E Diel, 1 Nëntor 2026

Diaspora shqiptare rol të rëndësishëm në zhvillimet demokratike

Berisha takon Drejtorin Ekzekutiv NAAC, Mustafaj


Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Amerikano-Shqiptar (NAAC), Avni Mustafaj. Ai e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe vëllazërore të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate, si dhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, bashkë me përgëzimet e tyre për arritjet e mëdha të Shqipërisë në vitet e fundit. Kryeministri Berisha i shprehu bashkëbiseduesit të tij, Mustafaj mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të gjithë kontributin e vyer, rolin thelbësor dhe të jashtëzakonshëm të NAAC, por edhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, duke mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarizmit si në të shkuarën, ashtu edhe me rolin e saj në zhvillimet demokratike. Temë kryesore e kësaj bisede ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Berisha theksoi se ky vendim përbën për të gjithë shqiptarët fitoren më të rëndësishme në historinë e tyre. Kryeministri tha, se ky vendim përbën shpërblimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që me sakrificën e tyre sublime, me luftën dhe përpjekjet e tyre bënë të mundur pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë gjithë kontributin e saj për një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit, si dhe të ndihmojë, me aq sa ka mundësi, në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit. Mustafaj falënderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për të gjitha përpjekjet e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri e njohu Mustafajn edhe me reformat politike dhe ekonomike që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›