E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: “Kriza në Shqipëri po rrezikon integrimin e vendit në BE”



Ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e djeshëm, kanë refuzuar të merren me krizën politike në Shqipëri. Megjithëse ishte njoftuar se do të kishte një deklaratë zyrtare nga Brukseli në lidhje me krizën politike në vendin tonë, duket se Bashkimi Europian ka vendosur që këtë situatë ta lërë në dorën e Delegacionit të lartë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së që ndodhet në Tiranë dhe do të vazhdojë negociatat edhe gjatë ditës së sotme. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Ashton, e pyetur nëse do të diskutohet në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së situata politike në Shqipëri, është shprehur se Bashkimi Europian ka çështje më të rëndësishme për të diskutuar. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Ashton tha për mediat se “kiza politike në Shqipëri po rrezikon përparimin e mëtejshëm të vendit”. Ky sinjalizim ka ardhur nga kryediplomatja e BE-së, Ashton, gjatë një fjalimi që mbajti pak ditë më parë në Sarajevë, ku nisi turin e saj në disa nga vendet e Ballkanit. Shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë komentoi zhvillimet në vendet që po integrohen në strukturat europiane. Duke u ndalur në vendin tonë ajo theksoi se “Shqipëria ka bërë përparim shumë të rëndësishëm gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ngërçi i tanishëm politik po vë në rrezik përparimin e mëtejshëm. Unë duhet të them sinqerisht se jam mbështetëse e fortë e dialogut politik dhe bojkoti nuk është një mënyrë për të gjetur zgjidhjet politike”, - deklaroi zonja Ashton. Kryediplomatja e Brukselit përfundoi turin e saj në Ballkan ku vizitoi Sarajevën, Beogradin dhe më pas Kosovën. Në një intervistë për një të përditshme të Beogradit ajo u shpreh se BE-ja e ka në prioritet rajonit dhe i ka dyert e hapura për integrimin e vendeve të Ballkanit.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›