Ky do të ishte një nderim dinjitoz i viktimave të pafajshme
Gërdeci, ishte një tragjedi me plot kuptimin e fjalës, por njëherësh edhe një krim shtetëror. Ish-presidenti Moisiu, ushtarak i vjetër, me të drejtë thotë që dikush, për të përfituar ekonomikisht, përdori ushtrinë, institucionet e sigurisë dhe shtetin për trafikim armësh dhe ky është një nga llojet më të rënda të krimeve në një shtet demokratik.
Unë kam besuar e besoj se ushtarakët më shumë se përgjegjës janë viktima të politikës dhe individëve politikë të papërgjegjshëm, të cilët e përdorën ushtrinë për abuzime nga më të pashembulltat, i kthyen pasuritë e ushtrisë në pronë të tyre.
Prokuroria do të ketë aftësinë dhe përgjegjësinë të zbardhë të vërtetën deri në fund. Kushdo që është implikuar, pavarësisht nga posti dhe pozita në hierarkinë e shtetit, duhet të përballet me drejtësinë.
Ky dhe vetëm ky do të ishte një nderim dinjitoz i viktimave të pafajshme të Gërdecit, por edhe një shenjë e qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë se kemi një shtet të së drejtës që vepron në mbrojtje të Kushtetutës e të ligjit.
Rezultati i hetimit të Gërdecit dhe vënies përpara përgjegjësisë së rreptë ligjore të përgjegjësve, ose do ta rrisin besimin e popullit te Drejtësia, ose do ta dëmtojnë atë përfundimisht.