Debatet, pse Berluskoni ka të drejtë ne takimin me Berishen
Albert Gjoka
Berluskoni ka bërë shkaka, apo e kishte seriozisht? Kjo është pyetja që shtrohet edhe sot, pas 10 ditësh, në forume dhe media të ndryshme në lidhje me deklaratën e bërë nga kavalieri Silvio Berluskoni në pallatin “Chigi”, teksa në krah kishte homologun shqiptar Berisha. Opsioni se ishte shaka po zbehet gjithnjë e më shumë, ndonëse fjalët e nxjerra nga goja e Berluskonit ishin tejet të tharta. Në forumin prestigjioz “Alb-Shkenca”, rrjeti i studiuesve shqiptarë nëpër botë, është hedhur ideja se fjalët e kreut të qeverisë së Romës ishin të gjetura në kontekstin që u thanë. Në komentet që vazhdojnë t’u bëjnë frazave pa dorashka diplomatike, thuhet se moratoriumi antiskaf ka bllokuar trafikimin e klandestinëve nëpër Adriatik, por nuk ka bllokuar transportimin e drogës dhe të armëve nga brigjet shqiptare drejt vendit fqinj. Kësaj situate i shtohet edhe rritja e krimit shqiptar në Itali. Shumë prej pjesëmarrësve në debate e shohin deklaratën e Berluskonit jo një shaka, por një kritikë të hidhur që kryeministri italian i bëri homologut shqiptar sy për sy, në prani të mediave të dy vendeve.
Shakaja
“Ne do të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura”. Kështu tha kryeministri Silvio Berluskoni me ironi, në përfundim të konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Në fakt, kryeministri sapo i kishte premtuar se deri në fund të qeverisjes së tij nuk do të hiqej ligji i moratoriumit të skafeve. “Unë nuk dua që trafikantët t’i mbysin shqiptarët në det”, - tha Berisha. Tallet Berluskoni: “Mund të bëjmë një përjashtim, lejohen vetëm ata që sjellin vajza të bukura”.
Kavalieri është treguar ironik edhe me gazetarët shqiptarë që ndiqnin konferencën.
Gjatë fotos zyrtare të shtrëngimit të duarve mes dy homologëve, Berisha është shprehur se “kjo është fotoja më e bukur e ditës së sotme”. “E pra, nëse do të ishin edhe ato …”, - shton Berluskoni, duke treguar me kokë nga rreshti i gazetarëve. Një tjetër mundësi fotoje, dhe Berluskoni nuk i lë shakatë: “Ju e dini se unë jam beqar…”.
Trafiqet
Vetëm pak ditë pas frazave të nxehta në Romë, autoritetet shqiptare dhe italiane bënë të ditur rezultatet e një operacioni antitrafik, të organizuar në katër shtete, ku mes 51 të arrestuarve, shumica dërrmuese, 37, ishin shqiptarë. Kryeprokurorja Ina Rama shkoi në Leçe, ku bashkë me drejtuesit e institucionit të hetimit në Itali bëri të ditura rezultatet e aksionit më të madh antitrafik, të koduar me emrin “Sunrise”. Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës që vepronte në Shqipëri, Greqi, Itali dhe Belgjikë, ishte zbuluar, duke sjellë sekuestrimin e 1.5 tonëve marijuanë dhe 10 kilogramëve heroinë. Edhe në Shqipëri u arrestuan 3 persona, ndërsa katër të tjerë u shpallën në kërkim për implikim në trafiqet mes dy vendeve.
Interpretimet
Gjatë këtyre ditëve janë bërë shumë komente, ku në shumicën e rasteve frazat e Berluskonit i lidhin me natyrën e tij prej qejfliu dhe “beqari” të përjetshëm. Por, ka jo pak raste, kur njerëzit mendojnë se kreu i qeverisë së Romës ka folur seriozisht, duke refuzuar fjalët që sollën shakara të bezdisshme dhe reagime nga mijëra e mijëra persona në blogje, media, apo edhe në rrjetet e shumta sociale. Lluka Qafoku, anëtar i rrjetit “Alb-Shkenca”, thotë se “në vijim të ngjarjeve të fundit, më duket, mund ta shohim në një dritë të re kuptimin e batutës së zotit Berluskoni”. Nga të gjitha mediat shqiptare dhe të huaja u dha lajmi për kapjen nga prokuroria italiane dhe ajo shqiptare e një grupi të madh ndërkombëtar të trafikimit të drogës etj., me në krye shqiptarë. Sipas Qafokut, “ky grup trafikonte drogën në gjithë Europën, nga Afganistani e Shqipëria, duke e bërë të pavlefshëm në fakt ‘moratoriumin’ që deri tani pranohej si sukses(!) i zotit Berisha”. Madje, ai thotë se “po të shihni sërish ‘live’ intervistën e Berluskonit, do të shihni se batuta për femrat vjen pas korrigjimit që i bën Berluskoni Berishës për fjalën ‘La moratoria’". Pikërisht këtë s'ka zbatuar Berisha dhe natyrisht trafiku i përfshin të gjitha (edhe femrat...). Krejt ndryshe nga sa thuhet nga shumica dërrmuese, Qafoku vijon më tej, duke thënë: Ja pse Berluskoni është politikan profesionist dhe ne na duhet t’i durojmë fyerjet kur ato bazohen në indicie e fakte penale ndërkombëtare....
Edhe një tjetër anëtar i rrjetit “Alb-Shkenca” pranon të njëjtën logjikë: “Të jemi të sinqertë me vetveten para se t’i hidhemi në qafë Berluskonit. Një pjesë e madhe prostitucionit europian është në duart e bandave shqiptare”, - thotë F. Gashi në argumentet që jep për debatin që vlon nëpër forume. Sipas tij, “kontrabanda e femrave është një gjë e zakonshme në retinën e shoqërisë shqiptare sot”.
Altin Stafa është njëri nga anëtarët e rrjetit që ka një argumentim përtej deklaratave emocionale. Sipas tij, “në një takim diplomatik të rangut të lartë, në një tjetër kontekst, do të konsiderohej shkak skandali edhe një shprehje më pak emotive. Por konteksti është thelbësor; jo për të justifikuar, përkundrazi, për të nënvizuar peshën edhe më negative të ngjarjes. Ai rendit disa elemente, duke analizuar kontekstin e frazave të thëna nga dy kryeministrat. Mes tyre është raporti personal mes dy kryeministrave, kompleksi i ‘vasalitetit’ që politika shqiptare ka, në mënyrë të veçantë ndaj Italisë, “sidomos kur bëhet fjalë për qeveri të djathta’ dhe së fundi, arketipi i krijuar në ndërgjegjen kolektive të shtresës së mesme italiane, që e konsideron prostitucionin dhe shfrytëzimin e tij në Itali si fenomen ‘made in Albania’. Në këtë kontekst, batuta e Berluskonit është vetëm maja e ajsbergut...”, - thotë Stafa në forumin e Alb-Shkencës.
Jo vetëm deklaratat e kryeministrit italian u bënë pjesë e debateve dhe reagimeve të shumta në mediat shqiptare dhe ato të vendit fqinj. Reagimi që bëri shkrimtarja shqiptare Elvira Dones në “La Republica” u pasuan edhe me reagimin e kryeministrit Berisha, i cili komentoi detaje të jetës private të zonjës, që i kërkoi publikisht Berluskonit të kërkojë ndjesë për fyerjet që u kishte bërë femrave shqiptare.
Box 1
Mijëra anëtarë, brenda pak orësh në Facebook: “Berluskoni, kërko falje!”
Një faqe në Facebook, e titulluar "Berluskoni t'u kërkojë falje grave shqiptare" (Berlusconi chieda scusa alle donne albanesi), ka mbledhur brenda pak orësh mijëra anëtarë, shqiptarë dhe italianë, kryesisht femra, të cilët i janë bashkuar nismës dhe kanë vendosur aty komentet e tyre reaguese. Faqja është klikuar në mënyrë të veçantë pas reagimit të kryeministrit Berisha në Tiranë, i cili, batutat e Berluskonit i ka cilësuar si vlerësime për vajzat plot sharm e plot hire nga Shqipëria. Në forum ka edhe shtetase italiane. Një prej tyre, Enrica Sergi, shkruan për kryeministrin e vet: "... Stupido nano! Indecente, maleducato e disumano...che schifo.." (Xhuxhmaxhuxh idiot, i paedukatë dhe jonjerëzor... Ndiej neveri...".
Trafiqet, shkatërrohet edhe një bandë tjetër shqiptare në Itali
ROMË – Pas përfundimit të operacionit të koduar me emrin “Sunrise”, autoritetet italiane kanë lajmëruar dje edhe një tjetër operacion antitrafik, ku njoftohet shkatërrimi i një bande shqiptaro-marokene e trafikut të lëndëve narkotike. Sipas mediave, hetuesit italianë kanë zbuluar dhe asgjësuar një organizatë, e cila dyshohet të jetë e lidhur me klanet mafioze të Sacra Corona Unita në Puglia. Sipas medias, anëtarët e dyshuar të bandës janë arrestuar në Spanjë, Francë dhe Belgjikë. Bastisjet në bazat e organizatës në Italinë Veriore dhe Jugore kanë zbuluar 700 kilogramë Cannabis dhe sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës. Policia kishte lëshuar 57 urdhër-arresti dhe të paktën 13 veta janë vënë pas hekurave. Banda kryente trafik ndërkombëtar Cannabisi nga Maroku, kokainë nga Holanda dhe heroinë nga Ballkani duke e trafikuar në Itali. Këto operacione tregojnë edhe shqetësimet që kanë nxjerrë në pah raportet e institucioneve ndërkombëtare të specializuara në luftën kundër trafiqeve. Europol-i dhe Interpol-i thonë se Shqipëria vazhdon të jetë pikë tranzite e trafikimit të lëndëve narkotike, ndonëse rrugët tradicionale të transportit të saj nga trafikantët kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit.
23 Shkurt 2010