E Diel, 1 Nëntor 2026

BE nis një superoperacion antimafie në Ballkan

Bashkimi Evropian sapo ka nisur një operacion të madh antikrim në të gjithë Ballkanin, i cili me kapjen e Damir Faslliçit ka inauguruar vetëm fillimin e tij.

Brukseli, nëpërmjet strukturave të tij, të koordinuara nga Komisioni Evropian, Presidenca e BE-së, si dhe përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe shtetet e Ballkanit, ka iniciuar dhe mbështetur një aksion që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Objektivi: Shkatërrimi i “baronëve” të krimit të organizuar, duke i dërguar ata para drejtësisë.

Rrugët: Mbështetja e institucioneve të vendeve ballkanike që zhvillojnë luftën ndaj krimit të organizuar dhe përkrahja e fuqishme logjistike dhe financiare, si dhe me asistencë teknike për të koordinuar veprimet e të gjitha vendet.

Shtrirja e operacionit: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Maqedoni.

Goditja

Bashkimi Evropian, i cili është faktikisht “protektori” i Bosnjë-Hercegovinës, ka iniciuar dhe mbështetur superoperacionin antikriminal në vendin ballkanik, ku ka në dorë autoritetet politike, ato policore, si dhe trupat ushtarake.

BE mbikëqyr qeverisjen vendore nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë Special për Bosnjë-Hercegovinën, drejton luftën ndaj krimit, nëpërmjet misionit policor të Bashkimit Evropian, si dhe trupën ushtarake EUROFOR.

Arrestimi i Damir Faslliçit u bë pas një sporti të fuqishëm të policisë federale boshnjake dhe Prokurorisë nga Bashkimi Evropian, i cili ka inkurajuar autoritetet vendase për të vazhduar “gjuetinë ndaj baronëve të krimit”.

Shqipëria

Brukseli, prej kohësh ka “shtyrë” autoritetet shqiptare drejt një lufte më të fortë dhe konkrete ndaj krimit të organizuar.

Në raport-progresin për vitin 2008, i cili do të shpërndahet në fillim të nëntorit, lufta ndaj krimit do të jetë në ballë të kushteve ndaj qeverisë.

Por, përveç kësaj, strukturat e Bashkimit Evropian pritet të mbështesin fuqishëm edhe në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Policinë e Shtetit, një operacion për të arrestuar pjesëtarët më të mëdhenj të rrjeteve kriminale ndërkombëtare, siç janë trafiku i armëve, i drogës, i cigareve, por edhe i aktiviteteve të tjera kriminale, të cilat i kanë siguruar sasi të mëdha parash dhe lidhje të fuqishme me nivele të larta të politikës dhe administratës shqiptare.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›