një periudhe të caktuar. Në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore këto ligje janë aplikuar për një kohë të gjatë dhe zbatimi i tyre është shtyrë. Ndërsa në Shqipëri ligji jo vetëm u zbatua për një kohë të kufizuar, ‘95 deri në 2001, edhe pse nga ashpërsia e regjimit Shqipëria renditet përpara vendeve të tjera komuniste. Por me ardhjen e së majtës në qeverisje mbas ‘96, ligjit iu bënë një sërë ndryshimesh që kufizuan zbatimin e tij duke përjashtuar shumë kategori që më parë kërkonin verifikim.

Nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës, cili do të jetë qëndrimi i PD-së për këtë projektligj?

Ne shpresojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe për këtë arsye kemi që nga muaji korrik që vazhdojmë ta shtyjmë miratimin e këtij ligji në Kuvend në mënyrë të njëanshme. Por në të njëjtën kohë ne deklarojmë se ligji nuk do të arkivohet. Nëse PS është kundër kalimit të ligjit, atëherë ne do ta kalojmë me votat tona.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›