E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashta energji ne shtator per 100 mije familje

Hidrocentralet e Ashtës do të mbulojnë nevojat për energji elektrike të rreth 100 mijë familjeve shqiptare. Përfaqësuesit e lartë të impiantit energjetik kanë bërë të ditur se në shtator do të fillojë furnizimi i rregullt me energji, duke mbuluar një pjesë të madhe të zonës veriore të Shqipërisë. 
Sipas këtij informacioni, bëhet e ditur se nga ana teknike puna për ndërtimin e HEC-ve ka përfunduar dhe ato janë lidhur me rrjetin e linjës së shpërndarjes prej 110 kv. Pas kësaj pritet që në vjeshtë  të vihet në punë HEC Ashta 1 dhe më pas HEC Ashta 2. Ndërtuesit dhe drejtuesit e këtyre veprave kanë bërë me dije se teknologjia e përdorur për prodhimin e energjisë do të mbrojë mjedisin, duke kursyer me 114 mijë tonë dioksid karboni emetime në vit. Po ashtu këto hidrocentrale do garantojnë një prodhim konstant gjatë vitit me kapacitet total prej 53 MË(megavat). Sasia e energjisë së tepërt do të eksportohet gjatë periudhave të pikut drejt Malit të Zi dhe Kroacisë. 
Gjithashtu, reduktimi i emetimeve të dioksidit të karbonit do të rigjallërojë jetën e gjallesave në ujërat e lumit dhe nuk do të shkaktohet ndotje në det.  Qeveria ka dhënë me koncesion lejen për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve të Ashtës për një periudhë 35 vjeçare. Pas përfundimit të kontratës, këto vepra energjetike do t’i kthehen në pronësi shtetit shqiptar. Vlera e investimit në këto hidrocentralet shkon në mëse 200 milionë euro. Pak ditë më parë punimet në këto hidrocentrale u inspektuan nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, sipas të cilit që  nga 2007 e deri më tani janë investuar afro 2.5 miliard euro në fushën e energjetikës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›