E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju flet Zëri i Amerikës! Në mikrofon …

Nga Ajet Nuro, tribunashqiptare.com

Ndoshta pas tri pikave mund të ishte emri im. Pse jo, por nuk kanë rëndësi emrat. Sepse e rëndësishme është “Ju flet Zëri i Amerikës”. Me Zërin e Amerikës është i lidhur çdo shqiptar. Ndonëse, kjo radio, që në fakt mund të quhet radio, televizion dhe internet, sot ngelet e rëndësishme, po të kemi parasysh konkurrencën në fushën e medieve, pjesa më e madhe e shqiptarëve, besoj unë, e lidhin Zërin e Amerikës me atë rol që ky stacion ka luajtur në ngjarjet e fund viteve ‘80 fillimi i viteve ’90, kur kjo radio luajti një rol të rëndësishëm në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve se ekzistonte një botë tjetër veç asaj që shqiptarët ishin të detyruar të njihnin. Askush në atë kohë nuk e kishte shkuar në mendje dhe jo më të shqiptonte fjalë si “të drejtat e njeriut”, “pluralizëm mendimesh dhe pluralizëm politik” apo terma të harruar si prona private, avokatë etj., etj.

Ju flet Zëri i Amerikës! Në mikrofon Elez Biberaj

Kam qenë gjithmonë i dhënë pas shtypit dhe lajmeve. I kam lexuar dhe i lexoj me zell gazetat, por para 1990 te gazetat e asaj kohe më tërhiqte sidomos faqja 4. Ndonjëri mund të mendojë se kisha qëllime diversive apo simpati për Perëndimin apo se prisja ndonjë përmbysje... jo, jo isha shumë larg një gjëje të tillë. Thjesht më pëlqente të dija çfarë bëhej në botë dhe mund të them se dija emrat e të gjithë udhëheqësve botërorë, ashtu sikurse dija kryeqytetet e pothuajse gjithë botës. Duhet të ketë qenë pranvera e vitit 1990, kur i dola përpara postierit të fshatit për të marrë gazetën dhe si duket biseda u soll rreth plenumeve të famshëm të PPSH dhe demokratizimit të mëtejshëm të vendit sipas variantit Alia. Postieri më tha diçka që do të fillonte të ndërronte gjithçka tek unë. Gjithçka, kam parasysh burimet e informacionit dhe një mënyrë tjetër të të parit të botës.

- Pa shiko se ç’thotë Zëri i Amerikës, - më tha.

E pashë në sy se mos tallej. Jo, ai e kishte seriozisht.

- Ktheje radion në valë të shkurtra, shko nga e majta dhe dëgjo.

- Çfarë ore?

- Në orën 6 (18).

Nuk desha të tregohesha më entuziast nga ç’duhej, por me vete mezi prisja. Ishte ende koha kur nuk mund të luhej me zjarrin. Unë dëgjoja ndonjëherë Radio Moskën apo Sofjen, por më shumë i tërhequr nga shqipja e folësve, sepse informacioni nuk dallonte nga Radio Tirana. Por duhet thënë se, nëse dëgjimi i radiove të huaja përbënte një krim, sipas ligjeve të kohës, pa mendo se si duhej konsideruar radioja e armikut më të madh të Shqipërisë, Amerikës...

E pra, në orën e duhur ndoqa udhëzimet, por nuk munda ta gjej menjëherë kanalin. M’u desh të lëvizja majtas e djathtas butonin që ndërronte kanalet për të rënë në ...shqip. Zëri herë vinte e herë ikte, por lajmet i kapa. Përveç programit të orës gjashtë ishte dhe një tjetër në orën tetë e gjysmë. Iu ktheva radios në orën 8 e gjysmë, se doja ta dëgjoja që nga fillimi. Çfarë thoshte në fillim, si prezantoheshin folësit. Nga radiot e tjera si Radio-Moska, Radio-Ankara apo dhe Radio-Sofja, dija formulën “Të dashur miq”... Por Zëri i Amerikës ishte i veçantë. Sigla në anglisht që ruhet edhe sot “Welcome to the Voice of Amerika, in Albanian” ndiqej nga “Ju flet Zëri i Amerikës! Në mikrofon Elez Biberaj”.

Zëri i Biberajt ishte një zë i veçantë që ruante pak njëfarë aksenti dhe duke e dëgjuar aq shpesh, isha në gjendje ta imitoja. Radha e rubrikave ishte: lajme, opinioni i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, intervista, emisione informative nga kultura etj. Pak a shumë struktura ruhet edhe sot. Në fund Biberaj jepte edhe numrin e telefonit të Zërit të Amerikës duke qenë se Shqipëria ishte lidhur me rrjetin telefonik botëror dhe ata që mundeshin mund të kontaktonin direkt radion. Është numri i parë që kam mësuar përmendsh, 202 619 2223. Mos e provoni, se nuk është më në shërbim...

Duke dëgjuar Zërin e Amerikës, ndihesha i privilegjuar, sepse dëgjoja gjëra që gjithsesi nuk mund t’i dëgjoje në Radiotelevizionin Shtetëror të Tiranës, ku lajmet diktoheshin dhe kontrolloheshin nga lart. Është për t’u çuditur, por Biberaj ishte, siç i themi ne, shumë i futur. Ndonëse Shqipëria sapo ishte lidhur me rrjetin botëror të telefonave, ai ishte në gjendje të bënte thirrje telefonike në Tiranë dhe të zhvillonte intervista me personazhe me peshë në jetën politike dhe kulturore të vendit. Në emisionet e Zërit të Amerikës kishte rubrika edukative dhe bashkëpunëtorët e Biberajt ishin nga intelektualët më në zë të diasporës shqiptare, si Martin Camaj, Arshi Pipa, Nikolla Pano, Peter Prifti për të cituar disa nga emrat që më vijnë sot në mendje. Ajo që më pëlqente veç lajmeve ishte rubrika “Opinion i qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, sepse nga ajo rubrikë dëgjoja gjëra me të vërtetë të reja, por edhe të paimagjinueshme. Për ngjarjet e 2 korrikut ‘90, largimi i Kadaresë në Perëndim dhe fillimi i lëvizjes studentore në dhjetor 1990, ishte Zëri i Amerikës që jepte versionin e vërtetë të ngjarjeve. Atë që bëri postieri i fshatit me mua, e bëra unë me të tjerët, pra fillova të “ritransmetoj” lajmet e Zërit të Amerikës. Komentet e Biberajt për zhvillimet politike në Shqipëri dukeshin të pabesueshme, po të shikoje fasadën që partia-shtet mundohej të ruante. Kështu, Biberaj fliste për grindje në udhëheqjen e lartë shqiptare midis atyre që ishin pro dhe atyre që ishin kundër demokratizimit të vendit. Në një krah gjendej Ramiz Alia me klanin e vetë dhe në krahun tjetër Nexhmije Hoxha edhe ajo jo e vetme. Në teorinë e tranzicionit që do ta mësoja më vonë, kjo është ndarja mes hardliners dhe softliners apo e thënë shqip ndarja mes vijës së ashpër dhe vijës së butë në gjirin e kastës së lartë të diktaturës. Në fakt, në janar të 1990, babai i ndodhur për vizitë në Tiranë më kish thënë se, njerëz të panjohur iu thoshin kalimtarëve: “Do shihemi te sheshi”. Ndoshta askush nuk kish guxuar të konkretizonte ndonjë veprim. Por nuk mund të them se sot di diçka më shumë rreth asaj që mund të ketë ndodhur apo që pritej të ndodhte. Sidoqoftë, rritja e dëgjueshmërisë së zërit të Amerikës përkon me një fenomen tjetër, me atë që do ta quaja periudhë derizioni, ku, pas Shkodrës që e kishte filluar shumë më shpejt, edhe në pjesë të tjera të vendit, sidomos në Tiranë e Kavajë, kishin filluar batutat, shakatë, poezitë satirike, ku në qendër ishte skamja, injorantët e Byrosë Politike që drejtonin atë vend, familja e Hoxhës etj., etj. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe rritja e guximit te shqiptarët për të kundërshtuar diktaturën duke filluar me rritjen e numrit të të arratisurve, me ngjarjet e dy korrikut 1990 dhe pastaj me ngjarjet që pasuan dhjetorin 1990. Zëri i Amerikës ka pjesën e vet në rritjen e kundërshtimit popullor ndaj diktaturës në Shqipëri. Për të shprehur besimin e njerëzve te Zëri i Amerikës mjafton të themi se një lajm ishte i besueshëm, nëse “e tha Zëri i Amerikës”. Madje, kjo e dallon edhe sot Zërin e Amerikës nga shumë media të tjera. Për rolin e Zërit të Amerikës në demokratizimin e Shqipërisë është folur shumë dhe ka mendime nga më të ndryshmet. Unë do të thosha, pa dashur të jap një vlerësim shkencor, se Zëri i Amerikës shërbeu si katalizator i një procesi që ndoshta ishte i pashmangshëm në kushtet historike që u gjend Shqipëria pas rënies së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve në Evropën Lindore. Por, mund të ndodhte që Shqipëria, si në rastin e pavarësisë, të zgjohej relativisht vonë. Zëri i Amerikës i shkundi shqiptarët për t’u zgjuar politikisht. Ndërsa rolin e Elez Biberajt do ta përmblidhja në atë që ai ishte personi i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Viti 1991 ishte viti i triumfit. Elez Biberaj, tashmë i mirënjohur nga të gjithë shqiptarët, ishte përkthyesi zyrtar i delegacionit amerikan me në krye Sekretarin e Shtetit, James Baker. Pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan Bejkerit dhe takimi me krerët e shtetit shqiptar s’ka se si të mos ketë shkaktuar ndjenjë triumfi tek Biberaj. Ai ishte një hero në sytë e shqiptarëve. Por, merret me mend reaksioni i Ramiz Alisë, kur është gjendur përballë përkthyesit-gazetar. Besoj se do ketë marrë hua shprehjen e shokut Perikli te “Pallati 176”: “Ma more kalanë nga brenda, o Jovan Bregu... (Elez Biberaj...)”

Pas viteve 1990-1991, viti 1997 më ka bërë t’i rikthehem Zërit të Amerikës. Atëherë në fakt nuk besoja kurrë se shteti do të binte, ashtu siç ra. Nuk e di se pse kisha besim se shteti ishte shtet, që askush nuk do të guxonte ta prekte. Pastaj, ndoshta edhe nga dëshira për ta parë vendin tim në gjendje sa më normale, besoja se do gjendej një zgjidhje, por kthesa që morën ngjarjet më ka bërë të mendoj se ajo klasë politike që e çoi Shqipërinë në atë ditë, nuk duhet të vazhdonte më të qeveriste. Të paktën moralisht. Por... morali dhe politika ndonjëherë nuk bëjnë të njëjtën rrugë. E, që t’i kthehem Zërit të Amerikës, në ditët që i paraprinë ngjarjeve të marsit 1997, fillova të dëgjoj Zërin e Amerikës. Veç besimit që kisha se dëgjoja lajme “safi”, kisha dhe një besim se Zëri i Amerikës mund të ndikonte për mirë. Më dukej se Biberaj do fliste me ndonjë në Tiranë për t’i thënë një “Hej, thirrini mendjes!” Në fakt, Zëri i Amerikës u tregua tejet aktiv. Por gjërat precipituan aq shpejt, sa jam i bindur se edhe gazetarët e Zërit të Amerikës duhet t’i ketë kapur në befasi. Ndërsa unë në thellësi besoja se, ashtu siç kisha dëgjuar lajme të mira dhe shpresëdhënëse në vitin 1990 e ’91, ndoshta përsëri do dëgjoja mrekulli. Por, kur zbret në tokë, e kupton se Zëri i Amerikës është një radio-stacion që edhe pse me një ekip profesionistësh... nuk bënë mrekulli. Edhe ata janë krijesa të gjalla me mish, kocka dhe gjak si dhe ne të tjerët...

Rrjedhat e mëtejshme të jetës më shkëputën nga Zëri i Amerikës ashtu siç më shkëputën edhe nga media të tjera. Shumë vite më vonë, në Kanada, do të rizbuloja Zërin e Amerikës në internet. Ndërkohë, Zëri i Amerikës ishte shndërruar në televizion me rubrikën DITARI dhe ishte i pranishëm në internet me faqen e tij zeriamerikes.com. Për prindërit e mi që kaluan më se një vit në Amerikë, rubrika DITARI në internet ishte burimi i vetëm informimi. Dhe si ata ka mijëra shqiptarë në botë.

Stazh te Zëri i Amerikës

Ndonëse te website i Zërit të Amerikës e bëjnë të ditur se pranojnë stazhierë, nga sa kuptova ata pranonin kryesisht inxhinierë, pra teknikë. Në këto kushte, një stazh te Zëri i Amerikës mbetej ... një ëndërr. Për më tepër, nga ekipi i Zërit të Amerikës njihja me emër vetëm Astrit Lulushin, që ishte i njohur në listat shqiptare të diskutimeve në internet falë një sërë shkrimesh nga fusha e të rejave shkencore në mjekësi. Vendosa dhe i shkrova një mesazh zotit Lulushi që nuk vonoi të më përgjigjej. Ndonëse ai më tha se shef i shërbimit është Arben Xhixho, ndoshta e ka menduar ngurrimin tim për t'iu drejtuar një të panjohuri. Kështu, ai flet vetë me zotin Xhixho dhe kështu vihemi në kontakt. I shkruaj zotit Xhixho dhe ... mrekullia ndodhi. Zoti Xhixho më telefonon dhe më thotë se për ata nuk ka asnjë problem dhe informatat e zakonshme...

Aty fillon maratona e dokumenteve mes meje, universitetit dhe Arbenit. Ky i fundit kishte goditur i duruar, sepse në universitet më kërkonin edhe qiqra në hell. Kështu, u vendos dhe janari 2009 u rezervua për stazhin në Zërin e Amerikës.

Uashington, janar 2009

Janarin e zgjodha, sepse ... vinte pas dhjetorit, fundit të sezonit të vjeshtës... dhe as që e shkova në mendje se 20 janari ishte “i rezervuar” për betimin e presidentit që do të dilte nga zgjedhjet e 4 nëntorit. Kështu, më 4 janar, kur mbërrita në Uashington, mbërriti dhe presidenti i porsazgjedhur. Mbërritja e tij dhe përgatitjet për transferimin e pushtetin nga Bushi tek ai ishin ngjarjet që do më shoqëronin ngado në kryeqytetin amerikan. E kam shkruar edhe në vend tjetër (ndonëse shkurt), që Uashingtoni gjithë këtë muaj ka jetuar me këtë ngjarje. Ndonëse relativisht ftohtë, zgjedhja e Barack Obamës dhe përurimi i tij si president i ka “ngrohur” disi njerëzit dhe ka ngjallur shpresa tek ata që janë demoralizuar nga kriza financiare dhe ekonomike që ka mbërthyer Amerikën dhe pazgjidhshmërisht edhe botën. Mbase Obama nuk do bëjë mrekulli, por dhe ana psikologjike ka rëndësinë e vet. Në fund të fundit, kriza ekonomike përkeqësohet me humbjen e besimit që shkakton panik te konsumatorët, po edhe tek investitorët. Nëse ardhja e Obamës në pushtet i qetëson njerëzit, ky është një fillim i mbarë. Për të tjerat ... kur të mbijnë le t’i shohim...

Si të duket Uashingtoni?

Pikërisht, para se të mbërrija në Uashington, kisha bërë “Ekonomi urbane dhe rajonale” dhe aty kisha lexuar se një shkencëtar që mundohej të ndante qytetet e mëdha në kategori, i vendoste qytetet sipas ndikimit që këto qytete kishin te rrethinat dhe më tej dhe në kategorinë e parë futej vetëm një qytet, Nju-Jorku (qytet që i shërben gjithë botës, nga ana ekonomike, por dhe organizmat që ndodhen në të si OKB etj). Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë qytete si Uashingtoni, Gjeneva, Brukseli (sepse u shërbejnë klientëve nga gjithë bota falë institucioneve të vendosura aty...) dhe në kategorinë e tretë futen qytete si Montreali, Toronto etj., (që u shërbejnë nevojave të territoreve që mbulojnë, si p.sh., Kanadasë angleze për Toronton dhe Kanadasë franceze për Montrealin). Më tej vazhdojmë me qytete, qyteza dhe fshatra. Pra, unë kisha ikur nga një qytet i kategorisë së tretë në një qytet të kategorisë së dytë (ndonëse kategorinë e parë e kam vizituar dhe më ka pëlqyer...) E pra, pyetjes se si më duket Uashingtoni që m’u bë nga kolegë dhe miq, iu përgjigja këtu pak gjatë dhe, kur të bën dikush një pyetje të tillë, nuk besoj se do jetë i ngeshëm ta kaloj ditën me... kategoritë e mia. Shkurt, Uashingtoni është një qytet beton që ka ndërtesa institucionale, zyrtarë dhe muze. Veçse, muzetë janë falas.

Si është Uashingtoni? - I mirë për të punuar, se për të jetuar... është Montreali. Kjo është përshtypja ime...

Uashingtoni do të ishte i vështirë për mua për t’u vendosur duke parë dhe kushtet e krijuara nga ceremonia e përurimit të presidentit, por, po të kesh në vend një mik si miku im i vjetër Aureli, çdo gjë bëhet e lehtë.

Në Uashington metroja është e madhe dhe trenat janë të rehatshëm. Të jepet përshtypja se aty takon veç zyrtarë, zyrtarë që nxitojnë, zyrtarë “blackberry”. Këta janë shefat, sepse modelet poshtë blackberry duhet të jenë zyrtarë të thjeshtë që i paguajnë vetë faturat. Çuditërisht, nuk pashë “mister iPhone” që duhet të jenë edhe më të sojshëm, por, me sa duket, ata lëvizin me makinat e tyre...

Siç e thashë, nuk e zgjodha janarin me qëllim, por, edhe sikur ta kisha planifikuar, nuk do të ishte keq. Një muaj i mbushur me aktivitete këtu në Uashington që ia vlente barra qiranë të ndodheshe aty. Fundja, do ngelet e shkruar si një shprehje që një grua e kishte stamposur në kapelën e vet “I was there”, pra unë isha aty. Po, unë isha aty. Jo vetëm unë që u ndodha për herë të parë në një ngjarje të llojit, por dhe kolegët e Zërit të Amerikës që kishin marrë pjesë në përurime të mëparshme më thanë se ky përurim ishte i jashtëzakonshëm. Në fakt, nuk ka pse të dyshohet në këtë drejtim. Obama arrinte të mblidhte qindra e mijëra mbështetës në mitingje përgjatë fushatës. Ngado që shkela në Uashington para ditës së përurimit dhe më pas, të krijohej përshtypja se po merrnim pjesë në një ngjarje që do hyjë në histori.

Nuk po përsëris psetë që i kam shkruar diku, por mua nuk më pëlqejnë sloganet si ky i pjesëmarrjes në shkrimin e historisë. Për mua historia vjen mbrapa. Ceremonia e transferimit të pushteteve nga Bush tek Obama pa dyshim ishte madhështore. Obama ngjalli shpresën e amerikanëve dhe përmirësoi imazhin e amerikanëve në botë, por e gjitha kjo do të harrohet shpejt nëse administrata e re nuk realizon ndryshimet e aq premtuara. Historia fillon te ndryshimet, sigurisht për mirë.

E thashë më sipër se Uashingtoni ka muze dhe galeri me të vërtetë klasi, por edhe institucionet më të rëndësishme, si Shtëpia e Bardhë apo Kapitol Hill (Kongresi) janë të vizitueshme. Në Capitol Hill shkova disa herë. Ishte me të vërtetë një vend pelegrinazhi. Shtëpia e Bardhë për shkak të ndërrimit të “qiraxhiut” kuptohet ishte e mbyllur për vizita brenda ndërtesës, por në rrethina ishte e vizitueshme. Ngado të krijohej përshtypja se kishe të bëje me mbështetës të Obamës. Rreth Shtëpisë së Bardhë kishte militantë kundër luftës apo thjesht kundër-Bush dhe shumë, shumë pak anti-Obama. Njëri prej tyre nuk kishte përtuar të shkruante një parullë për të kujtuar origjinën e tij myslimane...

Është e paktë të thuhet se Obama e kishte pushtuar Uashingtonin. Edhe në abonenë javore të metrosë që bleva javën e parë ishte e shkruar “Le të festojmë përurimin e presidentit Obama”.

Në dyqanet e suvenireve nuk kishte veç produkte “Obama”, që nga bluza, filxhanë, libra, kalendarë për të përmendur diçka nga ai numër i pafund objektesh me portretin e Obamës. Shumica e institucioneve, por dhe hotelet nuk kishin harruar të shkruanin parulla mirëseardhjeje për presidentin e ri. Nuk bënte përjashtim as Kanadaja. Në ambasadën e saj parulla “Kanadaja përshëndet presidentin Obama” ishte shkruar në të dy gjuhët zyrtare, frëngjisht e anglisht. Tregtarët ambulantë dhe fotografët që të filmojnë “falas”, por që t’i vënë fotot në internet për t’i blerë me një çmim të kripur, përjetonin ditët e arta të biznesit të tyre. Vizitorët, me të cilët munda të flisja, ishin nga Franca, Montreali, Teksasi, Florida... por gjeografia e vizitorëve të gjendur në ditën e përurimit, nuk kishte kufi...

Koncerti i organizuar të dielën para përurimit të Barack Obamës si president ishte i jashtëzakonshëm. Mbi një milion njerëz ishin mbledhur në sheshin e Monumentit për ta ndjekur. Ishte ftohtë, por entuziazmi ishte i tillë që nuk mund ta përshkruash. Njerëzit këndonin, kërcenin, fotografoheshin, duartrokisnin dhe bërtisnin në shenjë respekti, sa herë kamerat drejtoheshin nga Obama. Nuk mund të lihet mënjanë fakti se Obama është i pari afro-amerikan president i Shteteve të Bashkuara. Marrja e pushtetit nga ana e tij ishte festë e të gjithë amerikanëve, por për afrikano-amerikanët ishte paksa e veçantë. Ata festonin Amerikën që tash do ta ndjejnë të gjithën të tyren, ata festojnë realizimin e ëndrrës së Martin Luther Kingut. Mund të kuptohet pra, ajo ndjenjë gëzimi dhe krenarie që ata manifestonin në ditët e festës së përurimit të njeriut të tyre që u bë i pari i Amerikës. Edhe një gjë që më ka bërë përshtypje dhe që m’u përforcua gjatë qëndrimit në Uashington. Amerikanët i respektojnë shumë veteranët dhe gjithë ata që kanë bërë diçka për vendin e tyre. Një parantezë për të kuptuar këtë traditë. Amerika ka një histori pak më shumë se 200-vjeçare. Dhe themeluesit e saj janë kthyer në legjendë. Thëniet e tyre përbëjnë burim frymëzimi për kombin amerikan sidomos në këto ditë të vështira të një krize ekonomike. Përgjatë koncertit të 18 janarit, aktorët e Hollivudit të ftuar në këtë ngjarje recituan thënie të figurave historike si Linkoln, Washington etj. Në këtë kontekst pyetja që më vjen në mendje është se, si mund të interpretohet dëshira e disa shqiptarëve për ta parë figurën më të madhe të historisë së shqiptarëve, Skënderbeun, të çmistifikuar, si një njeri të zakonshëm, të zhveshur nga legjendat?!... Dhe, pasi ta kemi zhveshur Skënderbeun nga “Magjia” që na mban të bashkuar, le t’i turremi Nënë Terezës. Madje, për t’i dhënë një emër çmendurisë, le ta quajmë Rilindja Çkombëtare...

Unë, Barack ...

Data 20 janar ishte e jashtëzakonshme, jo vetëm për mua, por dhe për gjithë sa kishin mbërritur në Uashington për ceremoninë e përurimit të presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara. Ne që ishim dëshmitarë të kësaj dite të madhe do ta ruajmë si kujtim gjithë jetën, por le të mos e mohojmë faktin që afrikano-amerikanët kishin një motiv më shumë nga ne të tjerët. Shumë prej tyre e përjetonin në heshtje, por kam përjetuar skena, ku shumë prej tyre shpërthenin në delir të vërtetë (që sigurisht bën pjesë në ato që mund t’i konsiderojmë normale, për shkak të burimit që e shkaktonte). Ngado shihje ekipe xhirimi nga e gjithë bota që merrnin përshtypjet e të pranishmëve dhe sigurisht afro-amerikanët ishin të privilegjuarit, sepse ata ndienin gjerë në thellësi këtë ndryshim që po pësonte Amerika dhe këtë ëndërr të largët të brezave të tërë që u realizua me zgjedhjen e Obamës si president i vendit të tyre që ndoshta jo gjithmonë e kishin ndierë si të tillë. Duke marrë pjesë në një ceremoni të tillë nuk ka se si të mos heqësh paralele, mos të bësh krahasime me vendin tonë, Shqipërinë. Duke parë ato turma të pafund që dyndeshin në qendër të Uashingtonit për të marrë pjesë në ngjarje historike si përurimi në post të presidentit të vendit, me mendjen time i shkëmbeja këto turma me ... shqiptarë. Thosha me vete, do të ishin ata aq të bindur, do të dëgjonin udhëzimet për të shkuar në vendin e paracaktuar për gjithsecilin. Në fakt, krahasime të tilla janë të destinuara të ngelen krahasime teorike, sepse në realitet nuk mund të ndodhin, por edhe t’i mendosh duhet të jetë pak e vështirë, sepse që në fillim duhet thënë se ne shqiptarëve nuk para na pëlqen të marrim urdhra, sepse ... neve na pëlqen të japim urdhra... nejse, le ta lemë krahasimin këtu, sepse ne, edhe kur bëjmë zgjedhje, nuk mblidhemi pas saj për të festuar, por për të protestuar, ne nuk... hej, thamë ta lëmë krahasimin këtu, sepse ndryshe nuk do t’ia dalim dot të krahasojmë, pasi edhe njësitë matëse do na dalin të ndryshme. Veç nga 20 janari duhet ruajtur ai kujtim i bukur i një feste për të gjithë, që, ndonëse edhe me ndonjë dyshim se mos dikush do të tentonte ta prishte festën, ajo ishte e përsosur, madhështore, në lartësinë që gjithsecili do të donte ta shihte Amerikën.

Të gjitha rrugët të çojnë në ... Uashington

Dikur, të gjitha rrugët të çonin në Romë, por gjysma e dytë e shekullit të kaluar e bëri Uashingtonin qendrën e politikës botërore. Aty vendoset fati i 50 shteteve amerikane, por po aty vendoset edhe fati i pjesës tjetër të botës duke u nisur nga ndikimi i Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndoshta edhe shprehja se të gjitha rrugët të çojnë në Romë duhet riparë... Në këtë kontekst është i kuptueshëm interesimi i botës përgjatë fushatës zgjedhore në Amerikë dhe reagimi përgjithësisht pozitiv ndaj zgjedhjes së Barack Obamës. Edhe nëse nuk do ishte zgjedhur Obama, dikush do përurohej më 20 janar, madje shumë ftesa për në ditën e betimit të presidentit ishin dërguar para se të merrej vesh emri i fituesit, aty nga vera e vitit 2008. Sipas traditës së zgjedhjeve të pas 1990 edhe forcat politike në Shqipëri marrin pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit amerikan. Dhe politikanët që mbërrijnë nga Shqipëria në Uashington nuk mund të mos kthehen në Shqipëri pa kaluar edhe nga Zëri i Amerikës. Si Zëri i Amerikës, edhe politikanët shqiptarë duhet të transmetojnë mesazhe dhe kështu pas ceremonisë së betimit të presidentit në mjediset e Zërit të Amerikës kaluan me radhë që nga kryetarja e parlamentit, zonja Jozefina Topalli, ish- kryeministri i Shqipërisë, zoti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, zonja Monika Kryemadhi, kryetari i G99, zoti Erion Veliaj. Nuk mund të lë pa përmendur kalimin e kryetarit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresistit Joseph DioGuardi, dhe bashkëshortes dhe këshilltares për çështjet e Ballkanit zonjës Shirley Cloyes DioGuardi. Duke e parë nga afër zotin DioGuardi nuk mund të mos “prekësh” atë entuziazëm dhe pasion që e karakterizon këtë personalitet të shquar dhe luftëtar të çështjes shqiptare. Zëri i Amerikës ka krijuar tash së fundi edhe një traditë të re në bashkëpunimin me mediet kombëtare dhe lokale në Tiranë, Prishtinë dhe gjetiu. Veç marrëveshjeve që shumë media kanë me Zërin e Amerikës për të ritransmetuar emisionet e Zërit, shumë prej kanaleve televizive lidhen direkt me gazetarët e Zërit të Amerikës për të marr të rejat më të fundit nga Uashingtoni. Kështu, zoti Ilir Konomi paraqet pothuajse çdo natë të rejat më të fundit nga Uashingtoni në valët e “Top Channel”, ndërsa Ardita Dunellari transmetoi disa herë për “News 24” lajmet më të fundit nga kryeqyteti amerikan. Por për ngjarje madhore, siç ishte ceremonia e transferimit të pushtetit në Amerikë, bashkëpunimi shkon edhe më tej, si fjala bie transmetimi i emisioneve të përbashkëta. Një nga këto bashkëpunime ishte edhe transmetimi “live” i emisionit “Top Story” i Sokol Ballës. Në qendër të emisionit kuptohet ishte zgjedhja e presidentit Obama dhe ndikimi i kësaj ngjarjeje mbi Amerikën, botën dhe sigurisht, kryesorja, ndikimi mbi shqiptarët. Emisioni u transmetua direkt nga studiot e Zërit të Amerikës dhe seksioni shqip përveç sigurimit të mbarëvajtjes së transmetimit, që nuk është dhe aq i lehtë duke ditur se kemi të bëjmë me disa ekipe që duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin, “furnizoi” dhe njërin nga analistët e emisionit. Kështu, krahas profesor Shenasi Ramës, që komentonte ngjarjen nga Nju-Jorku, në studio në Uashington krahas Erion Veliajt dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj, që u alternuan me njëri-tjetrin, ishte edhe shefi i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, zoti Arben Xhixho, që iu përgjigj pyetjeve të drejtuesit të emisionit, Balla, dhe pyetjeve të teleshikuesve. Zoti Xhixho është një njohës i mirë i politikës amerikane dhe asaj shqiptare.

Vazhdon ....

Pjesa e fundit e këtij reportazhi, e shoqëruar edhe me fotografi, do të botohet në TribunaShqiptare.com në datën 18 mars 2009 dhe do sillet për ju në gazetën Tema në ditët në vijim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›