E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Përfundoni procesin zgjedhor që të angazhoheni për BE

TIRANË- Zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe perspektiva e vendit drejt Integrimit Evropian kanë qenë në qendër të takimit mes zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropan Catherine Ashton.

Dy zyrtarët e lartë morën pjesë në punimet e Ministerialit të Komunitetit të Demokracive mbajtur në Lituani. Sipas njoftimit të zyrës për shtyp nga Ministria e Jashtme Baronesha Ashton theksoi se sa më shpejt që të përfundojnë diskutimet mbi zgjedhjet vendore aq më mirë do të jetë, me qëllim që forcat të përqëndrohen mbi realizimin e 12 prioriteteve, dhe më tej mbi procesin e integrimit evropian.

Sipas saj, duhet të zgjidhet çështja e zgjedhjeve për tu përqëndruar në çështjet e axhendës Evropiane. Sipas Baroneshës Ashton, të gjitha vendet kanë problemet e tyre, përfshi edhe Shqipërinë, por e rëndësishme është se si kërkohet dhe gjendet zgjidhja e tyre.

Ndërkaq nga ana e tij Ministri Haxhinasto theksoi se tani është koha që institucionet e pavarura të thonë fjalën e tyre dhe më tej partitë të angazhohen në reformën zgjedhore.

“Rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe angazhimi dhe konsulenca e ODIHR dhe i Komisioninit të Venecias, janë më se të mirëpritura, ashtu siç është bërë edhe më parë në hartimin e ligjeve apo dhe vetë kushtetutën e vendit”,-deklaroi Ministri i Jashtëm shqiptar.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›