E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet, si do të tërhiqen paratë në Greqi

Kompania konsulente, që do të bëjë të mundur kthimin në Shqipëri të parave të “Cenajt”, do të përfitojë një komision deri në 10 për qind mbi shumën e arritur nga bankat greke.

Ky është në thelb plani i qeverisë shqiptare, që bën të mundur kalimin e rreth 50 milionë dollarëve nga shteti fqinj drejt bankave shqiptare.

Vlera në fjalë ndodhet aktualisht e bllokuar në bankat greke, me urdhër të prokurorisë helene, për shkak të akuzës të “pastrimit të parave” drejtuar Lefter Cenajt, ish-bosit të firmës piramidale, “Cenaj and Co”.

Duke u nisur nga kompleksiteti i çështjes në fjalë, përfshi dhe mungesën e eksperiencës, autoritetet shqiptare do të nisin negociatat, jo me homologët grekë, por me kompanitë konsulente të huaja, të njohura në fushën e zgjidhjes së këtyre problemeve.

Aktualisht, Këshilli Mbikëqyrës i Fajdeve ka bërë gati grupin e punës dhe procedurat që do të ndiqen, ndërsa shkresën me këta elementë e ka dërguar për firmë në Kryeministri.

Kjo e fundit duhet të japë aprovimin për nisjen e negociatave me shtetin e Greqisë, ku mendohet se janë të sekuestruara paratë e kompanisë piramidale “Cenaj and Co”.

Vështirësitë

Ekstradimi i Lefter Cenajt, pas arrestimit në Greqi, u duk sikur do të lehtësonte punën e autoriteteve shqiptare për identifikimin dhe kthimin në vend të parave të humbura në vitin 1997, por në fakt nuk rezultoi i tillë.

Konstatimi i shumave të majme në banka krijoi dyshime për institucionet hetimore të shtetit grek, duke bërë të mundur ndalimin e Lefter Cenajt.

Gjatë procesit gjyqësor, Cenaj u përball me akuzën e prokurorëve grekë të pastrimit të parave dhe evazionit fiskal, ndërsa pala shqiptare nuk ndërmori asnjë veprim për të vërtetuar që shumat në fjalë janë para që Cenaj ua kishte marrë kreditorëve në Shqipëri me anë të mashtrimit.

“Nëse në këtë proces gjyqësor pala shqiptare do të ishte e përfaqësuar me juristët e saj, si dhe me dokumentet që vërtetonin burimin e parave, tashmë, kthimi i tyre do të ishte thjesht një procedurë rutinë.

Fakti që ky veprim nuk ka ndodhur në çastin e arrestimit dhe ngritjes së akuzës, e vështirëson procesin”, thotë për gazetën kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj.

Me kërkesë të palës shqiptare, qeveria greke ekstradoi Cenajn, por jo paratë, me pretendimin se krijimi i tyre ka ardhur nga aktivitete të dyshimta, por jo për shkak të mashtrimit, sikundër deklaron shteti ynë.

Një tjetër problem, përveç aspektit ligjor, është mungesa e eksperiencës, por edhe fondeve të pamjaftueshme.

Prezenca e juristëve që njohin fushën lidhet me mundësinë e pagesës për punën që do të bëjnë dhe këto fonde Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve nuk i disponon.

“Do të na duhet të lidhemi me zyrat avokatore të Greqisë, të cilëve, përkundrejt zgjidhjes së çështjes, do t’u ofrojmë një komision 5-10 për qind mbi shumën që do të kthehet në Shqipëri. Zgjidhje tjetër nuk shohim”, sqaron  Malaj.  
 

Ekstradimi

Pak kohë më parë, ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj and Co”, Lefter Cenaj, 41 vjeç, mbërriti në Tiranë, në bazë të marrëveshjes me Greqinë mbi ekstradimet.

Cenaj është dënuar nga pala shqiptare me 10 vjet burg për mashtrimin e 26 mijë kreditorëve.

Ndërkaq, Cenaj ka vuajtur një dënim prej pesë vjet e gjashtë muaj në Greqi, për veprat penale të “pastrimit të parave”, “evazionit fiskal” dhe “falsifikimit të dokumenteve”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›