E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton në Kosovë: Thaci burrë shteti. Miratoni ligjin për Amnisti

PRISHTINE-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimti Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton nisi sot vizitat në Kosovë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton takoi Presidenten Atifete Jahjaga dhe me pas me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Edhe takimi me Thacin u mbajt me dyer të mbyllura, ndërkaq Ashton pritet që sot të takohet edhe me përfaqësues të opozitës ku do të diskutohet ratifikimi i Ligjit për Amnisti, por edhe pika të tjera të marrëveshjes se arritur në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Dacic.

Një një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Thaci, baronesha Ashton vlerësoi maksimalisht punën e bërë nga qeveria kosovare. Madje Ashton theksoi se është në dijeni të përpjekjeve që ka kaluar Thaci qe sipas saj jane bere në tentativën për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.

“Keni treguar lidership dhe keni punuar me zell dhe keni dhënë shumë nga vetja për të cuar para këtë proces. Besoj se shumë nga ju, do keni pushime verore dhe shumë prej jush si këtu, si në Beograd.
Dy gjëra dua të them sot këtu, e para, është e mrekullueshme që jam këtu dhe e dyta e ngazëllyer që Këshilli ka marrë vendimin që ka marrë dhe ju përgëzoj juve i dashur kryeministër, ju është dashur shumë guxim të bëni ato që iu kërkohen, por ju jeni një burrë shteti i vërtetë”, tha Ashton para mediave kosovare.

Ndërsa kur është pyetur nga gazetarët se Ligji për Amnisti ka dalë nga dialogu dhe nëse përmes tij do të amnistohet krimi në tërë vendin, Ashton ka theksuar shkurt vetëm se “me rëndësi është miratimi i ligjit”.

“Nuk dua të hyj në debate për përmbajtjen e brendshme të projektligjit të hartuar nga Qeveria. Kjo i mbetet kryeministrit, qeverisë së tij dhe Kuvendit, mirëpo dua të them se miratimi i tij është i rëndësishëm”, tha Ashton.

Duke folur për të njëjtin projektligj, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e prillit dhe dialogu përfshirë këtu edhe miratimin e projektligjit për amnisti.

“Ftoj të gjithë që t’i lënë anash interesat elektorale apo partiake, por ta mbështesin ligjin”, tha kryeministri.

Thaçi tha gjithashtu se Kosova nuk është vendi i parë që po e miraton një ligj të tillë.

“Këtë ligj e ka miratuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina madje edhe Serbia në vitin 2001. I ftoj të gjithë ata që kanë dyshime që ta lexojnë ligjin serish dhe ta lexojnë mirë. Ligji për amnisti është akt politik drejt pajtimit dhe paqes drejt njerëzve. Në rrethanat çfare jemi ne dhe duke marrë për bazë edhe marrëveshjen e prillit miratimi i këtij ligji është standard”, tha ai.

Thaçi dhe Ashton po ashtu kanë folur edhe për arritjet e deritanishme të dialogut dhe për takimin e fundit në Bruksel duke thënë se ka mbetur edhe disa çështje teknike për t’u formalizuar sa i përket çështjes energjisë dhe telekomit.

E pyetur në rast se beson se palët do të arrin miratimin e marrëveshjes së prillit në afatet e përcaktuara kohore Ashton u përgjigj:
“Po, unë besoj”, tha ajo duke qeshur.

ASHTON NE BEOGRAD
Ashton dje qëndroi në Beograd, ku takoi udhëheqësit më të lartë serbë.
Në Beograd ajo deklaroi se pas vendimit historik, siç vlerësoi ajo, të Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë, tani duhet zbatimi i marrëveshjes për normalizim.

“Puna kryesore per të cilën tani duhet bërë është zbatimi i marrëveshjes”, tha Ashton duke theksuar se procesi teknik i transferimit të vendimeve politike në praktikë nuk është i lehtë.

Ajo vlerësoi se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, është i domosdoshëm për jetë më të mirë të banorëve në të dy vendet.

Gjatë qëndrimit në Beograd ajo u takua me zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Presidenti Tomisllav Nikollic tha se me mundesi Prishtina dhe Beogradi nuk do të kishin qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje pa Bashkimin Evropian dhe porositi se kjo është marrëveshje “për bashkëpunimin e ardhshëm më të mirë, nëse jo të fëmijëve tanë, atëherë të fëmijëve të fëmijëve tanë”

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Serbia pret presion të Ashtonit për miratimin e Ligjit për Amnisti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›