E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Zgjedhjet në rrezik. Avokati i Popullit: Kaos me letërnjoftimet

Nga Armand Maho

Zgjedhjet parlamentare janë në rrezik për shkak të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Zyra e Avokatit të Popullit ka bërë një inspektim gjatë këtyre ditëve në zyrat e pajisjes me dokumentet e identifikimit dhe arrin në përfundimin se situata është mjaft problematike.

Përfundimet e këtij inspektimi janë bërë të ditura gjatë një konference për shtyp nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Në krah të tij ka qenë dhe ambasadori i OSBE në vendin tonë, Robert Bosch. Ky i fundit ka bërë thirrje dëshpëruese ndaj qytetarëve që të aplikojnë për dokumentin e identifikimit, ndërsa ka shtuar se, në rast se nuk do pajisen njerëzit me karta identiteti, atëherë zgjedhjet do vihen në dyshim.

Bosch ka kërkuar që të paktën qytetarët që nuk kanë pasaporta të pajisen me karta.

Një ekip i Zyrës, bashkë me Avokatin e Popullit, në datat 10 dhe 11 mars 2009 bëri një sërë inspektimesh në njësitë bashkiake Nr. 1, 2, 3, 4, 5, 8, 9, 10 e 11.

Qytetarët janë ankuar për afatet e vendosura, mos-korrektesën në zbatimin e tyre, sorollatjen që u bëhet atyre, madje duke i detyruar që të lëvizin dhe nëpër rrethe për të marrë një certifikatë.

Vëzhguesit e Avokatit të Popullit thonë se pajisjet janë problematike, ndërsa kanë theksuar problemin e dublimeve në lista.

Për të burgosurit, invalidët dhe ata që kanë lindur në datë 29 shkurt, nuk ka asnjë zgjidhje, sipas Avokatit të Popullit, ndërsa problem vazhdon të mbetet çmimi i letërnjoftimeve.

Sipas Avokatit të Popullit edhe pse është premtuar rimbursim nga ana e qeverisë, askush nuk e di se kur do merret ky rimbursim dhe ku.

Avokati i Popullit ka hedhur akuza dhe në drejtim të firmës “Sagem” për mungesë transparence për këtë çështje.

Problemet e konstatuara

1. Në disa Njësi Bashkiake nuk kishte radhë. Prandaj, nga të gjithë organet dhe palët e interesuara duhet të nxitet publiku që të aplikojë sa më parë dhe sa më shumë.

2. Qytetarët ankohen se nuk iu caktohet një datë (afat) i saktë për t’u paraqitur që të marrin kartat e plotësuara. Afati 15-ditor, i shpallur, nuk është respektuar. Dje dhe pardje ishin të gatshme për t’u dhënë karta vetëm atyre qytetarëve që kishin aplikuar deri para datës 5 shkurt 2009. Në disa njësi operatorët u ankuan se në disa raste procesi vonohej, sepse kishte ndërprerje të punës për shkak të rrjetit kompjuterik.

3. Nga disa shtetas kishte ankesa se sorollateshin lidhur me gabimet e bëra në regjistrat e gjendjes civile. Në këto raste atyre iu kërkohej që të shkonin e merrnin certifikata deri edhe në zyrat e gjendjes civile ku kishin pasur më parë vendbanimin, pra qoftë edhe në rrethe të tjera.

4. Një mangësi tjetër përbën fakti se në regjistrin elektronik kishte pasaktësi të gjeneraliteteve. Gjithashtu, në regjistrin elektronik ka dublime të fshehura emrash. Ky fenomen ndodhte në rastet kur vajzat e martuara kishin marrë mbiemrat e bashkëshortëve, kur kishte ndryshim emrash, korrigjim të gjeneraliteteve etj.

5. Nga këqyrja në vend e procesit u vërejt se programi kompjuterik i shoqërisë prodhuese kishte mangësi, fjala vjen, nëse ndonjërit i ishte regjistruar gabim emri i vendlindjes (fshatit), po të bëje ndryshimin e tij, fshihej emri i rrethit. Po kështu, pengohet edhe aplikimi për personat që kanë datëlindjen në datën 29 shkurt.

6. Një problem përbën edhe fakti se deri tani, kompania prodhuese e kartave nuk kishte zgjidhje për të sëmurët, invalidët dhe tepër të moshuarit, që t’ua ofronte mundësinë e aplikimit nëpër banesa.

7. Një problem tjetër me rëndësi është edhe konstatimi se nuk është parashikuar deri tani zgjidhja e pajisjes me letërnjoftim e të burgosurve.

8. Disa qytetare pensionistë kishin ankesa për “çmimin e lartë” të letërnjoftimit. Ky problem u ngrit edhe nga drejtues të pushtetit vendor, sipas të cilëve qytetarët që nuk kishin të ardhura, nuk vinin për aplikim.

9. Njëkohësisht, disa shtetas, të cilët, sipas VKM, përfitonin rimbursim për çmimin e paguar të letërnjoftimit, nuk e kishin marrë shumën e rimbursuar dhe nuk ishin të informuar se kur dhe si do t’u bëhej rimbursimi.

10. Avokati i Popullit konstatoi se shqetësimi i ngritur edhe më parë nga ana jonë, që në vitin 2002, lidhur me mos-çregjistrimin nga regjistrat e gjendjes civile të shtetasve të vdekur, qëndron akoma. Ky mosveprim lidhet me faktin se nga disa nëpunës nuk njihej e drejta ligjore e parashikuar në nenin 51/7 të ligjit nr. 8950, dt. 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, sipas të cilit, kur shërbimi i gjendjes civile ka të dhëna se persona të vdekur vazhdojnë të qëndrojnë të regjistruar në regjistrin themeltar, duhet të ngrejë padi në gjykate për të vërtetuar vdekjen. Por, nga disa nëpunës të tjerë, megjithëse njihej kjo e drejtë ligjore, ajo nuk ushtrohej për motive nga më të ndryshmet. Po kështu, nuk janë çregjistruar edhe personat, të cilëve iu është hequr shtetësia shqiptare.

11. Nga kontaktet e drejtpërdrejta nëpunësit e gjendjes civile u ankuan se nuk paguheshin për kohën jashtë orarit zyrtar të punës, problem që duhet zgjidhur.

12. Një problem tjetër tepër shqetësues për këtë proces jetik është edhe mungesa e transparencës nga shoqëria “Sagem”, fituese e koncesionit me shoqërinë “Aleat” prodhuese e letërnjoftimeve. Ky fenomen u konstatua nga komunikimi me disa operatorë, të cilët na thanë se kishin porosi për të mos dhënë informacione. Për këtë, më dt. 11.03.2009, dy përfaqësues të zyrës tonë shkuan në selinë e shoqërisë prodhuese për të marrë një informacion rreth këtij procesi. Por informacioni i kërkuar nuk iu dha, duke thënë se atë ia jepnin Ministrisë së Brendshme dhe se atje duhet ta merrnim edhe ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›