FMN: Statistikat në Shqipëri progres, të rritet besueshmëria
Një raport i fundit I Fondit Monetar Ndërkombëtar për zhvillimet e statistikave në Shqipëri dhe Gjeorgji, vlerëson se, është bërë progres në lëmin e statistikave, por vihet në dukkje mungesa e kordinimit me institucionet dhe agjencitë dhe një kredibilitet më i madh i INSTAT
Shqipëria ka bërë progres në lëmin e statistikave në vitet e fundit, mirëpo për të arritur një kredibilitet në këtë drejtim duhet edhe më shumë përmirësim në pavarësinë e institucionit, çka do të thoshte më shumë besueshmëri, thuhet në një raport të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për zhvillimet e statistikave në Shqipëri dhe Gjeorgji. “Shqipëria ka bërë një progres substancial, në zhvillimet e statistikave vitet e fundit, si rezultat i asistencës së FMN, theksohet në raportin e Fondit. Shqipëria ka qenë targetuar si një kanditad potencial për t’u përfshirë në standardet e statistikave të FMN, mirëpo rruga ishte e bllokuar për shkak se, ka pasur probleme në publikimin e vonë të disa lloj statistikash. Mirëpo gjendja ka ndryshuar vitet e fundit. Në fillim të vitit 2006, Shqipëria paraqitej me një fytyrë mikse në lëmin e statistikave dhe me probleme të mëdha në lëmin e llogarive kombëtare. Këto të fundit janë në fokusin e asistencës teknike të FMN. Ndërkohë që përmirësime janë shënuar edhe në publikimin e disa treguesve, që kanë të bëjnë me tregtinë e jashtme. Publikimi i treguesit është shpejtuar në kohë, ndërkohë që tashmë prej dy vjetësh Shqipëria publikon ritmet e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, me bazë tremujore. Mirëpo FMN e vëren ende si një problem shumë të madh mungesën e koordinimit për çështjen e statistikave. Raporti i vlerësimit të Fondit verën se, nuk ka një bashkëpunim me agjencitë respektive për të koordinuar punën, në mënyrë që të dhënat shifrore për shumë tregues të jenë më të shpejtë në kohë. Ndërkohë që raporti vëren se, Fondi Monetar Ndërkombëtar është i vetmi institucion trajnues për INSTAT në Shqipëri, duke këshilluar që duhet të gjenden burime të reja për trajnimin e stafit. Një çështje shumë e rëndësishme dhe delikate për përmirësim mbetet kredibiliteti i të dhënave. Për shkak që në takimet që ka pasur Fondi në Shqipëri është mësuar se, ka një histori që qeveritë janë përfshirë në çështjen e statistikave, ndërkohë që ana ligjore favorizon këtë, për shkak se, INSTAT është në varësi të qeverisë. Nisur vetëm nga statusi ligjor që ka INSTAT, kredibiliteti vihet në dyshim. Mirëpo kredibiliteti i shifrave mund të përmirësohet me një transparencë më të madhe, në lidhje me inflacionin dhe GDP tremujore. Ndërkohë që FMN vëren se, statistikat në vendin tonë do të shënojnë përmirësim të mëtejshëm, si rezultat i detyrimeve që lindin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Statistikat makroekonomike të shëndosha janë thelbësore për një politikë-bërje të aftë dhe për besimin e investitorëve. FMN vlerëson se, megjithë progresin, ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësim të mëtejshëm. Në mënyrë të veçantë, autoritetet duhet të konsiderojnë një rritje të ndjeshme të burimeve për INSTAT-in, me qëllim që të rritet cilësia e burimeve të të dhënave të disponueshme, jo vetëm jashtë administratës publike, por edhe brenda saj, si dhe për të lehtësuar përpunimin e të dhënave, menaxhimin dhe analizën.