Ashton: Gjeni konsensusin, sipas draftit të PE-së

Kryediplomatja e BE-së kërkon nga Berisha dhe Rama që të zgjidhin situatën, për të çliruar rrugën drejt BE
LUKSEMBURG - Bashkimi Evropian i ka bërë të qartë dje liderëve politikë shqiptarë se pret prej tyre zgjidhjen sa më parë të krizës politike në përputhje me propozimin e ardhur nga dy krerët e grupeve politike në Parlamentin Europian, Xhozef Daul i Partive Popullore Europiane dhe Martin Schulz i së majtës europiane.
Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Katerinë Ashton, pas takimit të 27 ministrave të vendeve të BE-së, doli në një konferencë për shtyp, ku qartësoi të gjitha çështjet e trajtuara nga ministrat e Jashtëm, ku midis tyre ishte edhe situata politike në Shqipëri.
Për këtë çështje, ajo theksoi se Europa pret që liderët politikë shqiptarë të zgjidhin sa më parë krizën politike. Ashton specifikoi se Bashkimi Europian është shqetësuar se çfarë do të ndodhë me nismën politike të Daul dhe Schulz për zgjidhjen e krizës politike.
"Lidhur me Shqipërinë të gjithë jemi të interesuar të dimë se çfarë do të ndodhë me nismën e zotit Daul dhe Schulz, e cila është një nismë e duhur. Ne duam të dimë, dhe ne kërkojmë që të arrihet në një zgjidhje. Ne duam që të zgjidhet sa më parë kjo çështje. Ne duam që Shqipëria të jetë në rrugën drejt anëtarësimit për në Bashkimin Europian", - tha dje Ashton.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian u kërkoi liderëve shqiptarë që të lënë mënjanë retorikën politike dhe të merren e të diskutojnë mbi krizën politike që, sipas saj, duhet të marrë udhë sa më parë në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt integrimit për në familjen Europiane.
"Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time, për vendet që nuk e arrijnë dot rrugën europiane. Çështjet, që ne duam që liderët politikë shqiptarë të merren dhe të diskutojnë, janë ato çështje që zgjidhin situatën.
Ne duam që ata të zgjidhin sa më shpejt krizën politike. Për Shqipërinë ne duam të shohim progres. Ka pasur mesazhe dhe nxitje të fortë nga ana e Bashkimit Europian drejt liderëve politikë shqiptarë. Ne duam që ky vend të ecë përpara dhe të jetë pjesë e Bashkimit Europian", - u shpreh ajo.
Por, pavarësisht nxitjeve dhe mesazheve që, sipas Ashton, janë dërguar nga Bashkimi Europian drejt liderëve politikë shqiptarë, këta të fundit ende nuk kanë arritur gjuhën e përbashkët midis tyre për zgjidhjen e krizës politike. Përfaqësuesit e Parlamentit Europian e kanë specifikuar qartë se nëse nuk rikthehet stabiliteti politik, atëherë, BE-ja do të ngrijë procesin e integrimit përfshirë këtu edhe heqjen e regjimit të vizave.