E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet cmimi i naftes ne bursa

Çmimi i naftës është ulur me rreth 20% që nga mesi i marsit dhe tendenca në vazhdimësi ka qenë ajo e rënies deri në ditët e sotme. Kjo pasqyron qartë shqetësimet mbi krizën ekonomike të Evropës dhe ngadalësimin e rritjes në nivel botëror.
Konsumi i naftës është tkurrur, ndërsa rezervat janë shtuar, çka shtyn  ekspertë të energjisë të besojnë se çmimi do të vazhdojë rënien. Aktualisht ai është në nivelin e 84 dollarëve për fuçi, por mendohet se mund të bjerë nën 80 dollarë. 
"Gjithmonë nëse nuk do të ketë luhatje pas zgjedhjeve greke",- shkruan Bloomberg. Edhe pse Greqia vetë nuk konsumon veçse një pjesë të vogël të sasisë se naftës në botës, zhvillimet atje mund të kenë ndikim të madh mbi çmimin e naftës bruto. 
Nëse grekët zgjedhin një qeveri që kërkon ta ndalojë përdorimin e euros si monedhë të vendit, atëherë në tregjet globale, përfshirë ato të arit të zi do të ketë trazira. Tregtarë e analistë po përgatiten për mundësinë e një situate dramatike te henen, pas zgjedhjeve në ketë vend, që shënon një epokë të re për Eurozonën. 
Ndërkaq, sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri për muajin maj, u ulën për herë të parë çmimet e karburanteve pas një kohe të gjatë. Në bazë të këtyre të dhënave   indeksi i grupit ”Transporti” ka shënuar një ulje prej 0.6 përqind. Brenda këtij grupi gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një ulje prej 2.1 përqind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.8 përqind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›