Mustafa Nuk do tia shtrij doren Thacit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk do t’ia shtrijë dorën për fitore kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pas përsëritjes së zgjedhjeve në tri komuna më 9 janar. Mustafa ka thënë në një intervistë për “KosovaPress” se për zgjedhje të tilla, asnjëherë nuk do t’ia shtrijë dorën jo vetëm Thaçit, por askujt.
Mustafa thekson se nuk e ka problem nëse LDK-ja do të mbetet në opozitë, por problemi, sipas tij, qëndron te legjitimiteti i zgjedhjeve, sepse siç ka thënë ai, kur qeveriset me vota të abuzuara, askush nuk mund ta luajë rolin mirë, as në pozitë as në opozitë.
“Zotit Thaçi kurrë nuk do t’ia shtrij dorën, as nuk do të dëshiroja askush të ma shtrinte dorën mua për zgjedhje të tilla. Për zgjedhje të tilla unë nuk ia shtrij dorën askujt, sepse do të isha totalisht i pasinqertë ndaj vetvetes, i pasinqertë ndaj zotit Thaçi dhe i pasinqertë ndaj qytetarëve. Në qoftë se këtë proces e kanë vlerësuar të gjithë si proces ku janë bërë abuzime të mëdha, ku është e drejta ime që t’ia uroj dikujt fitoren. Çështje tjetër është nëse do të ketë ndonjë marrëveshje që të tejkalohet kjo situatë për një periudhë të shkurtër kohore, në mënyrë që të ketë jetë institucionale, por jo punë e urimeve, sepse s’kemi çka t’i urojmë njëri-tjetrit”, ka thënë Mustafa.
Ai kërkon që të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm, të jenë të ndershme dhe vetëm atëherë thotë se do të shkojë personalisht t’ia urojë fitoren Hashim Thaçit, nëse fiton me nder.
Kjo, sipas Mustafës, do të ishte e dobishme edhe për Thaçin edhe për PDK-në, edhe për LDK-në.
“Mendoj se është shumë e dobishme edhe për Thaçin ose për PDK-në dhe LDK-në që të kemi zgjedhje të cilat burojnë nga vullneti i qytetarit në pikëpamje të formimit të një Kuvendi dhe të një qeverie të re, kjo është me rëndësi themelore, nuk është me rëndësi se cili qeveris”, është shprehur Mustafa.
Kryetari i LDK-së dhe i Prishtinës mohon të ketë pasur vjedhje të votave nga LDK-ja, duke thënë se në asnjë vend në Kosovë nuk ka pasur manipulim të votës nga komisionerët e kësaj partie, ndërkaq procesin në Prishtinë e ka konsideruar si më të rregulltin në Kosovë. Ndërkaq për PDK-në, Mustafa thotë se ajo e ka dëmtuar procesin me manipulime të votës në masë industriale.