E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertet e larte ekonomik kritike ndaj lidereve boterore

Shtohen zërat kritikë të ekspertëve të lartë ekonomik ndaj lidëreve botërorë. Presidenti në largim i Bankës Botërore, Robert Zoelick, ka thënë se udhëheqësit evropianë nuk po bëjnë sa duhet për të zgjidhur krizën e borxheve dhe duhet të veprojnë më shpejt.
“Politikanët evropianë gjithmonë veprojnë një ditë më vonë. Dhe, kur zihen ngushtë, ata marrin masa të reja të likuiditetit”, ka thënë Zoelick në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”.
Sipas Zoelick, Banka Qendrore Evropiane, përmes hapave të likuiditetit, ka blerë kohë për liderët e rajonit, por ajo ka bërë pak për te zgjidhur problemet strukturore të bllokut evropian. Nëse Evropa vazhdon të ngurrojë, Zoelick ka paralajmëruar se ajo mund të humbasë ndikimin global. Ai po ashtu i ka bërë thirrje Gjermanisë të marrë rolin udhëheqës dhe të vazhdojë të shtyjë përpara reformat fiskale dhe strukturore. Zoelick përfundon mandatin e kreut të Bankës Botërore më 30 qershor. Ai do të pasohet nga mjeku Jim Jong Kim.
Ndërkaq, ish-kryeministri britanik dhe në të njëjtën kohë një nga ekonomistët më të respektuar në shkallë botërore, Gordon Braun akuzoi udhëheqësit evropian se nuk po ngrihen në lartësinë e sfidës së krizës, duke paralajmëruar se Evropa mund të përballet me një dekadë të humbur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›