Askush nuk kërkoi ndjesë për ekzekutimin e Havzi Nelës
Me rastin e 25-vjetorit të varjes së martirit në Kukës
Ministria e Kulturës, pavarësisht se 25-vjetori i flijimit të Havzi Nelës përkoi në një kohë kritike kur kryeministri ende në fuqi, e jetësoi premtimin e tij se zgjedhjet do të ishin të lira e të ndershme, bëri një aktivitet të lavdërueshëm, të përkujtimit publik të njërit prej intelektualëve më të guximshëm të himnizimit të fjalës së lirë, që u ndëshkua me varje në litar, në qendër të qytetit të Kukësit. Havzi Nela, poet antikomunist dhe autor ditarësh emocionues, i arratisur bashkë me gruan e tij në Jugosllavi, me qëndrimin e papërkulshëm që mbajti ndaj organeve të UDB-së që u orvatën t’i detyronin të vinin, burrë-grua, firmën për bashkëpunim, çifti nuk e pranoi me indinjatë këtë kurth. Kjo tregon një trimëri të rrallë, por edhe një atdhedashuri emblematike, që të mos rekrutoheshin e të bëheshin veglat e një organi të neveritshëm kundër vendit të tyre. Paçka se ky vend ishte mbytës i fjalës së lirë. Vetëm për këtë akt ndershmërie, Havziut duhej t’i kursehej jeta. Ai u ekzekutua në prag të ndërrimit të sistemeve. Pasardhësit të Enverit, Ramizit, duhej t’i rëndonte në ndërgjegje ky akt mizorie, që të kujton qëndrimin antikosovar të Tivarit ku antishqiptarët e Beogradit vranë rreth 4500 kosovarë të rekrutuar, kinse, për vazhdimësinë e luftës kundër ushtrisë hitleriane, në tërheqje! E.H.-a kishte kërcënuar shifrantin që i pruri lajmin e kobshëm, që të ruante të fshehtën e kundërkombëtarizmit të të dy hierarkëve të mëdhenj komunistë, “Përndryshe do t’i ikte koka!”. Por shifranti, me ndërrimin e sistemeve, e nxori të vërtetën në shesh....
Firmëtarët që e çuan në varje në litar poetin, bashkëshortja e tij Lavdie Nela i përmend emër më emër. Ndërmjet këtyre emrave, gjendet edhe emri i babait të Edit, Kristaq Ramës, bashkë me firmën e tij përbri. Gazeta “55” (por edhe gazeta të tjera) e kanë dhënë në ‘fac símile’. Kur E. Rama mblodhi në një sallë në ShBA edhe ish-të përndjekur politikë, njëri prej tyre e pyeti bash për këtë argument, që implikonte babën e propagandistit në tubim. Edi Rama ia nisi kundërsulmit me zgurdullim të syve dhe me gjestikulacionet e tij të zakonshme, duke thënë se këto janë shpifjet e PD-së. Por pyetësi ngulmoi dhe po kërkonte në çantë dokumentin. Ndërkaq dy veta iu afruan dhe i thanë pyetësit se ishte provokator, që kërkonte të prishte atmosferën e mbledhjes. Kurse Rama, nga tribuna, ushtoi: - Pyetje tjetër!
Ishte koha e përçapjeve për të futur pyka në radhët e ish-të përndjekurve. Më vonë, një nga ofiqarët e Ramës, që kishte pritur në zyrë një grup ish-të përndjekurish që kërkonin kompensimet e burgjeve si edhe shtëpitë e dokumentuara me pronësi ligjore të prindërve, - ku banonin ish-të privilegjuar në katet e sipërme, kurse në bodrumet me lagështirë banonin ata vetë që nga kohë të hershme, - kishte marrë këtë përgjigje: - Shkoni ia kërkoni këto PD- së, se né nuk iu kemi premtuar gjëra të tilla!
Më tej akoma na del “Kurbani”, mohues i “Refleksioneve”, në të cilin ato shprehjet e një investigatori gjyqesh (tashmë aleat i Ramës), kishte paraqitur me hollësira në gazetën e tij të gjithë gjyqin e E. Ramës ndaj ish-bashkëshortes së tij të parë, të dokumentuar me fotokopjime nga seancat gjyqësore, me ato fjalët skandaloze te mohimit të djalit nga i ati (Edi), që mëtonte se, sipas tij, ishte i biri i Kristaqit!... (e ç’ta zgjatim më shumë)... E të gjitha këto në librin e mashtrimeve ia kishte vënë në gojë kundërshtarit të tij politik, Dr. Berishës! Kurse gazetarin, që e kishte ngritur bajagi tirazhin gazetës së tij, sa e prekte me pupël në “Kurban” si person jo të... etikës! Nëse “Kurbanit”, që po na përkthehet në turqisht, do t’i përçohet lexuesve turq, me pak fragmente nga libri i tij i parë (i ekskomunikuar nga autori!), atëherë lexuesit turq do të kuptojnë sesa ‘koherent’ është ky fukara, me 3000 dollarë në bankë (!) e me shtëpi më qira(!) që, vetëm për një helikopter, të porositur në Itali e të shfrytëzuar prej tij më pak se një orë për propagandë zgjedhore, paska shpenzuar 115.000 $!
Folëm për firmuesit e ekzekutimit të njërit prej intelektualëve më të spikatur të mbrojtjes së fjalës së lirë, Havzi Nelës. Në mbrojtje të kësaj fjale, kanë humbur jetën edhe të tjerë. Po përmendim disa prej tyre, ndonëse janë shumë, tepër madje: Namik Mehqemea, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferri, D. Nré Zadeja, Xhelal Koprencka, FadilKokomani; Vangjel Nezha, Sazan Hadëri… Intelektualë të tjerë me talent, kanë vuajtur burgjeve, kampeve të përqendrimit, kënetave të vdekjes, përveç studentit të ri, njërit prej themeluesve të PD-së, oratorit të zjarrtë të demokracisë, Azem Hajdarit: Musine Kokalari, Visar Zhiti, Lavdie Nela, Osman Kazazi, Pjetër Arbnori, at Zef Pllumi, Arshi Pipa, Mustafa Greblleshi, Uran Kostreci, Uran Butka, Luan Myftiu, Engjëll Kokoshi, Beqir Ajazi, Sami Repishti, Adem Allçi, Mëhill Gjinaj, Reshat Kripa, Agim Musta, Dhori Gernjoti, Isuf Luzaj, Mehmet Tepelena, Bardhyl Vuçiterna… Kanë dhënë kontribut për mbrojtjen e demokracisë, kundër paudhësive të komunizmit të kamufluar e të hapur në vendin tonë, Prenk Gruda, Mexhit Kokalari, Sejdi Peka, Enver Memisha... pa mundur dot të përmendim të gjithë ata që e vunë penën e tyre në shërbim të demokracisë së kërcënuar.
***
Në këtë tubim të ministrisë, ishte e pranishme edhe bashkëshortja” e Havzi Nelës, Lavdie Nela, e cila dha një intervistë për një prej të përditshmeve tona; një punë me vlerë kjo, sepse e intervistuara fliste për herë të parë pas 25 vitesh të varjes në litar të Havziut. Shumë baltë ishte hedhur ndaj saj prej manipulatorëve të së vërtetës. Ajo ishte një kërcimtare 15-vjeçare nga Shistaveci, kur u dashurua dhe u martua më Havziun. Tha se sigurimi kishte bërë çmos për ta ndarë nga Havziu, por ajo nuk kishte pranuar. “Nuk mund ta prisja në besë”. Edhe arratisja kishte pasur peripecitë e saj, kur UDB-ja u orvat t’i shndërronte në spiunë. Refuzimit UDB-ja iu përgjigj me dorëzimin në duart e Sigurimit shqiptar. Ja sesi bashkëpunonin dy organet më të urryera, në prag të ndërrimit të sistemeve. Ja cila është edhe fizionomia politike e E. Hoxhës. Doemos edhe e R. Alisë. Që në kohën e Enverit, kosovarët trajtoheshin si të njerkës: ‘Vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë’. “Miq” sa për të thënë: Këtu priteshin si armiq. Lavdia kujton fjalët e bukura të Havziut “O vajzën nga Shistaveci, ose nuk martohem fare”. Në ceremoninë e dasmës, jashtë sallës, ishin mbledhur skuthët, për t’u prishur humorin dasmorëve.. Mirë që s’kishin guxuar të hynin brenda. Gjithçka i lejohet këtij rodi. Të hyjë në jetën familjare, po se po. Por edhe të kërkojë rivendosjen e statujës së Enverit! Basnhkëpunëtor me Titon gjer në zvetënim...
Një nga pohimet më të trishtueshme të Lavdies: “Ngaqë nuk pranuam atëherë kërkesën për tradhti, këta i thanë Havziut se do bënin marrëveshje me regjimin e Enver Hoxhës për të na kthyer. Kështu na kthyen në Shqipëri. (Çfarë revanshistë të pashpirt!).Të gjitha letrat kundër regjimit shqiptar, si edhe romanin e Havziut “Jeta e Zezë”, na i kishin mbajtur... (sigurisht për t’ua dhënë komunistëve shqiptarë. Ja ç’pisllëqe bënin komunistët e të dy vendeve fqinjë të veriut tonë). Dhe sot e kësaj dite unë kërkoj të hapen dosjet... “. Tani veç të jesh trushkulur për të mos kuptuar se kush e pengon hapjen e dosjeve. Mjafton të gjejë përgjigje të sinqertë pyetja: Ku kanë gjetur strehë të sigurt mëkatarët e ish-regjimit enverist? Apo ata që përpiqen ta përligjin Enverin?
***
Në mbarim të shkrimit tonë, mbetet pyetja e shënuar në titull: Përse nuk kërkojnë ndjesë për krimet e komunizmit? Përse ka mbetur pezull Rezoluta e e Asamblesë Parlamentare të BE-së? Kjo u duk qartësisht qyshkur Rexhep Qosja erdhi këtu për të bërë të ashtuquajturin Pajtim Kombëtar. Ish-të përndjekurit politikë e kuptuan vrik se ç’ ”Pajtim” kërkonin. U vunë në fund të tavolinës, ndërsa kreun e zunë ata që do ta kërkonin Pajtimin, ‘në interes të Kombit’. U gëlltit ‘mikpritja’ Por fillimet duhej të nisnin me kërkimin e faljes për krimet e enverizmit! Ata që kryesonin tavolinën nuk e pranuan këtë kusht. Mbledhja u prish, sa pa filluar. Për turpin e atij mjekroshit që kishte ardhur me mision! Pajtimin Kombëtar e kishte jetësuar, në kohën e tij, Ahmet Zogu I. Komunistët janë të paaftë në krahasimet. Po ashtu edhe “historianët” që bëjnë politikën e tyre. Pajtimi Kombëtar i vërtetë do të thoshte të hiqej dorë nga një regjim terrorist, që ishte i jashtëkohshëm...Tubimi për Havzi Nelën ishte një argument më tepër se çfarë fizionomie kishte regjimi i Enverit.