Ashpersohet gjuha mes PDK-se dhe Vetevendosjes
Deklaratat e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Muharrem Xhemajli, se Albin Kurti pas lirimit nga burgu ka mbajtur kontakte me shërbimet sekrete serbe, kanë nxitur reagimin e lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Vetëvendosja”, e cila sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit është radhitur si forca e tretë politike në vend, ka goditur Xhemajlin duke e quajtur atë edhe vjedhës të votave.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk është shërbim, nuk ka shërbime të fshehta brenda vetes, nuk është takuar dhe nuk takohet me shërbime të fshehta. Ne jemi me popullin dhe pranë popullit. Nuk merremi me shpifjet e sharlatanëve që vjedhin vota për PDK-në siç është rasti i Muharrem Xhemajlit. Gjithçka që vjen prej ish-pushtetarëve dhe veglave të tyre është në funksion të negociatave të ardhshme me Serbinë”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.
Muharrem Xhemajli, në një intervistë për “Kohavision”, ka bërë akuza në adresë të Kurtit, duke thënë se pas lirimit nga burgu, deri më 2004, ai ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me inspektorë të shërbimit sekret serb dhe me njerëz të armatës serbe.
Xhemajli, madje, ka përmendur edhe emra, duke thënë se kontaktet e Kurtit kanë qenë vëllezërit Dacic nga Komuna e Klinës. Sipas tij, njëri ka qenë inspektor i shërbimit sekret, ndërsa tjetri pjesë e armatës serbe.
Kur ka folur për “Vetëvendosjen”, Xhemajli megjithatë ka bërë një dallim. Ai ka thënë se i vjen keq që miku i tij, Rexhep Selimi, është bërë pjesë e “Vetëvendosjes”.
I ashpër ndaj Xhemajlit është shprehur aktivisti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca. Në një prononcim për “Express”, Konjufca ka thënë se prapa Xhemajlit qëndron Hashim Thaçi. “Ka qenë një shpifje në ajër, me të cilën nuk ia vlen shumë të merremi. Muharrem Xhemajli është një hajn i vocërr i Hashim Thaçit. Ne duhet të merremi me Thaçin, tema është ai”, ka thënë Konjufca.
Pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës dhe lëvizja “Vetëvendosje” janë përfshirë në polemika të ashpra mes veti. “Vetëvendosja” ka akuzuar PDK-në për vjedhje të votave, ndërsa kreun e PDK-së e kanë quajtur hajn. Me “Vetëvendosjen” është marrë edhe vetë Hashim Thaçi, duke i quajtur njerëz të paedukatë.
Por, ajo që ka tensionuar më së shumti raportet ndërmjet këtyre dy subjekteve është reagimi i “Vetëvendosjes” për raportin e Dik Martit. Kjo lëvizje kishte thënë se UÇK-ja nuk duhet të identifikohet me “bëmat” e Thaçit.
Sipas Konjufcës, Thaçi aktualisht është duke e përdorur raportin e Martit për llogari të veta. “Mendoj se Hashim Thaçi ka mobilizuar shumë struktura, por me një qëllim të qartë. Qe 10 ditë e më shumë e ke në lajme Dik Martin, pingpongun që po e luan Thaçi me Dik Martin, ai një fjali, ky një fjali. U harrua vjedhja e votave, u harrua korrupsioni, u harrua mungesa e drejtësisë në këtë vend, u harrua shtrenjtimi i bukës. Thaçi këtë qëllim e ka - sa më shumë tema të këtij lloji, në mënyrë që të largohet vëmendja nga pakënaqësia për papunësinë, varfërinë etj.” ka thënë Konjufca.
Me akuzat e PDK-së dhe “Vetëvendosjes”, të shtunën është marrë edhe Partia Socialiste e Kosovës, por duke kërkuar që akuzat të ndalojnë. Kryetari i PSK-së, Ilaz Kadolli, ka kërkuar nga institucionet e vendit që të punojnë më shumë, për të mos lejuar që raporti i Dik Martit të miratohet në formë dokumenti zyrtar nga ana e Këshillit të Europës.
“U bëjmë thirrje sidomos Shoqatës së Veteranëve të Luftës, ‘Vetëvendosjes’ dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të ndërpresin në mënyrë urgjente akuzat reciproke. Institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë në kundërvënien e këtij raporti, i cili është një dokument i falsifikuar me prova konkrete”, ka thënë Kadolli.