E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e Kosovës, një shpresë pa shpresë

Është një realitet i vështirë. Vetëm se për serbët deri më 8 tetor ia vlejnë që të provohen të gjitha. Ndarja po mbetet Asi i fundit serb, për të treguar nga politikanët e rinj të saj se janë përpjekur deri në fund për Kosovën. I nxjerrë sërish me kujdes në momentet e fundit nga Presidenti serb, Boris Tadiç, ai përbën as më shumë dhe as më pak mundësinë e vetme që serbët të mëtojnë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Ajo tashmë nuk është thjesht një realitet, por edhe kriter për Serbinë evropiane i njerëzve të saj. Gjithsesi, ndarja ka kohë që i turbullon disi terrenet shqiptare. E thënë pak ditë më parë nga Prof. Rexhep Qosja akademik dhe një nga njerëzit kryesorë të delegacionit kosovar të Rambujesë, ajo tregoi se është një realitet që është i lëçitur mirë dhe në mjediset shqiptare. Argumenti i Qoses, që duhet thënë se ka mbështetje shpirtërore-kombëtare, por që shumica nuk kanë kurajo ta thonë- është i thjeshtë: "Edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës ishte bërë çështje ndërkombëtare, nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm në ish-Jugosllavi dhe në botë flitej për ndarjen e Kosovës. Ndarja shihej si zgjidhje e përhershme, historike e çështjes së Kosovës, domethënë e konfliktit shqiptaro-serb".

Ndarja, në fakt, i ka sakatuar shqiptarët e dy anëve të kufirit verior. E gjithë zona gjeografike e Shqipërisë verilindore dhe homologia kosovare e jugperëndimit kanë qenë për dekada ndarje në kushte të këqija. Të dyja pjesët janë rivitalizuar, vetëm falë bashkimit de facto dhe lehtësisë së kalimit të kufirit. Ndarë në dy dhe më shumë pjesë, shqiptarët e skajeve kanë vuajtur bjerrjen e mjeteve të jetesës, distancën nga tre qytetet e mëdha të shqiptarëve dhe mbi të gjitha ndarjen e gjakut. Por, politika dhe e Drejta Ndërkombëtare ka ligje të tjera, ku lapsi nuk hiqet mbi realitete, por mbi interesa fuqish. Dhe, ndërsa Evropa Perëndimore është duke menduar pasojat e krizës që po ngërthen Amerikën, serbët po lëvizin të kënaqur falë zhurmës së pakët që i bëhet iniciativës së tyre, duke e interpretuar si interes për të. Duke iu referuar Dushan Janjiç, njërit prej publicistëve më të ekuilibruar serbë: "BE dhe SHBA në Asamblenë e Përgjithshme kanë disa tema më të rëndësishme se Serbia dhe Kosova. Është pakoja e sanksioneve ndaj Iranit dhe varet shumë se a do të përkrahë Rusia qëndrimin e Perëndimit për këtë, pastaj çështja e kontrollit të rajonit të Kaspikut, Detit të Zi, që ka nisur me hyrjen e Rusisë në Gjeorgji, si dhe Lindja e Mesme".

Duke e sjellë në truallin tonë, duhet të kujtojmë se, pavarësisht pretendimeve të ndarjes, gati rreth 60% e serbëve janë këtej Ibrit, nga ku mendohet të kaloj fillimi i planit serb. Dhe, atyre më shumë se planet për ndarjen, u duhet pak më tepër frymë për kosovarët serbë, që t‘i mbijetojnë ekonomikisht kohës. E njëjta me shqiptarët e Kosovës, hapat e të cilëve të para nuk kanë qenë aq të lehta. Ndaj Tadiç menjëherë pas deklaratës që bëri, i mbështetur nga show-agresioni i njohur diplomatik i Vuk Jeremiç, i është dashur të matet. Me sa duket, shoqëria serbe nuk pjell më ide aq të mira, saqë mund t‘i afrohen si duhet çështjes së Kosovës.

Që në fillim të bisedimeve, serbët e kanë pasur në planet e tyre. Krijuan më shumë komuna dhe kishin idenë e bashkimit në zinxhir të tyre, për këtë qitje jo fort të largët. E kur të vinte dita- Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi e të tjera mund të shkonin për tri komunat e Luginës së Preshevës, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, që do kërkonin ribashkimin e tyre të natyrshëm me Kosovën. Një ndarje e tillë, si u gjykua nga ta, do të kishte shumë pasoja dhe në jetën e tyre. Por, do ta pësonte më keq Maqedonia, ku ky realitet është i prekshëm. Nuk ka qenë fare e pastudiuar si opsion. Pas artikulimit që i bëri diku nga fillimi i viteve ‘90, ideatori i njohur Dobrica Qosiç, do të ishte dhe Kushner, që do e shqiptonte. Siç ndodh zakonisht me gjërat e thëna hapur nga Perëndimorët, një gjë të tillë funksionari i lartë frëng u detyrua ta mohojë më vonë. Ndërsa Millosheviçi, që i duhej ta shikonte këshillën e ish-njeriut të tij, Qosiç as nuk i bëri fare përshtypje. Ai e donte Kosovën: O të gjithën - o aspak. Ashtu edhe si ndodhi në fakt, kur ai e humbi krejtësisht. Dhe, për kosovarët, motivi i ndarjes (lexo bashkimit) ishte shpëtimi, kur pas vetes ndjenë Shqipërinë. Madje atë e plazmuan dhe në betimin e UÇK-së..., ku i dedikohen vetëm Shqipërisë. Ballkani nuk do të jetë dhe për shumë kohë kaq komod, me sa duket, kaq i mozaikuar. Orët e fundit, serbët pas rrokupujës së Kosovës - i kanë kërkuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kjo t‘ia kalojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shqyrtimin e legjitimitetit të saj, me shpresën se do ta mund ta zhbëjë shtetësinë e Kosovës. Jeremiç siguron se ka madje edhe mbështetjen e disa vendeve për të anuluar aktin e njohjes së Kosovës, në rast se do ketë një vendim tek Drejtësia. Kurse kryeministri Thaçi mëton njohje befasuese, ku ajo e Malit të Zi do jetë më kuptimplota.

Në fakt, të dy qeveritë e Kosovës dhe e Serbisë me këtë rast duket se kanë gjetur edhe një element tjetër që t‘i shpëtojnë problemeve ekonomike të shtetasve të tyre, që kanë të bëjë me mirëqenien e premtuar në fushata. Këtë e kanë vështirë, ndërsa problemi i Kosovës dhe tashmë së fundi dhe i ndarjes së saj, u shërben të dyjave. Thaçi e ka treguar se e ka të vështirë përballjen me realitetin e ri të Kosovës dhe është më shumë njeri i retorikës. Kur nuk mund të shtrijë dot autoritetin edhe afër Prishtinës, pak të besueshme janë premtimet e tij. Dhe, aspak më shumë dhe nga Tadiç në anën tjetër, që mundohet të vërë në gjumë realiteteve të reja të qytetarëve serbë për mirëqenie. Me pak fjalë, kur kohë më vonë Serbia dhe Kosova të jenë në BE, të gjitha do të kujtohen si një harxhim i kotë energjish i këtyre liderëve ballkanikë, që u ra shorti të jenë në histori, sepse të dy vendet do të kenë të gjithë territoret, njerëzit dhe kohën e tyre... për t‘u marrë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›