E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaso: Milo dhe Majko përsërisin sloganet e babait të tyre shpirtëror, Enver Hoxhës

Nga

Flet kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Tanush Kaso

Zoti Kaso, së fundmi është hapur një debat në lidhje me dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, të cilët janë konsideruar si bashkëpunëtorë të fashizmit. Sipas mendimit tuaj, cilët janë kolaboracionistët dhe sa i vërtetë është ky term?

Ky debat është i pabazuar në ligjet e mëparshme dhe në të vërtetën e këtij dëmshpërblimi. Ka si qëllim vetëm dezinformimin e qëllimshëm të këtyre personave në lidhje më këtë çështje. Për arsye se ata që quhen kolaboracionistë, ashtu si dhe ish-funksionarët e lartë të ish-regjimit komunist, ministrat e Brendshëm dhe anëtarë të KQ janë përjashtuar nga e drejta e dëmshpërblimit me anë të ligjit 7748, datë 29.7.1993. Neni 5 i këtij ligji shprehet qartë se “Nomenklatura e lartë komuniste, si dhe ata që kanë bashkëpunuar me pushtuesit e hua, përjashtohen nga e drejta e dëmshpërblimit”.

Si i vërtetojmë kolaboracionistët?

Po janë ata që kanë marrë pjesë në qeveritë e asaj kohe apo që janë shquar për veprimtaritë kriminale. Nuk mund të quhen kolaboracionistë 39 nacionalistë shqiptarë, të vrarët e Gërhotit, me në krye Hysni Lepenicën, anëtarë të Ballit Kombëtar të vrarë nga italianët, ose Abaz Ermenji nuk mund të quhet kolaboracionist, pasi këta kanë vepruar në interes të kombit. Pra, këta u përjashtuan padrejtësisht nga komunistët, por kurrsesi s’mund të quhen kolaboracionistë. Po ashtu, s’mund të quhen kolaboracionistë 67 fshatarë myzeqarë që u vranë me urdhër verbal të Mehmet Shehut dhe Dushan Mugoshës në fshatin Matjan të Lushnjës. Po ashtu, s’mund të quhen kolaboracionistë të vrarët e Martaneshit, Lumës, në Mirditë dhe në Malësinë e Madhe, të cilët mbrojtën lirinë e tyre dhe luftuan kundër vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri. Këta nuk i shërbyen asnjë të huaji. Nuk ishin kolaboracionistë as fshatarët e Mirditës që u pushkatuan pa gjyq pas vrasjes së Bardhok Bibës, si dhe 300 familje të asaj treve që u internuan në Tepelenë, ku gjetën vdekjen shumë prej tyre nga sëmundjet, uria dhe torturat. Po ashtu, dhe masakrat e kryera nga komunistët përgjatë Luftës civile Nacionalçlirimtare, numërohen mjaft raste vrasjesh masive të kryera mbi popullsinë e pafajshme, të nxitura nga këshilltarët jugosllavë. Qëllimi i të cilëve ishte të kthenin Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë me ndihmën e “kolaboracionistëve” të tyre komunistë shqiptarë. Këto janë dëmet kolosale që i kanë sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve bashkëpunimi me sllavët, armiqtë tanë shekullorë. Nga ky bashkëpunim mbeti dhe Kosova nën Jugosllavinë, derisa mori pavarësinë vetëm dy vjet më parë.

Si i shikoni deklaratat e dy deputetëve, Majko dhe Milo, në lidhje me këtë çështje?

Sa për Majkon, ky dihet që ka hyrë në politikën shqiptare pa librezë pune. Titulli më i goditur për të ka qenë “14 vjeç dhëndër”, se i papjekur hyri dhe ashtu do dalë nga politika shqiptare. Po përsërit sloganet e Enver Hoxhës, babait të tij shpirtëror. Po kështu mund të thuhet dhe për falsifikatorin e historisë, shokun Milo, i cili, sa kohë qe në Ministrinë e Jashtme, e mbante idhullin e tij Enver Hoxha në ambientet e saj. Gjersa u detyrua ta heqë pas protestave të të përndjekurve politikë. Po kështu, Milo do të mbahet mend dhe si falsifikator i letrës së Mehmet Shehut, origjinali i së cilës është zbuluar kohët e fundit në Arkivin Qendror të Shtetit, ashtu si dhe personi që ia dha Milos për ta manipuluar këtë letër. Qëndrimet e tij në mbështetje të së kaluarës komuniste janë të njohura nga shqiptarët dhe prej tij s’ke çfarë pret më shumë.

Reagimi i tyre vjen në një kohë kur jemi përpara zgjedhjeve, dhe ata e dinë fare mirë që nuk mund të kenë mbështetjen e shtresës sonë për të vetmen arsye se kanë mbajtur qëndrim klasor dhe armiqësor ndaj nesh. Nga ish-të burgosurit politikë, qofshin edhe të majtë, nuk dimë të ketë aderuar askush gjatë këtyre 18 vjetëve në PS, pavarësisht se dhe PD ka krijuar një zhgënjim te ne. Po ta shohim përbërjen e saj, sot nuk gjen asnjë deputet nga klasa jonë në parlament që të mbrojë interesat tona. Por, gjithsesi, të paktën te partia e Majkos dhe e Milos, s’kemi mbajtur ndonjëherë shpresë, këtyre iu kërkojmë vetëm të heshtin.

Në rast se dëmshpërblimi do të bëhej në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, a do kishim këtë debat sot?

Jo absolutisht, ky problem duhej të ishte zgjidhur me kohë, mbase që në mandatin e parë të PD, kur kujtimet ishin ende të freskëta dhe plagët ende kullonin gjak. Këto zëra pinjollësh komunistë, atëherë të paktën nuk kishin guximin të na shikonin në sy. Krakallitjet e këtyre korbave të kuq nuk do të mund të frenonin procesin e dëmshpërblimit, ashtu siç ndodhi me dosjet, për të cilat sërish dhe me ligjin që paraqiti PD ne kemi rezervat tona, për shkak të butësisë së këtij ligji, dhe të pamundësisë së realizimit korrekt.

Ditët e fundit janë bërë publike listat e dëmshpërblimit. Si mendoni, deri në ç’masë është zgjidhur problemi i ish-të përndjekurve politikë? Pra, a i përgjigjet kjo masë dëmshpërblimi nevojave të tyre?

Ka më shumë se dy vjet që gazetat botojnë lista të të përndjekurve politikë, të të pushkatuarve dhe të të dëbuarve. Po krijohet përshtypja në popull se kjo kategori shoqërore po thith të gjithë buxhetin e shtetit. Në të vërtetë ky dëmshpërblim është diçka simbolike sesa reale. Sepse dëmshpërblimi i ish-të dënuarve të diktaturës përbëhet nga dy komponentë: nga dëmshpërblimi mbi punën e detyruar dhe të papaguar, si dhe dëmshpërblimi mbi pafajësinë. Ndërkohë, ne po na zbritet dëmshpërblimi në letra me vlerë që na u dha për punën e papaguar, të llogaritura për punën e kryer nëpër miniera. Ndërsa dëmshpërblimi për pafajësinë, ndryshe nga ai që iu dha ish-persekutorëve tanë të akuzuar për gjenocide, që më pas morën pafajësinë, si Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Aranit Çela, është shumë më i ulët. Veç kësaj, i zbritet dhe vlera në lekë e atyre që kanë marrë nga një banesë shtetërore. Pra, ne jemi përjashtuar nga privatizimi masiv që u krye në fillim të viteve ‘90, me çmime simbolike, por këto banesa shtetërore duhet t’i blejmë me çmimet e tregut. Megjithatë, dhe në këtë formë që po jepet ky dëmshpërblim, është një numër i konsiderueshëm ish-të dënuarish që nuk përfitojnë ose janë përjashtuar nga kjo e drejtë e ligjshme për arsye nga më të ndryshmet dhe që normalisht nuk qëndrojnë.

Si për shembull?

Është përjashtuar një numër prej rreth 300 të sëmurësh mendorë për shkak të përndjekjes, të cilët më parë janë trajtuar si të pushkatuarit baras me tetë vjet burgim. Këta nuk janë në gjendje të kërkojnë të drejtën e tyre. Gjë që duhet ta bëjë vetë shteti, sepse deri më tani nuk e ka bërë. Nga ana tjetër, është shtresa e atyre që janë pushkatuar pa gjyq, për të cilët vetëm kohët e fundit janë bërë amendimet në ligj. Me këta ka një problem të madh, sepse s’mund të gjenden dokumentet, dhe nuk njihen vendimet e komisionit trepalësh, që u ngrit në fillim të viteve ‘90. Për mungesë dokumentacioni mbeten pa u trajtuar dhe shumë të internuar që vuajtën kampet e përqendrimit. Pra, janë një sërë problemesh, që duhen zgjidhur dhe deri më tani mund të themi se jemi ende në majën e ajsbergut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›