Pseudo “Bolonja” shqiptare dhe partitë
Pak kohë para zgjedhjeve politike, partitë po mundohen të saktësojnë qëndrimet e tyre ndaj arsimit. Dallohet menjëherë që, lidhur me arsimin parauniversitar, qëndrimet e dy partive kryesore në vend janë thellësisht të kundërta. PS ka adoptuar si pjesë të programit të saj objektivat e Bankës Botërore për arsimin në Shqipëri. Ajo mendon që standardizimi i programeve dhe teksteve shkollorë, reduktimi i analfabetizmit, përmirësimi i kushteve mësimore dhe i kushteve shpesh të mjerueshme të shkollave në periferi të qyteteve të mëdha, por edhe larg tyre, përbëjnë pak a shumë një program realist për Shqipërinë. Qartësisht, përputhshmëria me objektivat e Bankës Botërore i shton legjitimitetin këtij programi. Programi i PD në këtë fushë është i paqartë, por objektivi apo thelbi i tij mund të parashikohet duke u nisur nga politika zyrtare e ndjekur gjatë këtyre viteve. Prandaj, mosha e internetit nuk ka se si të mos jetë në qendër të këtij programi. Vendosja e këtij objektivi, në fakt, më shumë se një ëndërr, është një injorim i realitetit, një perde e rëndë që pllakos materien e problemeve serioze që ndesh Shqipëria në këtë fushë, sepse interneti vjen pas shkollës së ndërtuar mirë, vjen pas ngrohjes, vjen pas një libri të mirë, pas një mësuesi të mirë. Në të kundërtën, interneti nuk vjen kurrë, por mbetet atje, i paarritshëm, si një ëndërr shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
Në përgjithësi, Banka Botërore nuk ka objektiva për zhvillimin e arsimit të lartë për vende si Shqipëria. Megjithatë, duke u nisur nga rëndësia që ka përgatitja e një plani strategjik në zhvillimin e këtij sektori, ajo ka financuar përgatitjen e një masterplani gjatë mandatit të qeverisjes së PD. Qeveria e PD nuk e përdori këtë plan strategjik, nuk i dha atij legjitimitet, sepse nuk e kaloi në parlament. Akoma më shumë, formuloi një ligj për arsimin e lartë që bie në kundërshtim të plotë me këtë plan strategjik. Përfundimisht, qeveria e PD nuk e reformoi sistemin e arsimit të lartë as nga pikëpamja legjislative dhe as nga ndonjë pikëpamje tjetër: strukturore, administrative apo financiare. Sistemi, përveç disa ndryshimeve të vogla, mbeti përsëri i ndarë institucionalisht nga kërkimi shkencor, qoftë në nivel institucionesh, qoftë në nivel politikëbërjeje. Në këtë pikëpamje, është e vështirë të imagjinohet se ç’program mund të paraqesin drejtuesit e PD në fushën universitare. PS po mundohet të artikulojë si pjesë të programit të saj pikërisht formulimin e një plani të tillë strategjik, sikur ai të mos kish ekzistuar kurrë, sikur të mos ishin ata që heshtën, kur u kërkua mbështetje për këtë plan. Pra, në thelb, PS po e ndërton programin e saj në boshllëkun e krijuar për shkak të dështimit të qeverisjes së PD në fushën e arsimit të lartë.
Forma e “Bolonjës” shqiptare
Një synim i rëndësishëm, i shpallur në deklaratën e Bolonjës, është edhe adoptimi i një sistemi diplomash apo kualifikimesh që plotëson dy kushte: është “lehtësisht i lexueshëm” dhe “i krahasueshëm”. Sistemi është “lehtësisht i lexueshëm”, sepse përbëhet vetëm nga dy cikle kryesore: cikli i parë që përfundon me diplomën “bachelor”, dhe cikli i dytë që përfundon te diploma “master” dhe/ose “doktoraturë”. Sistemi është “i krahasueshëm”, sepse çdo cikël ka një numër të caktuar kreditesh. Deklarata e Bolonjës, pra fillimi i procesit të evropianizimit të arsimit të lartë, u ndoq nga të gjitha vendet që aspironin të bëheshin pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Ato filluan të zhvisheshin nga forma kualifikimi dhe diploma të panevojshme, të pakonvergueshme, si trashëgimi e traditës së tyre. Shqipëria filloi të bëjë saktësisht të kundërtën: nuk e thjeshtoi, përkundrazi, e komplikoi strukturën e kualifikimit. Me ligj sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri nuk organizohet në dy, sipas procesit të Bolonjës, por në tri cikle. Pa përmendur ciklin e parë, ky ligj shpall që në ciklin e dytë lëshohet një diplomë e nivelit të dytë, një diplomë e integruar e nivelit të dytë dhe një diplomë master e nivelit të parë. Në ciklin e tretë lëshohet diploma doktor, diploma specialist, diploma magjistër, diploma master i nivelit të dytë. Shtatë diploma vetëm në ciklin e dytë dhe të tretë, ndërsa, sipas sistemit që rekomandohet në hapësirën e përbashkët evropiane, ka vetëm dy diploma, respektivisht master dhe doktoraturë. Me një arsim të prapambetur, Shqipëria shprehet për një sistem të komplikuar, që nuk konvergon, përkundrazi, divergon, i largohet procesit të Bolonjës. Kjo është “Bolonja” shqiptare, një sistem i pakrahasueshëm me asnjë tjetër në hapësirën evropiane dhe që pikërisht për këtë nuk është pjesë e kësaj hapësire.
Përmbajtja e “Bolonjës” shqiptare
Në qendër të procesit të Bolonjës është Sistemi Evropian i Transferimit të Krediteve, pra njësia “kredit”, ose “njësia e kohës në kontakt direkt me procesin mësimor”, brenda së cilës një student duhet të marrë atë sasi dhe strukturë informacioni që i mbledhur me kredite të tjera brenda një cikli të caktuar çon në dhënien e një diplome (bachelor, master, doktoratë). Ky sistem bën të mundur formimin e hapësirës së përbashkët evropiane, në kuptimin që një numër kreditesh të marra në një pikë të saj të mund transferohen në një pikë, vend, tjetër evropian. I gjithë ky sistem vlerësimi mbështetet mbi një supozim, që në fakt i jep përmbajtje vetë sistemit: cilësia e informacionit të marrë brenda kohës konstante të një krediti duhet të jetë e padiskutueshme dhe e barabartë, d.m.th., e pranuar kudo në këtë hapësirë ose së paku nga ai vend evropian, me të cilin mendon të aplikosh shkëmbimin.
Saktësisht këtu fillon dhe krijohet “Bolonja” shqiptare. Kreditet numërohen mirë nga përpiluesit, një për një, por cilësia e tyre, pra, cilësia e informacionit të marrë brenda një krediti nuk respekton, përkundrazi shpërthen “muret” e çdo supozimi, sepse në shumicën e rasteve është në nivel “rrogoz”. Tekstet mësimore dhe krejt procesi i publikimit të tyre janë vënë në pikëpyetje të mëdha dhe shpesh paraqiten me një cilësi tronditëse; metodat e mësimdhënies, madje edhe në shkencat më delikate, si mjekësia, pa konsideruar situatën skandaloze në shkencat e tjera të natyrës, bujqësore apo në universitetet e rretheve, mbështeten mbi një praktikë përshkruese dhe jo mbi parimin e “të mësuarit duke bërë”; laboratorët mësimorë dhe shkencorë janë në gjendjen më të mjeruar që kanë qenë ndonjëherë dhe ç’është më e keqja, çka unë dhe shumë kolegë të mi ndoshta nuk do ta kishim përfytyruar kurrë, një pjesë e tyre shkatërrohen përditë për të ndërtuar zyra shefash, dekanësh, sekretaresh; trafiku i ndërhyrjeve dhe korrupsioni, pra, një mungesë dramatike e integritetit brenda vetë sistemit të arsimit të lartë, hedh poshtë përfundimisht mundësinë e krahasimit të një krediti të marrë në sistemin shqiptar me një kredit të marrë në një pikë tjetër të hapësirës evropiane. Arsimi i lartë shqiptar mund të shfaqet në formë si “i transferueshëm”, por jo në përmbajtje, çka përfundimisht e bën atë të paintegrueshëm. Çka përfundimisht tregon, më qartë se çdo gjë tjetër, dështimin e reformës në këtë fushë, prandaj edhe rëndësinë e jashtëzakonshme të identifikimit të atij vullneti politik që do të mund ta reformonte në thelb këtë sistem, sinqerisht dhe pa iu trembur kostos politike.
Arsimi si përgjegjësi historike e të djathtës shqiptare
“Bolonja” shqiptare dhe vendosja e objektivave jorealiste në fushën e arsimit parauniversitar kanë krijuar një boshllëk që mezi pret të mbushet nga programet e partive apo grupeve që konkurrojnë në zgjedhjet politike. Qeverisësit e sotëm, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të mosreformimit të sistemit apo të reformimit të gabuar të pjesëve të tij, duket se kanë humbur jo vetëm legjitimitetin, por mbi të gjitha, besueshmërinë publike se do të mund të rinisin procesin e reformimit në rrugën e duhur. PS po artikulohet relativisht bindshëm, duke e dominuar tregun politik. Kjo nuk do të thotë që PS është automatikisht në epërsi për këtë shkak. Si parti, ajo ka dhënë prova që nuk ka qenë realisht e interesuar për një reformim të arsimit në Shqipëri, përkundrazi, embrioni i të gjitha problemeve, tashmë të mahisura, ka lindur dhe është ushqyer gjatë qeverisjes së saj. Në këtë kuptim, pavarësisht nga stili politik që po ndjek kjo parti duke ia lënë të gjitha fajet të shkuarës në përgjithësi, ajo duhet të japë garanci. Të pranojë se si ka qeverisur arsimin në të shkuarën qeverisëse të saj, pa përdorur asnjë alibi. Vetëm pas kësaj, të shprehë vullnetin dhe mjetet për t’u ndarë nga ajo.
Në përpjekjet e partive për të plotësuar boshllëkun e krijuar në qeverisjen e arsimit, dallohet që akoma nuk ka një zë të qartë nga grupimi politik i djathtë, pra ka një mungesë alarmante në qëndrimin politik të tij. Prapambetja relative e këtij grupimi politik, me sa duket, qëndron në keqkuptimin për t’i lënë jo PD, por thjesht drejtuesve të saj, krejt barrën e rëndë të zgjidhjeve politike që vetëm një e djathtë mund t’i ofrojë popullit dhe vendit në fushën e arsimit. E përfshirë në misionin e pamundur të zgjidhjes së të drejtës së pronës nga politikanë që nuk e shohin institucionalizimin e kësaj të drejte si element esencial të një sistemi demokratik, forcat e djathta nuk kanë mundur të artikulojnë një politikë arsimore ndryshe nga ajo e PD, dhe akoma më shumë, nuk kanë mundur të zbulojnë para publikut vullnetin dhe qartësinë e tyre për reformimin e këtij sistemi. Menjëherë pas viteve ‘90, ky ishte vetëm një problem organizativ. Tani është edhe një problem politik, zgjidhja e të cilit kërkon më së fundi profilizimin e qartë të së djathtës duke u distancuar nga politikat çoroditëse të ndjekura në këtë fushë, veçanërisht nga çoroditja e pazakontë e viteve të fundit. Në të kundërtën, do të kemi të bëjmë me një prapambetje historike, d.m.th., me një mision të parealizuar të së djathtës shqiptare.
. . .
Pseudo “Bolonja” shqiptare është rruga që po e çon arsimin shqiptar saktësisht në drejtimin e gabuar. Hipokrizia e “evropianizimit të arsimit shqiptar”, kur në fakt është bërë gjithçka për të mos ndjekur procesin si vendet e tjera evropiane, mund të jetë një truk politik, mund të përdoret si një alibi në fjalimet pa përmbajtje para votuesve të lënë në mjerim, por në thelb është shndërruar në një pengesë të madhe në zhvillimin e Shqipërisë. Sepse, para së gjithash, ka kohë që i ka vënë në gjumë shqiptarët. Kjo letargji do të zhbëhet një ditë dhe të gjithë duhet t’i falemi zotit që në atë ditë i gjithë ky proces i gabuar të mos jetë bërë i pakthyeshëm. Ajo ditë do të vijë saktësisht kur shqiptarët dhe universitarët e përgjumur të kuptojnë që arsimin ose e ndërton, ose e shkatërron; rrugë të mesme, pra status quo, nuk ka. Nuk mund të bashkëjetojnë, nuk mund të ketë, pra, edhe “Bolonjë”, edhe pseudo “Bolonjë”. Ky dyzim, kjo hipokrizi, çon në një arsim të rrënuar, që në fakt i ka të gjitha cilësitë për të qenë një krim, megjithëse latent, i fjetur, me vështirësi i dallueshëm kur përfshihesh nga rutina e gjërave. Një krim që për nga përfshirja dhe synimi nuk është larg një Holokausti. Nëse Holokausti synonte në zhdukjen e një race, arsimimi i gabuar ose bërja gjasme sikur arsimon, përmban rrezikun e deformimit kulturor apo më mirë, deformimin në përgjithësi të një gjenerate, sepse e “formon” atë në mënyrë të pangjashme me të tërën, me gjenerata të rinisë rreth e rrotull në kontinent, e bën të pakrahasueshme, të vetmuar, memece, pa emër. Pra, e lë pa identitet, dhe si të tillë, e çon drejt një shuarje graduale, drejt të mosqenit. Jo një racë, por një gjeneratë të tërë. Është një krim i ngjethshëm. Është një krim që nuk duket, i zgjatur në kohë. Është një krim i pandëshkueshëm, sepse arrin t’ia kuptosh dimensionet dhe hatanë që ka shkaktuar, vetëm pasi autorët e tij kanë vdekur, në të gjitha kuptimet.