E fejuara e këngëtarit Korini, tenton vetëvrasjen pas dhunës

Policia prangaosi dje në mbrëmje kantautorin Erion Korini me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes dhe plagosjes
Vajza 24- vjeçare tentoi të vetëvritej dje në mbrëmje në kryeqytet pasi dhunohej nga i fejuari i saj VIP
TIRANE- E fejuara e këngëtarit Erion Korini, tenton të vrasë veten duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku bashkëjetonin, në kushtet e tronditjes psiqike dhe depresionit. Hetuesit e zyrës së vrasjeve, arrestojnë këngëtarin me akuzën e rrahjes, shkaktimit të vetëvrasjes, si dhe të dëmtimeve të tjera të kryera me dashje.
Ngjarja ndodhi dje pasdite rreth orës 17:00, në rrugën "Konferenca e Pezës", pranë një qendre tregtare, fare pranë kryeqëzimit me rrugën "Babë Rexha", ku banorët e kësaj lagjeje, kanë parë në katin e katërt të pallatit një vajzë që kishte dalë në ballkon dhe që thuajse ishte bërë gati të hidhej.
Kjo ishe e fejuara e këngëtarit Erion Korini, M. S, 24 vjeçe, me të cilën mësohet se Korini, kishte disa muaj që ishte lidhur dhe bashkëjetonin në pallatin që ndodhet në rrugën "Konferenca e Pezës".
Policia pas lajmërimit nga banorët që kishin parë vajzën në ballkon shmang ngjarjen, pas bashkëbisedimit me të ndërsa në vendin e ngjarjes për të negociuar me vajzën mbërritën edhe efektivët e njësisë së negociimit të forcave të RENEA-s.
Blutë e komisaritit nr.2 në kryeqytet mbërritën në vendin e ngjarjes, në pak minuta dhe menjëherë këta të fundit, kërkuan edhe ndihmën e njësive të specializuara të RENEA-s, për të evituar një vetëvrasje të mundshme të 24 -vjeçares nga Përmeti.
Efektivët e policisë së komisariatit nr.2, pas një negociimi të shpejtë, arritën të neutralizonin veprimin e vajzës dhe arritën ta bindin atë që të mos kryente një veprim që do të dëmtonte atë.
Një gjë e tillë u arrit pas më pak se 15 minutash bashkëbisedim mes vajzës efektivëve të policisë të cilët gjatë komunikimit i kërkuan 24- vjeçares të vlerësonte më tepër veten e saj dhe jetën.
Kur blutë arritën të bindin vajzën të mos hidhej, një grup specialistësh të komisariatit nr.2, mbërritën në banesën e saj dhe menjëherë e shoqëruan vajzën në spitalin ushtarak, për t'i dhënë ndihmën nevojshme mjekësore, për shkak të tronditjes që kishte pësuar.
Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe nga deklarimi i marrë të fejuarës së këngëtarit, policia ka ngritur dyshimin për ushtrim dhune nga i fejuari i saj, këngëtari Korini. E dëmtuara, M. S, ka pretenduar se i fejuari i saj në mënyrë të vazhdueshme, ushtronte dhunë ndaj saj, në mënyrë sistematike.
Një fakt i tillë sipas policisë vihej re edhe në shenjat që kishte në trup e dëmtuara e cila për këtë shkak si dhe për shkak të tronditjes së shkaktuar u dërgua në spital.
Pas marrjes së deklarimit verbal të vajzës, policia shoqëroi në ambientet e saj të fejuarin, këngëtarin Korini.
Gjatë marrjes së tij në pyetje, Korini, 32 vjeç, fillimisht refuzoi të kishte ushtruar dhunë ndaj saj pavarësisht pretendimit të ngritur prej të dëmtuarës. Por pasi ai është vënë përballë fakteeve dhe provave ka pranuar se ishte grindur me të dhe se kishte ushtruar dhunë.
Hetuesit, deri dje në mbrëmje vonë, nuk kishin vendosur nëse do të arrestonin kantautorin e njohur, por pas konstatimit të dëmtimeve dhe se vepra penale e shkaktimit të vetëvrasjes ishte konsumuar ata i vunë prangat atij, duke i komunikuar arrestimin.
PRECENDETI
Një javë më parë, një grua u vetëvra, policia arrestoi të dashurin
Një javë më parë, policia arrestoi me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes Fatmir Friskun, 33 vjeç, me banim në rrugën e Kavajës, pranë poliklinikës nr.9. Ai, sipas burimeve të policisë, kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me 45- vjeçaren Fratela Tartaraj, me të cilën ishte lidhur pak ditë para ngjarjes. Kjo e fundit nuk kishte pranuar dhe për këtë shkak Frisku e kishte rrahur atë.
Pas dhunës së Friskut, 45 vjeçarja nga Laçi u hodh nga ballkoni i shtëpisë së të dashurit të saj 12 vjet më të ri. Pas vdekjes së Tartarajt dhe hetimeve paraprake, policia e Tiranës, hodhi dyshimet se viktima ishte vetëvrarë për shkak të dhunës së ushtruar nga i arrestuari.