Ashpërsohet gara në PD-së

Postet e kryetarëve të degëve në 12 qytetet më të mëdha të vendit dhe postet në sekretariate kanë ndezur debatin mes anëtarëve të vjetër të PD-së dhe atyre të rinjve.
Pjesë e këtij debati janë bërë emra të rëndësishëm të Partisë Demokratike, ku përmendim Besnik Mustafajn, që kërkon drejtimin e partisë në kryeqytet, Arben Imamin, që sfidon hapur sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Boden, por edhe emra të tjerë, që kërkojnë drejtimin e PD në rrethe, duke bërë një ‘marrëveshje’ me statusin e selisë blu dhe jo me kryetarin e PD-së.
Gara për kreun e PD-së në rrethe ka kaluar të gjitha caqet e sfidës brenda partisë. Kryetari aktual i Partisë Demokratike në Vlorë, Agron Sharra, i cili gëzon mbështetjen e militantëve demokratë në këtë qytet, por edhe mbështetjen e deputetit Bujar Leskaj, do të vendoset përballë një kandidature të vetëshpallur, si ajo e deputetit Adrian Kollozi.
Pas Mustafajt është Kollozi, ai që, në respekt të statutit të partisë, ka filluar lobingun për të qenë kryetar i degës së PD-së në Vlorë.
Duket se vetëshpallja për kreun e degës së Partisë Demokratike në Tiranë nga ana e Besnik Mustafajt ka sjellë një reaksion zinxhir edhe për degët në rrethe, të cilat kanë nisur përzgjedhjen për kandidatët që do të drejtojnë PD-në në 12 qarqet e vendit.