E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri, i mërzitur nga përgojimi i Delijorgjit

Nga Antena brenda familjes

Flamuri ishte dje i mërzitur me Jozefinën. Seanca që ajo drejtoi për pak kishte hedhur në erë gjithçka ai kishte mundur të mbante mbuluar për një vit. I mërzitur për çfarë kishte ndodhur, Flamuri po qante hallet me Bogdanin.

- Kjo Jozefina desh na hodhi në erë, - tha. - Mirë që janë të butë këta socialistët, se vallahi të ishim ne në vend të tyre, i kishim bërë me folë me vete. Po ajo na shkatërroi. Shkon e i thotë Vali Leskajt, pse nuk e përmende Delijorgjin. Ne të gjithë me gjak të ngrirë se mos e përmendte Delijorgjin, del Jozefina dhe thotë pse nuk e përmende, ia kujton. Skandal i madh. Ka të drejtë ai burri. Këta të PD nuk lexojnë gazetat. Unë të paktën i lexoj çdo mëngjes. Dhe ai burri i lexon. Këta të tjerët nuk lexojnë gazeta. Me thashetheme e shtyjnë ditën.

- Po pse, ç’të keqe ka ajo që tha Jozefina? - tha Bogdani.

- Si mo ç’të keqe ka?! Po të ishte pak me gjak ajo Leskaj, i thoshte: “Jam grua me etikë, nuk e përmend Delijorgjin, se po e përmenda atë, duhet të përmend dhe ortakët e tij, Rrahmanin dhe Shkëlzenin”. Unë ngriva fare, kur e mori fjalën. Ia plasi tani thashë, po shyqyr ajo s’e tha. Kurse kjo e jona vazhdonte akoma. Këmbëngulte. Më mori Fahriu tri herë në telefon. Më tha: “Aman o, bëji një sms kësaj Jozefinës, ç’ka kjo me Delijorgjin?” Ishte tmerruar dhe ai.

- Po ai ç’ka? - tha Bogdani.

- Po e kam komshi, - tha Flamuri. - Shtëpinë ia ka blerë Delijorgji, makinën Delijorgji, dhe ai i shkreti nuk e zë kurrë në gojë. Në gazetë, jo e jo. Tani shejtani fle, shkon Jozefina e zgjon, thotë pse s’e përmendi Delijorgjin.

- Se paskam ditur këtë, - tha Bogdani. - Dhe unë e kam ditur se është socialist.

- Ore, për socialist, socialist është, po na u bë ortak me këta tanët. Rrahmanit (d.m.th., Shkëlzenit), i dha 30 për qind nga ndërtimet. Fahriut po i dha gjithçka. Dhe thoshte lart e poshtë, kam pagu te PD. S’kisha ç’t’i bëja. I thashë nja dy herë atij burrit, bënte sikur s’dëgjonte. Kur më tha Qukapi pastaj që është shoku i Zenit, e mbylla dhe unë gojën, ç’më duhej. Po legen i madh u tregua, se nuk erdhi kurrë tek unë. Dhe kur ia miratuam lejet atëherë që kishim KRRT e bashkisë në fillim, me Fahriun e zgjidhi. Ne as na përfilli fare. Ndaj e kam dhe inat. Se asnjë lek s’na ka dhënë si parti. Privatisht ka paguar.

- Po Jozefina nuk i di këto? - tha Bogdani.

- I di, por ka inat Fahriun dhe Frangajn, se i kanë thënë që këta kanë marrë lekët. Dhe aty s’duron dot ajo. I ka ikë truri, kur ka mësuar që ata kanë marrë lekët në emër të PD. Ndaj e bën kastile, thotë pse s’e përmendi Delijorgjin. Po të ishte për të përmendë, e përmendte ai burri. As ai s’e ka zënë asnjëherë në gojë. Fatmir Mediu po ashtu ka ngrënë e ka pirë me të e s’e zë në gojë. Po të ishte për ta përmend, e përmendnin këta, çfarë i duhet asaj gruas. Po s’i rrihet asaj.

- Qenka e bukur kjo, - tha Bogdani. - S’i di këto gjëra unë. D.m.th., Delijorgji qenka ortak me këta tanët, ndaj s’e përmendim ne. Dhe unë kam menduar se është i pafajshëm, ndaj s’e zë në gojë as ai burri.

- Ore, ai ia tregonte qejfin, po i ka zënë rrota bishtin, se i del puna e djalit. Ai faksi i Aldo Bumçit ia ka prish terezinë, se dhe ai budallai s’ia dërgonte dot me shoferin, po ia nisi me faks. Hajt mbaj gojët e botës tani. Të ishte ai në vend të këtyre socialistëve, të dielën i kishte nxjerrë nga zyrat këta. Mblidhte nja 30 mijë vetë aty në shesh dhe i nxirrte nga zyrat. Po ç’të bëj tani, e mori më qafë ai kërriçi, shkoi u përzije me Delijorgjin. Pak vende të tjera kishte ku bëhej lek.

- Po ai burri nuk i mban inat Jozefinës që bën provokime të tilla? - tha Bogdani.

- Jo mo, ç’t’i mbajë, se e di që nuk e ka për atë. Pastaj, pak liri për të bërë deklarata personale e ka dhe ajo, d.m.th., sa për të nxjerrë ca inate të vogla. Ka leje p.sh., të shajë Lulin në biseda, po jo publikisht, të shajë Fatmir Mediun, të shajë Majlinda Bregun, po jo publikisht, të shajë Ylli Pangon edhe publikisht… ç’të them tjetër unë. Disa liri i ka dhe ajo. Si punë e Genc Rulit që ka leje të shajë ata të familjes, që i fusin hundët në çdo koncesion dhe privatizim, vetëm kur është me shoferin në makinë.

- E kuptova, - tha Bogdani i hutuar. - Po unë, di gjë ti Flamur, kam leje për ndonjë gjë të tillë, d.m.th., kur të bëj ndonjë deklaratë, mund të them ndonjë gjë nga vetja?

- Po mor burrë. Unë e bëj gjithmonë, - tha Flamuri. - Para se të lexosh deklaratën, mbyllu në banjë dhe bërtit fort që të nxjerrësh dufin “ky është budallallëk, kjo është gënjeshtër, këtë s’po e them unë, po ai burri” dhe dil jashtë. Pastaj lexo deklaratën, s’ke ç’bën. Ti kallamarin ke në dorë. Tekstin ta thotë ai burri, s’ke faj. Dhe në bordero vendi i zëdhënësit përshkruhet si ‘kallamari’, se kështu ka qenë gjithmonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›