E Diel, 1 Nëntor 2026

“Askush nuk mund të bëjë biznes me pronat dhe pronarët”

Nga Ahmet Sulstarova, zv. Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

Kthim përgjigjeje zv. kryetarit të Partisë Republikane, z. Aleksandër Garuli

Në deklarimin tuaj të datës 11.3.2009, ju, z. Garuli, jeni shprehur se “po të bësh një bilanc, shoqatat e pronarëve kanë bërë vetëm zhurmë përballë punës së Partisë Republikane në këto katër vjet për t’u dhënë zgjidhje problemeve të ish-pronarëve të vërtetë” dhe vijoni se “Partia Republikane është dhe do të jetë përfaqësuese e pronarëve”, pastaj shtoni “deklaratat e disa përfaqësuesve të disa shoqatave nuk i përfaqësojnë qëllimet e pronarëve, por përfaqësojnë vetëm tendencën e tyre për të dalë në media”. Ky deklarimi shumëfish i papërgjegjshëm më detyron t’ju përgjigjem, por kjo përgjigje është shumë pak në krahasim me atë të keqe që ju, politikanët, i keni bërë dhe po i bëni Shqipërisë. Shkurt, politikanët që kanë drejtuar dhe penguar zgjidhjen e problemit të pronës janë një fatkeqësi, vuajtje dhe mashtrim 18-vjeçar për qytetarët. Kjo që po ndodh me anarkinë e titujve të pronësisë në Shqipëri dhe që në vend që të fillojë të korrigjohet, po thellohet, është turpi dhe faqja e zezë e politikës. Demokracia fillon me pronën dhe për zgjidhjen e drejtë dhe të qëndrueshme të problemit të pronës shoqata jonë është shprehur qartë dhe shumë herë në ato gazeta që kanë pranuar t’i botojnë shkrimet tona. Me këtë përgjigje po detyrohemi të përsërisim kërkesat tona dhe ato parime themelore që janë thënë e stërthënë. Konkretisht:

1. Ne nuk jemi ish-pronarë, por pronarë. Vetëm politikanët që kanë gëlltitur çorbën e Katovicës, ata që kanë grabitur pronat tona në këto 18 vjet, vazhdojnë të mashtrojnë majtas dhe djathtas dhe na emërtojnë ish-pronarë.

2. Ne nuk kemi kërkuar lëmoshë nga këta politikanë kameleonë, por kërkojmë që pronat të kthehen tek i zoti duke respektuar titujt e pronësisë, kërkesë që e ka bërë shumë herë, si Departamenti amerikan i Shtetit, dhe Këshilli i Evropës.

3. Ligji 7501 realisht është zbatuar në më pak se 25% dhe këtë e dini shumë mirë, por flisni ndryshe.

4. Anarkinë e titujve të pronësisë me bosht mbi Ligjin 7501 e mbrojnë politikanët që punojnë kundër interesave shqiptare.

5. Deklarimet për kompensim janë antikushtetuese dhe financiarisht të parealizueshme.

6. Shteti shqiptar nuk respekton të drejtën e pronës, por zbaton standarde të dyfishta që bien ndesh me detyrimet kushtetuese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

7. Është i saktë pohimi juaj, zoti Garuli, se pronarët e kanë humbur besimin te PD dhe PR, sepse ju e keni shpërdoruar për 18 vjet durimin tonë.

8. Ne nuk dimë, nëse ju jeni të influencuar apo të komanduar të luani këtë politikë antipronar, antidemokratike, antikombëtare. Të njëjtën politikë të mashtrimit 18 vjet e vëmë re dhe me të përndjekurit politikë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të shpronësuar. Nuk është dhe aq çudi, pse ata kanë kërkuar përciptas respektimin e titujve të pronësisë. Ju rikujtojmë, zoti Garuli, se shkrimet tona janë të shumta, sepse të shumta kanë qenë edhe mashtrimet e politikanëve të komanduar sipas platformës së Katovicës, që tashmë të gjithë e njohin shumë mirë. Disa nga aktivitetet tona janë: greva urisë, nga e cila PD na nxori me dhunë, studime juridike ekonomike, ne jemi anëtarë të dy organizatave ndërkombëtare, ILOG dhe UIPI (të përndjekur nga regjimet naziste e komuniste), kemi korrespondencë me të gjithë, kemi kryer takime me të huajt, citohemi në Raportin e Departamentit të Shtetit USA, kemi bërë projektligjin që paraqiti Mediu-Cako etj., etj., kurse ju nuk keni shkruar një rresht për shoqatën, por bëheni kamikaz i interesave antikombëtare, dezinformoni, mundoheni si të vazhdoni t’i mashtroni pronarët dhe ndërkombëtarët.

Në shkrimin tonë të fundit të publikuar dt. 13. 01.2009 në gazetat “TemA”, “Sot”, “Koha Jonë”, “Republika”, më vonë në “Telegraf”, “Metropol”, “News of Albania”, “Illyria” (në SHBA) etj., etj., ne ju kemi përsëritur të njëjtën gjë: Pa pronën s’ka demokraci, por ka anarki totale. Ne ju kemi paraqitur edhe njëherë 12 kërkesat për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të pronës. Ia vlen t’ju rikujtojmë, z. Garuli, ju dhe deputetëve të tjerë se zv. ministri i Ekonomisë në emër të qeverisë në seminarin e organizuar datë 5 shkurt 2009 foli për pronën njëlloj siç keni folur ju tani. Më datën 8 shkurt 2009, gazetat “TemA”, “Sot”, “Koha Jonë” dhe dt. 9 shkurt gazetat “Lajm” dhe “Telegraf” e botuan kritikën tonë për këtë përfaqësues të qeverisë, por vetë përfaqësuesi i qeverisë nuk pati guximin të përgjigjej, se nuk kishte se si të justifikohej për qëndrimin antipronar dhe antikombëtar të politikës që po ndiqni.

Nëse ju, zoti Garuli, keni ndërgjegje shqiptare dhe jeni i bindur se po punoni për të mirën e popullit dhe të demokracisë, ju ftojmë t’i lexoni dhe t’i përgjigjeni të paktën këtyre dy shkrimeve në datat e cituara më lart, sepse përgjigja në gazeta informon dhe i intereson gjithë elektoratit. Sa për dijeninë tuaj, por dhe cilitdo që mendon se këto shkrime ne po i bëjmë që të jemi interesantë në media, ju themi se kjo është papërgjegjshmëri e imponuar nga karrigia. Në Shqipëri, si kudo, media është pushtet i katërt dhe pjesa e shëndoshë e saj i ka pasqyruar shkrimet tona. Nëpërmjet medias, ne i kemi bërë dhe përsëri i bëjmë thirrje elektoratit që në zgjedhjet e qershorit të mos japë asnjë votë për ato parti, objektivi i kryesive të tyre prej vitit 1991 ka qenë dhe është “Të pasurohemi për vete, familjet tona dhe miqtë tanë!” Ne do të kërkojmë ndëshkim për ato forca që për 18 vjet i kanë mashtruar institucionet ndërkombëtare dhe pronarët, ata që nuk kanë dëshirën për të kryer reformën për kthimin e pronës tek i zoti në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, reformë që zhduk korrupsionin dhe të fut Shqipërinë në rrugën e demokracisë. Shoqata “Pronësi me drejtësi” do vazhdojë të bashkëpunojë dhe me shoqatën “Bregdeti” që pronarët dhe gjithë ata qytetarë që do të na mbështesin t’i bashkojmë votat dhe ato do të jenë të kushtëzuara me ato sa kemi bërë publike edhe në dy shkrimet e cituara. Qoftë Partia Republikane apo çdo parti tjetër dhe asnjë individ, përveç problemeve parimore, nuk ka të drejtë të prononcohet në emër të pronarëve pa miratim të Këshillit Kombëtar të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Në mbyllje po ju përsërisim sugjerimet e shoqatës për zgjidhjen e drejtë, përfundimtare dhe të qëndrueshme të problemit të pronës.

Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës, (dokumenti nr. 11115, datë 20.12.2006, neni 191), dhe me detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë dhe ky proces duhet të pranohet me ligj si detyrimi i shtetit. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.

Qeveria me instrumentet e saj, duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona, ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë (konform me nenin 41/2 të Kushtetutës), dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës u grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet t’u kthehen fizikisht trashëgimtarëve. Pas vitit 1991, prona e grabitur ligjërisht nuk është pronë e shtetit. Shteti nuk ka titull pronësie mbi këto prona, dhe të shpronësuarit asnjëherë, edhe në kohën e diktaturës, nuk i kanë humbur titujt e pronësisë. Pra, shteti demokratik i pas vitit 1991 nuk ka punë të tjetërsojë në favor të pushtuesve pronat tona, por prej 1991 e kishte dhe vazhdon ta ketë detyrim kushtetues t’i kthejë sa më parë pasuritë e grabitura padrejtësisht te pronarët e ligjshëm, përndryshe ecet drejt shitblerjes dhe tjetërsimit të Shqipërisë. Ky veprim që po bëhet sipas interesave klanore dhe krijimit të një sistemi ekonomiko-shoqëror hibrid dhe të paqëndrueshëm nga çdo pikëpamje, të gjithë deputetët i ngarkon me turp.

Ndër pronat që duhen kompensuar qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit.

Qeverisë t’i përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik sipas dokumenteve të para vitit 1945. Kthimi t’i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm (kthim fizik, pavarësisht nga zëri kadastral dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat, se kjo politikë e mbrapshtë ka krijuar konflikte brenda familjes). Faza e kthimit, me ndihmën e shoqatës sonë, por dhe të shoqatës AK “Bregdeti”, siç është shprehur, si dhe të komunitetit të pronarëve të çdo fshati, nëse do të ketë vullnet politik, mund të realizohet brenda pak javëve, duke mbyllur këtë burim kryesor të korrupsionit pushtetar dhe burim të konflikteve midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve falsë e të përkohshëm që ka krijuar politika e pas vitit 1991.

Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë (ashtu siç u shpallën NUL pas vitit 1991 tapitë e reformës agrare, ashtu do shpallen NUL edhe ato të legalizimit të grabitjes se pronarëve, por kjo kërkon qeveri që zbaton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut).

Pronarëve të ligjshëm t’iu kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga pushtetarët sipas interesave klanore.

Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim dhe detyrim financiar, personave të tretë, që këto 18 vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.

Vetëm pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit (kërkesat e derikëtushme shërojnë korrupsionin e pushtetarëve që ju nuk doni ta trajtoni).

Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe duhet të fillojnë të zbatohen fill pas përfundimit të kthimit.

Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52% të pronës. Vetëm shteti i së drejtës me prokurorinë dhe gjykatat që presim të forcohen, duhet ta çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e politikanëve.

Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem, sepse janë pak (dhe do të ishim të lumtur sikur të ishin edhe më shumë, por ne nuk pranojmë vjedhjen që keni organizuar). Shteti është pronar i ligjshëm për 52% të pronave dhe nëse kjo pasuri do të çlirohet nga grabitja, e organizuar nga politikanët, qeverisë aktuale i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale për kompensim, pa krijuar deficite financiare, për të cilat i gjithë buxheti i shtetit nuk mjafton për disa qindra breza.

Kjo është e vetmja alternativë që mundëson korrigjimin e mëkateve të kësaj politike të verbër antipronar në dobi të demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›