E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia shqetëson Evropën Juglindore

Nga Express më 12 shkurt 2011 në ora 12:48

Një zyrtar i lartë amerikan theksoi se Polonia dhe vendet e tjera të Evropës Lindore kanë shprehur shqetësim për lëvizjet ushtarake të Rusisë në Kaliningrad, një enklavë ruse në rajonin Baltik.

Ndihmës sekretarja e shtetit për kontrollin e armëve, Rose Gotemoeler, i bëri këto komente gjatë vizitës së saj në Varshavë.

Ajo nuk dha komente mbi njoftimet se Moska mund të ketë një arsenal armësh taktike bërthamore në Kaliningrad, enklavë kjo e cila ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë në Detin Baltik.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se duan të fillojnë bisedimet me Rusinë, mbi reduktimin e rezervave ushtarake të këtyre armëve.

Ndihmës sekretarja e shtetit i bëri komentet pas takimit me zyrtarët polakë në Varshavë. Ajo më herët vizitoi edhe shtetet e Baltikut, Lituaninë, Estoninë dhe Letoninë.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia e finalizuan Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike START javën e kaluar.

Ky traktat ishte nënshkruar vitin e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe të Rusisë, Barack Obama dhe Dimitri Medvedev, për tu ratifikuar më pas, pas shumë ngecjeve, nga Kongresi amerikan dhe Duma ruse.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›