E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat shëndetësore, zbardhet skema e abuzimit me pacientët

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-03-2011 15:10

Drejtorët e disa qendrave shëndetësore kanë shkelur kontratat e nënshkruara me Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, duke abuzuar në këtë mënyrë edhe me shërbimin që u ofrojnë pacientëve. Burime zyrtare nga ISKSH bëjnë të ditur se gjatë vitit 2010 nga ana e Drejtorisë së Kontrollit të Parësorit dhe Farmacive janë kontrolluar 166 qendra shëndetësore (Q. Sh) që kanë kontratë me DRSKSH-të Fier, Tiranë, Berat, Vlorë, Shkodër, Korçë, Dibër, Elbasan, Lezhë, Kukës. Kështu, sipas ISKSH-së, nga 1106 mjekë, të cilët kanë kontratë me këto DRSKSH, janë ushtruar kontrolle të plota dhe tematike në 366 subjekte (drejtorë të Q. Sh.-ve, mjekë të përgjithshëm familjeje, mjekë specialistë dhe mjekë pediatër). Gjatë kontrolleve në rajonet e Fierit, Elbasanit, Kukësit, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës është konstatuar se një pjesë e drejtuesve të Q. SH. nuk i zbatonin detyrimet kontratuale për pajisjen e qendrave me të gjithë barnat e urgjencës dhe të mjekimit, si dhe nuk zbatonin sistemin e referimit në shërbimet shëndetësore. Në rajonin e Tiranës, nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit 2010 konstatohet se në lidhje me regjistrimin e banoreve të rinj që paraqiten në Q. SH., nuk zbatohen procedurat për regjistrimin e popullatës, që rrjedhin nga udhëzimi nr. 15 datë 30.06.2009 “Mbi shërbimet shëndetësore të kontraktuara me ISKSH”. Sipas ISKSH-së, problemet më kryesore të evidentuara janë: shkelje të kufizimeve të listës se barnave; shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe akteve të ISKSH-së për disa barna të veçanta; mungesa të theksuara të kartelave klinike me ekzaminimet laboratorike dhe imazherike në ndihmë të vendosjes së diagnozës dhe përcaktimit sa më të saktë të mjekimit; mjekët nuk argumentojnë siç duhet rastet e reja dhe ato me ndryshim terapie, por bazohen thjesht në rekomandimin e mjekut specialist dhe jo në bazë të argumentimit të tyre profesional dhe ekzaminimeve të domosdoshme laboratorike, sipas protokolleve të përdorimit të barnave; kryerje të vizitës për persona të pasiguruar pa tarifat përkatëse të miratuara. Përveç qendrave shëndetësore, ISKSH ka ushtruar kontrolle edhe në farmaci e agjenci farmaceutike, të cilat kanë kontratë me këto DRSKSH. Kështu, nga 830 farmaci e agjenci farmaceutike, në 296 prej tyre janë ushtruar kontrolle tematike dhe me inventarizim. Ndër shkeljet e konstatuara nga ISKSH mund të përmendim: vazhdohet të tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin ligjor, duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i patur gjendje në farmaci në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në; mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale; tregtim të branave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci; praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë, duke mos qenë prezent pacienti; mungesa e drejtuesit teknik apo farmacistit të lartë të deklaruar në DRSKSH, si edhe diferenca në minus në disa subjekte farmaceutike. Po ashtu, janë kontrolluar edhe 60 depo importuese dhe distrubutore dhe ndër problemet që vlen të theksohet është mosdeklarimi i saktë nga ana e depove nëpër faturat e shitjes të serisë dhe datës së skadencës së barit, mbi këtë problem është ushtruar kontroll për vërtetësinë e këtyre elementëve.

Problemet e evidentuara

Qendrat shëndetësore

Shkelje të kufizimeve të listës së barnave.

Shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe akteve të ISKSH-së për disa barna të veçanta.

Mungesa të theksuara të kartelave klinike me ekzaminimet laboratorike dhe imazherike në ndihmë të vendosjes së diagnozës dhe përcaktimit sa më të saktë të mjekimit.

Mjekët nuk argumentojnë siç duhet rastet e reja dhe ato me ndryshim terapie, por bazohen thjesht në rekomandimin e mjekut specialist.

Kryerje të vizitës për persona të pasiguruar, pa tarifat përkatëse të miratuara.

Farmacitë dhe agjencitë farmaceutike

Vazhdohet të tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin ligjor, duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i patur gjendje në farmaci, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në.

Mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale.

Tregtim të branave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci.

Prani e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë, duke mos qenë prezent pacienti.

Mungesa e drejtuesit teknik apo farmacistit të lartë të deklaruar në DRSKSH si edhe diferenca në minus në disa subjekte farmaceutike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›