E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Nuk ka integrim pa reforma të thella

Shefja për politikë të Jashtme flet para Parlamentit Europian: Tre kushtet për Ballkanin

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Katherine Ashton, ka lëshuar paralajmërimin e parë serioz pas ardhjes në postin e saj për Ballkanin. Duke folur në Parlamentin Europian në Strasburg, ku është zhvilluar një seancë speciale për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, baronesha Ashton, ka dhënë mesazhin direkt ndaj liderëve të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Kosovën: Nëse nuk ka reforma të plota dhe në përputhje me standardet nuk ka avancim të rrugës për në Bashkimin Europian. Në fjalën e saj drejtuar eurodeputetëve, kreu i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, deklaroi se “Kam vizituar vendet e Ballkanit Perëndimor së fundmi dhe ky rajon është vendi i lindjes së politikës së jashtme të BE-së. Më shumë se në asnjë vend tjetër ne nuk duhet të dështojmë. Synimi im ka qenë për të krijuar marrëdhënie të mira me liderët politikë, për të inkurajuar shoqërinë civile në lidhje me standardet që duhet plotësuar nëse do t’i përkasësh Europës, si dhe të siguroj koordinimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm të BE-së në terren.

Një konkluzion kam nxjerrë dhe ai është që rajoni bën progres dhe pse ai nuk është i plotë dhe jo në mënyrë të barabartë. Perspektiva europiane mbetet struktura thelbësore dhe objektivi për dy palët, por që të arrihet kjo duhet të ketë shpejtim të reformave”. Baronesha Ashton, duke hyrë në terrenin më konkret të deklaratave të saj për Ballkanin ka dhënë edhe shembuj ku ka përmendur Kosovën dhe Bosnjën për të përcaktuar më qartë mesazhin e BE-së. “Ajo që kam theksuar kudo në Ballkan është që rruga e këtyre vendeve për në Bashkimin Europian varet nga realizimi i reformave në vendin e tyre”, tha Ashton duke përcaktuar tri shtyllat e këtyre reformave: “Në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shtetin ligjor dhe bashkëpunimin rajonal”. Më pas shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, ka përmendur punën që Europa po bën në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Baronesha Ashton më në fund ka lënë çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën ka shpjeguar edhe strategjinë e BE-së, e cila do të jetë: shumëplanëshe në lidhje me instrumentet, por në lidhje me implementimin do të bëhet jo përnjëherë në të gjitha vendet e Ballkanit, por sipas meritave që ato kanë në realizimin e reformave. Ndërkaq, Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë të paraqitur nga kreu i komisionit për politikën e jashtme, italiani Gabriele Albertini, në të cilën një vend i veçantë i kushtohej Ballkanit. Në këtë dokument, në krye të listës qëndron kushti i shtetit ligjor për Ballkanin Perëndimor për të ecur në rrugën e integrimit. Ndërkaq, më tej theksohet se “integrimi europian varet nga reformat, arritja e kritereve të Kopenhagës dhe vetëm në këtë kohë duhet nisur procedurat e anëtarësimit. Albertini ka rekomanduar mbajtjen e një konference për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbledhë së bashku vendet e rajonit dhe aktorët globalë për të identifikuar dhe adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni. E njëjta linjë është shtruar edhe në diskutimin e raporterit, Arnaud Danjean, i cili ka hartuar rezolutën e paraqitur. Qëndrimet e dala dje nga Parlamenti Europian, ku ka folur numri dy i BE-së, Katherine Ashton, ka përforcuar edhe më shumë bindjen se kalimi i hapave të radhës për në BE, jo vetëm nuk do të jetë më i lehtë se ç’pritej, por do të hajë edhe më shumë kohë. Shqipëria ende nuk ka zbatuar reformat bazë për të marrë notën kaluese që të marrë OK nga Komisioni Europian për statusin e vendit kandidat. Siç e ka deklaruar vetë kreu i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan: “Funksionimi i plotë i demokracisë, është dera primare për të kaluar në hollin e radhës së Bashkimit Europian”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›