Ashta, energji në shtator për 100 mijë familje

Teknologjia e prodhimit të energjisë do mbrojë mjedisin
Hidrocentralet e Ashtës do të mbulojnë nevojat për energji elektrike të rreth 100 mijë familjeve shqiptare. Përfaqësuesit e lartë të impiantit energjetik kanë bërë të ditur se në shtator do të fillojë furnizimi i rregullt me energji, duke mbuluar një pjesë të madhe të zonës veriore të Shqipërisë.
Sipas këtij informacioni, bëhet e ditur se nga ana teknike puna për ndërtimin e HEC-ve ka përfunduar dhe ato janë lidhur me rrjetin e linjës së shpërndarjes prej 110 kv. Pas kësaj pritet që në vjeshtë të vihet në punë HEC Ashta 1 dhe më pas HEC Ashta 2.
Ndërtuesit dhe drejtuesit e këtyre veprave kanë bërë me dije se teknologjia e përdorur për prodhimin e energjisë do të mbrojë mjedisin, duke kursyer me 114 mijë tonë dioksid karboni emetime në vit. Po ashtu këto hidrocentrale do garantojnë një prodhim konstant gjatë vitit me kapacitet total prej 53 MW (megavat). Sasia e energjisë së tepërt do të eksportohet gjatë periudhave të pikut drejt Malit të Zi dhe Kroacisë.
Gjithashtu, reduktimi i emetimeve të dyoksidit të karbonit do të rigjallërojë jetën e gjallesave në ujërat e lumit dhe nuk do të shkaktohet ndotje në det.
Qeveria ka dhënë me koncesion lejen për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve të Ashtës për një periudhë 35 vjeçare. Pas përfundimit të kontratës, këto vepra energjetike do t’i kthehen në pronësi shtetit shqiptar. Vlera e investimit në këto hidrocentralet shkon në më se 200 milionë euro. Pak ditë më parë punimet në këto hidrocentrale u inspektuan nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, sipas të cilit që nga 2007 e deri më tani janë investuar afro 2.5 miliard euro në fushën e energjetikës.
Kjo vepër energjetike, një investim prej më shumë se 200 milionë euro i dy kompanive të njohura austriake në fushën e energjisë hidrike, VERBUND dhe EVN, nisi testimin e prodhimit të energjisë. Kryeministri Berisha u takua me drejtues të dy kompanive dhe përgëzoi ata, që vetëm 27 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, arritën t’i lidhin turbinat e para dhe të gjenerojnë energji në rrjetin shqiptar të energjisë. Në bazë të planit të punës, HEC-i Ashtës, i përbërë nga stacioni elektrik Ashta 1 dhe Ashta 2, me kapacitet të instaluar prej 53 MË, duke filluar nga viti 2013 do të prodhojë 240 milion kWh energji elektrike, duke furnizuar me energji njëqindmijë familje.
Kryeministri inspektoi të gjithë veprën dhe asistoi në nisjen nga puna të turbinave. Ai e vlerësuar këtë një moment të rëndësishëm për sistemin energjetik shqiptar, por njëherësh edhe një vlerë më shumë në përpjekjet e qeverisë “për të përdorur të gjitha burimet natyrore në funksion të prodhimit të energjisë së rinovueshme” dhe “zhvillimit të qëndrueshëm”.
Për arritjen e këtij qëllimi, shfrytëzimi i burimeve ujore të vendit, në vlerësimin e Kryeministrit, mbetet ndër drejtimet kryesore dhe deri tani janë ndërtuar e rindërtuar 46 HEC-e dhe 100 të tjerë janë në ndërtim, me një vlerë totale prej 2.5 miliardë euro. Kryeministri theksoi se ka një veprimtarie të ethshme në këtë fushë, e cika ka tre qëllime kryesore: prodhimin e energjisë me çmime të leverdishme; krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës në procesin e ndërtimit të tyre; ndikimi direkt në balancën e pagesave, raportet e eksport-importit.
Me rëndësi të veçantë, Kryeministri vlerësoi aplikimin e teknologjisë më të avancuar të prodhimit të energjisë, me përdorimin e turbinave tubolare Hydromatrix®, çka e bën hidrocentralin e Ashtës të jetë “një risi në rrafshin mjedisor”.
Në sajë të kësaj teknologjie, bëhet e mundur të kursehet prodhimi i 114 mijë tonë dioksid karboni.