E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton së shpejti në Tiranë

Nga Express më 12 shkurt 2011 në ora 12:15

Bashkimi Evropian po përgatitet për të ndërhyrë intensivisht në atë që për ta quhet “kriza shqiptare”.

Pas dy takimeve të të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë çështje, Miroslav Lajcak, evropianët kanë vendosur ta rrisin nivelin e përfaqësimit në Shqipëri, duke dërguar në Tiranë përfaqësuesen e lartë të Punëve të Jashtme dhe Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.

Vizita e saj në Shqipëri pritet të konkretizohet javën e ardhshme, pas përfundimit të vizitës së Ashton në Tunizi.

Gjatë kësaj vizite, që pritet të jetë e shkurtër, Ashton do të takojë krerët më të lartë të politikës në vend, Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bamir Topi dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Duket se misioni i Baroneshës Ashton do të përqendrohet në uljen e palëve në një tryezë për të gjetur edhe një marrëveshje, e cila do të siguronte zgjidhje të krizës politike.

Pas dy vizitave që i dërguari i saj për Shqipërinë, Miroslav Lajcak ka zhvilluar me secilin nga aktorët politikë të përfshirë në këtë konflikt, Ashton duket se ka mbi tryezën e saj të punës të gjithë informacionin e nevojshëm që duhet për të analizuar situatën dhe për të evidentuar pikat e qarta që i mbajnë palët larg njëra- tjetrës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›