Babai, peng të birin për dymijë euro

Romeo Ferraj është rrëmbyer mesditën e së shtunës, e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia nuk ka mundur ta lirojë dhe ta kthejë pranë mamasë së tij.
Gjyshja e pengut, Mëzake Ferraj, ka qenë ajo që ka kërkuar ndihmën e uniformave blu, duke alarmuar gjithë krerët e policisë së Tiranës.
Por, brenda ditës së djeshme, policia ka mundur të identifikojë të dyshuarin, i cili është i ati i tij, Brunildo Ferraj. I gjithë sherri kishte nisur pas shitjes së shtëpisë, ku ai kishte kërkuar dymijë euro më shumë dhe nuk ia kishin dhënë.
Ato para i kishte kërkuar disa herë, por nuk ia kishin kthyer më. Kështu, ai ka vendosur që të marrë peng 15-vjeçarin, duke kërcënuar se do ta vriste, nëse njoftohej policia, ose nuk i ktheheshin paratë e borxhit.
Denoncimi
Ngjarja e rëndë ka vënë në lëvizje gjithë strukturat e policisë së Tiranës. Burimet policore të Drejtorisë së Tiranës bënë të ditur se njoftimi është dhënë nga e afërmja e 15-vjeçarit të marrë peng.
Sipas të dhënave, dy net më parë, pikërisht rreth mesnatës, Mëzake Ferraj është paraqitur në polici. Ajo ka kërkuar ndihmë pranë uniformave blu, teksa kishte shkuar deri aty e trembur për fatin e nipit të saj.
“Më kanë marrë peng nipin”, ka deklaruar ajo para policisë dhe kaq është dashur që uniformat blu të vihen në alarm. Ajo ka rrëfyer para oficerit të policisë se rreth orës 17:30 kishte pasur një telefonatë në shtëpi.
Një zë burri i kishte tërhequr vëmendjen, duke i thënë që të dëgjonte me kujdes. “E kemi rrëmbyer nipin dhe po e mbajmë peng. Duhet të na japësh paratë që na ke borxh dhe mos të njoftosh policinë.
Për të tjerat do lidhemi sërish në telefon me ju”, kështu është shprehur pengmarrësi nga ana tjetër e telefonit, sipas denoncueses 63-vjeçare Mëzake Ferraj.
Kërkimet
Fillimisht, uniformat blu kanë nisur procedurat për të identifikuar numrin nga ishte telefonuar Ferraj, ku, sipas burimeve të sigurta, familja e adoleshentit nuk kishte ndonjë biznes.
Por nuk ka një informacion të sigurt se si kanë rezultuar kërkimet e policisë. Megjithatë, policia edhe gjatë ditës së djeshme ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen e fëmijës së rrëmbyer, duke pritur ndonjë të dhënë shtesë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Burimet policore shpjeguan se është ngritur edhe një grup pune për investigimin e kësaj çështjeje dhe për negocimin me autorët e pengmarrjes.
Kështu, gjatë punës ka ardhur një informacion se pengmarrësi mund të ishte babai i tij, Brunildo Ferraj. Sipas të dhënave nga policia, prindërit e 15-vjeçarit ishin ndarë pak kohë më parë.
Kështu, nëna e Romeos ka shitur banesën dhe ka shkuar të jetojë te prindërit. Pas shitjes së shtëpisë, Brunildo ka kërkuar gjysmën e parave dhe ka marrë një pjesë të tyre.
Por, ai ka pretenduar se duhej t’i jepnin edhe dymijë euro. Megjithatë, këto para nuk i janë dhënë asnjëherë. Për këtë arsye, ai ka marrë peng djalin e tij dhe ka kërcënuar se nuk e jepte, derisa t’i ktheheshin paratë.
Kështu, policia ka negociuar deri në orët e vona të mbrëmjes me babanë pengmarrës, por ai nuk ka pranuar të lirojë djalin. Në kontakt me policinë, zyrtarët thanë se ishin në negocim me pengmarrësin, dhe se pritej që, nga momenti në moment, ai të lirohej.
Kreu i Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, tha se kjo gjendje ka ardhur nga procesi për ndarjen e çiftit.
Madje, ai shtoi se në orët e vona është arritur që nëna e fëmijës të kishte kontakt me të dhe vazhdojnë procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes.