Rritet interesi i të huajve për blerjen e pasurive të paluajtshme në bregdet
Rritjen e kërkesës e konfirmojnë agjencitë imobiliare në Tiranë
Të huajt kërkojnë rezidenca në bregdet dhe nuk po flasim për pasuri të paluajtshme në Kroaci apo Mal të Zi, por pasuritë e bregdetit shqiptar. Rritjen e kërkesës e konfirmojë agjencitë imobiliare në Tiranë. Investimi i të huajve në komplekse rezidenciale vlerësohet të jetë një faktor i rëndësishëm për tërheqjen e blerësve nga jashtë. Kjo u jep atyre më shumë siguri. Përfaqësues të disa agjencive në qytetet kryesore bregdetare të vendit, Durrës dhe Vlorë, konfirmojë se blerjet e shtetasve kosovarë, por edhe interesi i tyre për apartamente në bregdetin tonë, është rritur. Arsyeja kryesore që ka rritur interesin për këtë zonë bregdetare është rruga Durrës-Kukës, që ka shkurtuar ndjeshëm distancën ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar ardhjen e më shumë pushuesve kosovarë drejt vendit tone. Interesi për apartamente nga kosovarët është konfirmuar edhe nga kryetari i Odës Ekonomike në Prishtinë, Safet Gërxhalliu. “Pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i kosovarëve për blerjen e apartamenteve në Shqipëri është në rritje. Vetëm në vitin 2011 janë blerë banesa dhe apartamente në vlerë prej afër 30 milionë eurosh”, ka deklaruar z. Gërxhalliu në një takim me përfaqësues të biznesit në Shqipëri. Një nga zonat më të preferuara nga kosovarët është Durrësi, nga Shkëmbi i Kavajës dhe duke u shtrirë deri në Golem. Në këtë zonë, vitet e fundit është ngritur një numër i madh pallatesh të reja shumëkatëshe dhe kjo ka ndikuar që edhe oferta të jetë e lartë. Hapja e rrugës ka nxitur agjencitë shqiptare imobiliare që të zgjerojnë tregun drejt Kosovës, duke kërkuar tashmë klientë edhe atje. Në një periudhë të tillë krize, për shumë ndërtues dhe agjentë, tregu kosovar i cili është ende më dinamik se ekonomitë në rajon, është një mundësi e mirë për të mbajtur lart shitjet. Drejtues të disa agjencive imobiliare në bregdet kanë konfirmuar për mediat se një muaj më parë kanë marrë pjesë në Panairin e Patundshmërisë në Prishtinë, me qëllim tërheqjen e blerësve nga kjo zonë. Në panair kompanitë patën mundësi që të prezantonin tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri te klientët kosovarë dhe maqedonas. Në rritjen e kërkesës duket se ka ndihmuar edhe pjesmarrja e disa prej agjensive tona panaritet ndërkombëtare të tregut imobiliar. Një paketë e tërë e bregdetit shqiptar vlerësohet të jetë prezantuar kohët e fundit në panairin e Londrës. Një tjetër fakt që po josh shtetasit kosovarë dhe ata maqedonas drejt apartamenteve në bregdetin shqiptar është rënia e çmimeve. Të dhënat e fundit nga agjencitë konfirmojnë rënie të çmimeve përgjatë gjithë bregdetit, por kryesisht në Durrës, me rreth 20%. Nëse më parë, në vijën e parë të detit, çmimet e apartamenteve ishin 900 euro/m², sot mund të blesh për një çmim edhe prej 750 euro/m². Reduktim çmimesh ka edhe në vijën e dytë, të tretë apo të katërt në bregdet, duke ulur me 100-150 euro/m². Sot, në plazhin e Durrësit mund të blesh një apartament me një çmim minimal prej 350-400 euro/m². Shkaku kryesor që ka sjellë rënien e çmimeve është oferta tepër e lartë e apartamenteve në këtë zonë dhe ulja e shitjeve, për shkak të krizës. Me gjithë kërkesat nga kosovarët apo maqedonasit për blerje apartamentesh, pesha e tyre në treg është ende e ulët për të ndikuar në tregun total të shitblerjeve të pasurive të patundshme. Ndërkohë, në zonën e bregdetit të Vlorës, është vënë re rënie e kërkesës, por kjo nuk është reflektuar në çmime. Më së shumti, siç po ndodh edhe në Tiranë, në këtë qytet po shiten kryesisht apartamentet me okazion, që janë me çmime më të ulëta se tregu. Struktura e blerësve në qytetin e Vlorës është dominuar nga emigrantët tradicionalë perëndimorë dhe imigrantët (nga pjesa e brendshme e vendit dhe kryesisht nga qytete si Tepelena, Berati, Fieri e deri nga Korça), e më pas vijojnë ata që duan një zgjerim sipërfaqeje banimi. Me gjithë rënien e kërkesës, çmimet e apartamenteve nuk po ulen. Në zonën e Kalasë arrijnë deri në 1400 euro/m² dhe 550-800 euro/m² për pjesën tjetër të bregdetit, duke përfshirë edhe Orikumin.