Asistenca, Sulka: Si do funksionojë skema me ligjin e ri
Varfëria ekstreme në vendin tonë do të marrë fund brenda vitit të ardhshëm dhe kjo do të bëhet e mundur falë reformimit të skemës së ndihmës ekonomike. Ky objektiv i shpallur i qeverisë, është përkrahur edhe nga strukturat drejtuese të Ministrisë së Punës, të cilat besojnë se me ndryshimet e bëra në projektligjin e ri për ndihmën ekonomike do të arrihet në plotësimin e tij. Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, zbardh në një intervistë për gazetën të gjitha detajet e projektligjit të ri për ndihmën ekonomike, në të cilin parashikohen një sërë risish, duke filluar që nga lehtësimi i kritereve të përfitimit e deri të kompjuterizimi i skemës. Sipas zëvendësministrit të Punës, me ndryshimet që janë parashikuar në ligj synohet një përfshirje më e gjerë e shtresave në nevojë, nëpërmjet një fleksibiliteti më të madh të kritereve të përfitimit të ndihmës ekonomike, pikërisht për të shmangur në maksimum përjashtimin e familjeve realisht të varfra dhe pa të ardhura.
Prej disa javësh po flitet për një nismë të ndërmarrë nga Ministria e Punës për reformimin e skemës së ndihmës ekonomike, të njohur ndryshe edhe skema e kundër varfërisë. Në ç'fazë ndodhet kjo nismë?
Në fillim do të doja të theksoja se nisma ka të bëjë me objektivin e shpallur nga kryeministri Berisha për zhdukjen e varfërisë ekstreme apo mjerimit në Shqipëri, dhe në këtë kuadër ka disa ndërhyrje, njëra prej të cilave është edhe ndryshimi i skemës së ndihmës ekonomike që administrohet dhe rregullohet nëpërmjet ligjit përkatës dhe një sërë akteve të tjera ligjore dhe nënligjore. Ligji nr. 9355 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, së bashku me aktet e tjera ligjore dhe nënligjore përbëjnë strukturën e politikave që mbulojnë familjet në nevojë dhe individë të caktuar me karakteristika specifike, siç janë jetimët, femrat e trafikuara etj. Drafti i projektligjit ka përfunduar, është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe tani ndodhet në tryezën e deputetëve për t’u diskutuar dhe miratuar. Projektligji ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë dhe atë të Punës dhe pritet të kalojë shumë shpejt edhe në seancë plenare në Parlament për miratimin përfundimtar. Siç edhe shikohet nga emri i ligjit, ai mbulon edhe shërbimet shoqërore, por në ndërhyrjet dhe përmirësimet që i kemi bërë ligjit kemi parashikuar rregullime specifike dhe të rëndësishme, veçanërisht në funksionimin e skemës së ndihmës ekonomike.
Cili është qëllimi i këtij reformimi dhe a do të ketë kritere më të forta për përfituesit? Nëse po, nuk mendoni se kjo do të përjashtonte mjaft familje të cilat aktualisht janë në varfëri?
Me ndryshimet që kemi parashikuar në ligj synohet një përfshirje më e gjerë e shtresave në nevojë, nëpërmjet një fleksibiliteti më të madh të kritereve të përfitimit të ndihmës ekonomike, pikërisht për të shmangur në maksimum përjashtimin e familjeve realisht të varfra dhe pa të ardhura. Ligji aktual ka të vendosura kritere strikte për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe qëllimi i ligjvënësit ka qenë “administrimi me dorë të fortë” i fondeve buxhetore të parashikuara për të varfrit dhe pastrimin e skemës nga abuziviteti. Kjo ka sjellë që të përjashtohet nga skema e mbështetjes me të ardhura çdo familje e cila ka së paku një anëtar të saj në emigracion, posedon një makinë, e kështu me radhë, edhe pse mund të konstatohet se ajo familje realisht është e varfër dhe nuk ka të ardhura, ose ka të ardhura të pamjaftueshme. Pikërisht, për të shmangur këtë nonsens, ne kemi propozuar në ndryshimet ligjore aplikimin e një sistemi të ri të pikëzuar, i cili do të bazohet mbi gjendjen faktike të familjes. Pra, me ndryshimet e propozuara, një familje mund të ketë një makinë, por në përputhje me formulën që do të aplikohet, shumatorja e pikëve e lejon të përfshihet në skemën e mbështetjes me ndihmë ekonomike. Thënë më thjesht, në kushtet kur familja nuk ka asnjë të ardhur tjetër, ekzistenca e makinës nuk supozon pasuri, por një gjendje të mirë ekonomike më parë dhe ajo do të përfitojë nga mbështetja me të ardhura. Familjet që janë në këtë kategori përbëjnë një shifër të vogël, prej 1.2%, por që është shumë sensitive për një shoqëri. Në këto kushte përballemi me një problem serioz social dhe një problem të madh teknik apo administrativ, pasi duke qenë shumë i vogël është shumë i vështirë identifikimi dhe nxjerrja e këtij grupi nga kjo gjendje. Për këtë arsye, kriteret e propozuara janë më përfshirëse dhe më elastike dhe në të njëjtën kohë, për të mos lënë jashtë objektivit për të nxjerrë nga varfëria çdo familje, ne nuk e kemi llogaritur si 1.2% të popullsisë në varfëri ekstreme, por 5%, me qëllim që të kemi siguri që ky kontingjent (pra 1.2%) do të jetë patjetër pjesë e trajtimit me ndihmë ekonomike. Nga ana tjetër, mbetet një detyrë më e madhe administrimi më i mirë i fondeve dhe përgjegjshmëria në shpërndarjen e tyre. Këtë synojmë ta realizojmë duke investuar në kompjuterizimin e kontrollit të këtyre kritereve, pasi duke qenë se do të kemi më shumë fleksibilitet, rritet mundësia që abuzuesit e skemës të përfitojnë pa të drejtë. Informatizimi nënkupton që do të kemi një bazë të dhënash në dispozicion, e cila do të na japë mundësinë që ne të kontrollojmë të gjitha institucionet e tjera për vërtetësinë e informacionit. Kështu, informacioni për pronësinë e makinës do të kontrollohet direkt nga Drejtoria e Patentave dhe kontrollit të automjeteve, po ashtu nga Tatim-Taksat do të kontrollohet informacioni mbi zotërimin ose jo të ndonjë biznesi etj. Kompjuterizimi i skemës do të bëjë të mundur që çdo kriter të kontrollohet në mënyrë të përqendruar, nëse dikush po gënjen apo jo në deklarimin e tij.
Po të rejat e tjera që sjellin ndryshimet ligjore? A do të ketë grupe të tjera që do të përfshihen në skemë?
Në grupet që përfitojnë ndihmë ekonomike janë parashikuar edhe jetimët dhe viktimat e dhunës në familje. Këto grupe do të jenë përfitues direkt të skemës së ndihmës ekonomike, dhe më herët janë përfshirë edhe grupe të tjera shoqërore. Në këtë moment, do të doja të theksoja se, sipas disa studimeve, administrimi i kësaj ndihme në kushtet e familjes nga gruaja jep më shumë përfitim për familjen, pasi është nëna ajo që është e angazhuar më shumë në mbarëvajtjen e familjes dhe mirëushqyerjen e saj, në krahasim me bashkëshortin. Për të rregulluar këtë situatë, ne kemi futur konceptin e personit që jep kujdesin për familjen, në vend të konceptit kryefamiljari, dhe po mundohemi ta fusim këtë koncept në formularët e aplikimit të ndihmës ekonomike. Më vonë synojmë që ndihmën ekonomike të mund ta tërheqë dhe femra, për arsyet që thamë më parë.
Po ashtu, ndryshimet ligjore parashikojnë edhe pagesë ekstra për fëmijët e familjeve në ndihmë ekonomike, të cilët ndjekin arsimin e detyrueshëm.
Reformimi i skemës ka pasur qëllim që të jetë thjesht më përfshirës (pra jo përjashtues) apo është parashikuar edhe rritja e mbështetjes, pra i të ardhurave për familjet e varfra?
Sigurisht që synimi kryesor është të nxjerrë familjet nga gjendja e varfërisë ekstreme mbi këtë nivel. Në këtë këndvështrim është rritur fondi që do të synojë mbështetjen e familjeve të varfra, dhe po kështu, duke u ulur numri i abuzuesve, do të rritet më shumë pagesa për familje.
Për herë të parë, në draft-ligjin e ri është futur edhe koncepti i kujdestarisë së fëmijëve? Ç'është kujdestaria dhe si do të realizohet ajo?
Deri tani forma kryesore e trajtimit të fëmijëve jetimë ka qenë ajo institucionale, pra strehimi pranë shtëpive të fëmijës. Kjo formë, përveç faktit që i mbështet këta fëmijë, ka demonstruar që sjell probleme, pasi krijon stereotipe institucionale që i shoqërojnë këta fëmijë gjatë gjithë jetës. Mendohet se të jetuarit pranë një familjeje kujdestare është më pranë familjes natyrore dhe korrigjon shumë nga problemet që shfaqen në rastin e institucionit. Ligji parashikon mbështetjen e familjes kujdestare me një pagesë mujore, e cila mbulon nevojat për mirërritjen e fëmijës.
Administrimi i kësaj ndihme në kushtet e familjes nga gruaja jep më shumë përfitim për familjen, pasi është nëna ajo që është e angazhuar më shumë në mbarëvajtjen e familjes dhe mirëushqyerjen e saj, në krahasim me bashkëshortin. Për të rregulluar këtë situatë ne kemi futur konceptin e personit që jep kujdesin për familjen, në vend të konceptit kryefamiljari dhe po mundohemi ta fusim këtë koncept në formularët e aplikimit të ndihmës ekonomike. Më vonë synojmë që ndihmën ekonomike të mund ta tërheqë dhe femra.
Varfëria ekstreme zhduket brenda 2012
Kur do të hyjnë në fuqi ndryshimet dhe a do të jenë ato në gjendje të përmbushin premtimin e qeverisë për zhdukjen e varfërisë ekstreme deri më 2012?
Duke qenë se ndryshimet që i janë bërë ligjit janë në një masë të tillë saqë transformojnë pothuaj tërësisht skemën e mbështetjes me të ardhura për familjet në nevojë, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit ne mendojmë ta aplikojmë fillimisht me pilotim dhe pastaj ta shtrijmë në të gjithë vendin. Kjo është një reformë shumë e thellë dhe, mbi të gjitha, ka si objektiv një grup të shoqërisë që do një vëmendje të veçantë dhe, për rrjedhojë, kemi menduar që gjatë kësaj kohe pilotimi të asistohemi nga ekspertë ndërkombëtare të Bankës Botërore. Ne besojmë se do ta përmbushim këtë objektiv të qeverisë për zhdukjen e varfërisë ekstreme brenda vitit 2012.